Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Shënim dite për Edvinin

Burimi: Freepik

I Gjati dhe Plaku, Piktori dhe Doktori, Edvini dhe Saliu, janë dy emra dhe binome epitetesh të të njëjtit fenomen: patronizimit folk-nacionalist të Kosovës. Emrat ua kanë vënë prindërit, epitetet ia kanë vënë njëri-tjetrit. Dhe kur nuk merren me njëri-tjetrin, merren me Kosovën. Kur shkojnë në Bruksel flasin për bashkimin e shqiptarëve në BE, kur aterojnë në Beograd flasin për pajtimin historik të popujve të Ballkanit, e kur zdergjen në Kosovë i hypin sipër shqiponjës dykrerëshe dhe lëshojnë glaca patriotike.

Shitju moral patriotik këtyre fshatarëve kosovarë, ngritju një përmendore të Ismajl Qemajlit dhe folju për luftën sikur të kishe qenë vetë Adem Jashari dhe ata do të adhurojnë sikur vërtetë të ishe Adem Jashari. E pse jo, nga kjo tokë martire janë lëshuar kumte edhe më flakëruese sesa ato të piktorëve e doktorëve. Janë thënë edhe nga Vuçiçët, Gjuriçët, Tadiçët, Pashiçët, Qosiçët… E nëse janë thënë nga këta, pse mos të thuhen edhe nga të tjerë. Kosova është një gurrë e pashterrshme nacionalizmash burimorë, të gjithëve u lejohet të jenë nacionalistë. Vetëm të gjorëve kosovarë nuk u lejohet të jenë nacionalistë, ata duhet të jenë evropianët e mirë. Ata duhet të përmbahen nga shprehja e nacionalizmit të tyre, duhet ta dënojnë dhe gjykojnë ashpër kur buron nga radhët e tyre, dhe duhet t’ua tërheqin vërejtjen bashkëqytetarëve të tyre për pasojat e rrezikshme të tij. Por kur vjen nga të tjerët duhet të jenë tolerant dhe mirëkuptues, sepse për “ata”, pra për të tjerët, nuk është e lehtë, edhe ata kanë humbur shumë, edhe për ta është e dhimbshme humbja e Kosovës, sepse është shpirti i tyre, është zemra e tyre, është thembra e tyre. Thua se neve duhet të na brengosë kjo. E mjera Serbi. Ata e kanë humbur luftën, prandaj e kanë humbur Kosovën! Ka më shumë se njëqind vite që provojnë të na zhdukin dhe kjo tentativa e tyre e fundit ishte vetëm aq: tentativa e tyre e fundit në një linjë të gjatë tentativash.

Nëse ka diçka të mençur që kryeministri i Shqipërisë e ka thënë në raport me Kosovën është se ajo e ka fituar luftën dhe s’ka pse merret me Serbinë. Por ja, tash pasi u ngrof me Aleksandrin kërkon të merremi me të dhe ta arrijmë pajtimin historik. Vjen këtu na ndërton paçavure prej përmendoresh, na shet kiç nacionalist dhe pastaj përjeton epifani nga “meditimi publik i Presidentit të Serbisë”. Më e bukura e gjithë kësaj storjeje është se epifania e tij është epifani vetëm për të, ne të tjerët tashmë e kemi përjetuar. E vetmja gjë e re në këtë mes është se është e re vetëm për të, për ne të tjerët këtu në Kosovë është vetëm një shtirje e vjetër. Tash dua t’ia kthej këshillën e tij: Serbia e ka humbur luftën, Kosova s’ka pse merret me të. Por ai insiston se Kosova na qenka “nyja gordiane”, “mu siç e thotë edhe Presidenti serb”. Vetëm se tani nuk po e thotë më Aleksandri, presidenti serb, apo jo zoti kryeministër? Tani po e thua ti. Tash edhe për ty Kosova na qenka “nyja gordiane” e cila na e bëka edhe zgjedhjen e qartë “mes territ të tunelit dhe dritës së daljes prej tij”. Dreqi ta hajë Edvin, dikur në Kosovë, jo shumë kohë më parë, flitej për “procese historike” nëpër të cilat supozohej se po kalonte Kosova. Tash si duket paskemi avansuar në “procese mitike”. Por edhe këto e kisha përshtypjen që i kishim kaluar në vitin 1999. Parashikoj që faza e ardhshme do të jetë ajo e “proceseve primordiale”, që të kthehemi sa më prapa në origjinën e vërtetë të problemit.

