Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

“Shpella e piratëve” e Markos dhe izolacionizmi i Enver Hoxhës

Intro

“Shpella e piratëve” e Petro Markos është një nga romanet e mija të preferuara. Është një nga ato shajnitë e fëmijërisë që të shoqërojnë edhe kur të jesh rritur. Që nga fëmijëria, këtë roman e kam lexuar shumë herë. Herën e fundit në verën e kaluar kur pata fatin ta vizitoja për herë të parë shpellën e famshme ndanë Dhërmiut, ku ndërtohet strumbullari i fabulës së romanit. Në përgjithësi e quaj veten si adhurues të zjarrtë të të gjithë korpusit krijues të Petro Markos, tek i cili gjej një shkathtësi të rrallë prej letrari që ia del që lexuesit t’ia sjell rrëfimin sikur të ish një film, një ngjarje fluide që rrjedh lehtë dhe parafytyrueshëm.

Në fakt, vetë jeta, dhe jo vetëm vepra, e Petro Markos ka qenë gjithnjë tunduese për mua. Ka pasur një joshje mistike tek ai. Një djalë i ri i bregut të detit, i rritur në Dhërmiun e bukur mes notit në Jon dhe qitrove që tregtonte i ati, Petroja më pas do të shkollohej në Vlorë e në Fakultetin e Letërsisë në Athinë, prej nga u largua për shkak të një grindje me rektorin i cili këmbëngulte se himariotët ishin grekë dhe ishte turp që ai, si himariot që ishte, të bëhej mësues i shqipes.

Që në rini të vet, Petro Markoja do të bëhej pjesë e grupeve ilegale komuniste dhe një nga penat më thumbuese e më të mprehta të shtypit ilegal antizogist. Më pas, i shtyrë nga bindjet politike majtiste, ai do të shkonte si vullnetar – bashkë me nja tri dyzina të rinjsh shqiptarë – për të luftuar në Luftën Civile Spanjolle përkrah forcave republikane antifrankiste. Këtë ndërkohë të të qenit ushtar i Brigadës Internacionale “Garibaldi” do ta pasqyronte më së miri në kryeveprën e tij, “Hasta la Vista”, një nga romanet më të bukur në gjuhën shqipe.

Lufta mbaroi me fitoren e Fransisko Frankos. Republikanët e Petro Markos ishin mposhtur. U kthye në atdhe, por më pas do të arrestohej nga italianët dhe do të internohej në Palermo e Ustika, kujtimet nga e cila periudhë do t’i paraqiste tek “Nata e Ustikës”, një tjetër vepër e arrirë e tij. Pas kapitullimit të Italisë fashiste ai kthehet në Shqipëri dhe fill pas çlirimit u caktua në krye të gazetës “Bashkimi”, por për shkak se nuk ndiqte vijën dogmatike të Partisë ai u burgos në vitet 1947-1950, gjersa pas vitit 1973 iu hoq e drejta e botimit. Këtu nuk do të mirrte fund kalvari i tij. Më 1975 do t’ia arrestonin edhe të birin, Jamarbër Markon.

Ky ishte fati jetësor i një majtisti idealist, i cili asnjëherë nuk u pajtua me linjën staliniste në shoqëri dhe kulturë të Partisë së Punës dhe gjithnjë ngeli një rebel i ri në shpirt, një majtist idealist, bindjet ideologjike të të cilit varionin nga socialdemokracia e gjer tek anarkizmi dhe komunizmi me tipare humaniste, por asnjëherë nuk përfundoi në një dogmat stalinist.

Përgjithësisht, edhe në romanet e tij vërehet një pahitje alternative e të shkruarit, një gjallëri personazhesh, krejt e kundërta e statujave prej allçie që shkrimtarët e tjerë të socrealizmit i ravijëzonin tek personazhet e tyre të ngurta dhe të ndiçme. Tek vepra e Markos shijon një lojë fabuloze, një ndërthurrje ngjarjesh, një vitalitet narracioni dhe jo shabllone ideologjike të partinostit të heronjve të klasës dhe të armiqve të klasës që mësoheshin nga metodika plehanoviane e realizmit socialist e Institutit të Letërsisë “Maksim Gorki”.

Petro Markoja e shkroi “Shpellën e piratëve” në vitin 1964. Kishin kaluar vetëm pak vite që kur Enver Hoxha u prish më Bashkimin Sovjetik të Nikita Hrushovit. Arsyetimi ideologjik e propagandistik i Partisë së Punës? Ne, ndonëse të vegjël, nuk i nënshtrohemi asnjë superfuqie sepse historikisht shqiptarët kanë rezistuar të vetëm dhe sepse ne përfaqësojmë linjën më të pastër të marksizëm-leninizmit. Parulla e kohës: “Hamë bar dhe nuk i shkelim parimet e marksizëm-leninizmit!”