Ka një kohë të gjatë që Serbia kërkon që Kosovën ta paraqes si problem (nuk them dot si “nyjën gordiane” se shumë klishe) mes shqiptarëve dhe serbëve që kërkon marrëveshje historike mes dy popujve. Kishte një kohë kur jo vetëm Kosova por të gjitha territoret shqiptare që mbeten nën Serbi ishin problem i të dy popujve, dhe nuk është vetëm Presheva siç mund të mendosh ti. Dikur bashkëkombas të tu kishte deri në Nish dhe kishte edhe në Novi Pazar, pra në Sanxhak. Dhe nuk po flasim për kohën e Skënderbeut, por për fundin e shek. XIX; në më pak se njëqind vite do të lindeshe ti. E megjithatë Sandri dhe miqtë e tij na u përgjigjën me dëbime, djegie, shkatërrime, vrasje, dhunime, etj.

Ishte një moment tjetër marrëveshjeje historike para përafërsisht njëqind vitesh, para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Besoj e imagjinon përgjigjjen e Sandrit. Nuk dua të të mërzis më gjatë me historira, nuk dua t’ua prish festën. Vetëm besoj e din se çfarë ndodhi gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, dhe gjithashtu besoj e din si rodhën të nëntëdhjetat, e nëse asgjë tjetër besoj se ke shikuar televizor gjatë muajve të pranverës së vitit 1999. Aty Sandri ishte njëri nga protagonistët. Por siç thashë, pse të flasim për të kaluarën kur mund të flasim për të ardhmen e kalamajve të të dy popujve tanë.

Që ta dish ti, unë s’po flas fare me ty. Po flas me këtë të Gjatin tonë, ahistorikun e përhumbur që ngeli duke të të shikuar herë ty e herë Sandrin sikur një kalama që shikon të rriturit sepse nuk di sesi të veprojë. Edhe ky kërkon të bëhet Lider Historik, të nënshkruajë marrëveshje historike, ta arrijë pajtimin historik mes shqiptarëve dhe serbëve. E meqë po insistoni në histori, ja një copëz nga ajo. Në Kosovë, politika është ushqimi ynë i vetëm, nuk është filozofia, nuk është arti apo shkenca, por është vetëm politika dhe politika. Mund të bëjmë edhe gjëra të tjera, por gjithmonë i bëjmë të shoqëruara me politikë. Por pa politikë nuk bëjmë asgjë. Nga ky mjerim intelektual, lindi diçka e vlefshme. Kosova specializoi në temën e Serbisë, ishte e vetmja gjë me të cilën u morëm, ishte tema të cilën e studiuam dhe mjeshtëruam. Jo pse deshëm, por sepse na u imponua nga konteksti historik. Si nxënës me përvojë të këtij konteksti, liderët politik të Kosovës i refuzuan të gjitha ofertat e Serbisë për pajtime e marrëveshje historike mes shqiptarëve dhe serbëve sepse e kuptonin qartë që kjo do të bëhej në dëm të Kosovës. Ata gjithashtu e kuptonin edhe një gjë, që për t’u arritur një marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë (dhe jo mes shqiptarëve e serbëve!) duhen plotësuar disa parakushte. Ndërkohë njëri nga këto parakushte është plotësuar, Kosova është shtet i pavarur. Parakushti i dytë, Serbia duhet të pajtohet me këtë fakt, i pëlqeu apo s’i pëlqeu. Kur të pajtohet me këtë fakt, ajo do të pajtohet edhe me historinë duke e arritur kështu pajtimin historik me vetveten.

Kosova do të bisedojë me Serbinë, por ndërkohë konteksti dhe rrethanat kanë ndryshuar. Koha e “marrëveshjeve historike” ka mbaruar me mbarimin e luftës. Në Kosovë është rritur gjenerata e cila nuk ka memorie të luftës dhe për të cilën nuk ka kurrfarë  kuptimi “pajtimi historik mes dy popujve tanë“. Ata ndjehen të lirë dhe janë të liruar edhe nga ngarkesat historike. Letrat vajtuese dhe vetëviktimizuese të presidentëve të Serbisë për ta nuk çojnë kurrfarë peshe. Njohja e këtij realiteti është parakushti i tretë, jo vetëm për Vuçiçin.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.