Ndonëse për një lexues të “Shpellës së piratëve” fokusin e merr shtjella e ngjarjes që kryesisht ngjan me një aventurë fëmijërore, kur e sheh më thellë vëren gjurmë të një mesazhi ideologjik, i cili, rastësisht ose jo, përputhet me kryemesazhin ideologjik të kohës – shqiptari i bën ballë edhe (ar)miqve të fuqishëm dhe nuk e ul kokën para tyre. Duke marrë parasysh që Markoja ishte viktimë e atij sistemi dhe kishte një origjinalitet unikal në të shkruar, nuk përjashtohet mundësia që rastësisht mesazhi i “Shpellës së piratëve” të përputhet me kryemesazhin e madh, atë të diktatorit, se Shqipëria është “mes dallgësh shkëmb graniti vigan”, siç këndonte Mentor Xhemaili i madh.

Analysis

– Shembulli I

“Kam lexuar një histori që thoshte se Saraqenët ishin munduar të pushtonin edhe vendin tonë, se ky vend është shumë strategjik, kontrollon gjithë kanalin e Otrantos. Pastaj, ata e panë se ky vend është si kështjellë e pathyeshme dhe po ta pushtonin, do t’i sulmonin më kollaj karavet që kalonin kanalin e Otrantos. Mirëpo këtu gjetën ustanë. Gjetën të parët tanë që nuk i lanë kurrë të hidhnin këmbën mbi këtë truall…” (Marko, “Shpella…”, botim i Rilindjes, 1972, faqe 53)

Episodi më ilustrues ku u manifestua konflikti shqiptaro-sovjetik në vitin 1961 ishte në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit, pak metra larg shpellës ku zhvillohet ngjarja e romanit tonë. Vetë Zhukovi, strategu namëmadh ushtarak dhe ministri sovjetik i Mbrojtjes, e kishte pikasur Karaburunin dhe Pashalimanin si nyjë strategjike për kontrollin e Otrantos dhe, nëpërmes tij, të Adriatikut e Jonit. Madje konflikti u përshkallëzua mu për kontrollin e kësaj bazeje dhe për nëndetëset e saj. Kadareja përmend këtë episod tek “Dimri i vetmisë së madhe”, episod që më pas u ekranizua nëpërmjet filmit “Ballë për ballë” të Kujtim Çashkut.

Por, “këtu gjetën ustanë”. Shtypi shqiptar i kohës u mbush me lavdërime për “ustanë”, Enver Hoxhën, që ua tregoi vendin rusëve. Mu sikurse tek ajo piktura e famshme e Guri Madhit ku Enver Hoxha ngriste gishtin e akuzës në drejtim të Hrushovit dhe “revizionistëve sovjetikë” në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë më 1960.

– Shembulli II

Pakëz më vonë, kur në këto brigje u dukën bojarët dhe vojvodët e car Borisit të Bullgarisë, Gjonbiri u përgjigjet: “T’i thuash carit tënd se nuk e ftoi njeri të vijë këtyre brigjeve. Ai le të qëndrojë atje në brigjet e Detit të Zi dhe të shikojë tokat e tij. Këto brigje kanë zot. Këto brigje janë tonat dhe ne, siç e keni dëgjuar edhe ju, dimë t’i mbrojmë fare mirë. Ashtu na kanë mësuar të parët tanë… Andaj të kthehet me të mirë andej nga ka ardhur dhe të mbledhë ushtarët e tij…” (Marko, po aty, f. 85)

Gjonbiri ishte djalë i Gjonbabës dhe vazhdues politik i rezistencës së tij. A nuk e shihte Enver Hoxha veten si vëllamë e pasardhës politik të Skënderbeut? A nuk besonte Enveri se po i rezitonte Hrushovit sikurse Skënderbeu dikur sulltanëve? A nuk këndohej kënga “plot pesë shekuj nëna priti, Skëndërbeut një vëlla ia rriti”?

Në po të njëjtën faqe, dërgata e car Borisit i hakërrehej Gjonbirit se po u prishën me carin, “lumi Tuna tërbohet dhe Malet e Ballkanit nxijnë”. Tek libri i tij “Hrushovianët”, Enver Hoxha dëshmon se si kërcënohej nga Kozlovi, një nga sekretarët e Komitetit Qendror të PKBS-së, se “mjafton një bombë atomike të hidhet nga amerikanët dhe e shuan fare Shqipërinë dhe popullsinë e saj”.

Tipar i tretë dallues është hakërrimi: kthehuni në Detin e Zi. Bashkimi Sovjetik të vetmen dalje në ujëra të ngrohta e kishte përmes Detit të Zi dhe në pranverën e vitit 1961 rusët ikën nga Pashalimani për në Detin e Zi.

– Shembulli III

“Qoftë i mallkuar ai që do të jetojë duke lënë vëndin të shkelet nga këmba e huaj!… Kur të hedhësh sytë nga malet tona, kujto se ato janë streha dhe kalaja jonë shekullore! Ato janë miku ynë besnik. Dhe kur hedhësh sytë nga deti, kujto se në valët e tij janë shtrirë kokallat e gjyshit tënd dhe të babait tënd! Mbrojeni detin tonë dhe gjithnjë fytyrën e mbani drejt tij me krenari, se është deti ynë, është jeta jonë!” (Marko, po aty, f. 90-91)

Sërish elemente romantike në përshkrimin e rëndësisë së mbrojtjes së detit dhe të tokës, shoqëruar me stilema tipike të kohës, si “kala shekullore”. Kur e kontekstualizon kohën kur është shkruar romani, pa dyshim që ndjen shijen e analogjisë me konfliktin që Shqipëria sapo kishte pasur me sovjetikët rreth Pashalimanit.

– Shembulli IV

“O Shpellë! O llogorja jonë! O vatër dhe varri ynë! Me gjithë forcën e zërit të të gjithë këtyre trimave që ranë këtu, me gjithë forcën e dashurisë që lindi dhe mbaroi këtu, thirri “Ndal!” atij që do të shkelë këtu. Në qoftë bir i këtij vendi, lejoje! Në qoftë pirat, shtype si krimb me urrejtjen tonë!” (Marko, po aty, f. 104)

Përpos terminologjisë luftarake që karakterizonte diskursin socialist në politikën shqiptare të kohës (“llogore”) dhe stilemave romantike (“vatra”, “varri”), ndjehet edhe elementi nacionalist i refuzimit të piratëve që synojnë detin dhe bregdetin shqiptar – qofshin piratë të lashtësisë, qoshin “piratët” bashkëkohorë që synonin gllabërimin e bazave detare shqiptare.

– Shembulli V

“Mësimi më i madh historik i kësaj shpelle është ky: piratët ose çdo lloj shkelësi që të hyn në shtëpi dhe pastaj shtëpinë tënde e përdor si istikam sulmi për shtëpitë e tjera, duhen luftuar me çdo kusht, gjer në asgjësimin e tyre, ashtu siç bënë Gjonbaba, Gjonbiri dhe Gjonipi…” (Marko, po aty, f. 114)

Tek libri i tij “Hrushovianët” – paçka se i shkruar vite më vonë, idetë e librit mund të haseshin që në kohën e prishjes me sovjetikët – Enver Hoxha kujton reagimin e tij rreth idesë së Hrushovit dhe mareshal Malinovskit mbi shfrytëzimin e brigjeve të Jonit për baza të reja detare: “M’u drodh mishi kur i dëgjoja të flitnin kështu si zotër të deteve, të vendeve, të popujve. Jo, Nikita Hrushov, thashë me vete, kurrë s’do të të lejojmë që nga toka jonë të nisë robëria dhe gjakderdhja e vendeve dhe e popujve të tjerë. Kurrë ti s’do t’i kesh të tuat për ato qëllime të zeza as Butrintin, as Vlorën, asnjë gisht të tokës shqiptare.”

Narrativa është pothuajsë identike.

– Shembulli VI

Kur fëmijët e ekspeditës “Delfini i Pionierëve” u futën në shpellë, në Kishën e Shpellës e gjetën një kafkë. Loloja, “kapedani” i tyre, i drejtohet kafkës me këto fjalë: “Fol, o stërgjyshi ynë!… Kundër kujt luftove? A më dëgjon? Të flas unë, një pionier i Republikës Popullore të Shqipërisë. Ti dhe shpirt këtu brënda në errësirë, se vendi yt atëhere ishte në luftë me piratët… Tani s’ka më piratë vendi ynë. Tani jemi bërë të zotërit e vendit tonë… Po, o luftëtar i kohëve të lashta, edhe gjyshërit tanë, edhe prindërit tanë e ndoqën me besnikëri gjer në vdekje rrugën tuaj të heroizmave për liri kundër çdo pirati…” (Marko, po aty, f. 122)

Në asnjë nga shembujt e lartcekur nuk del më qartë se këtu mesazhi i paraleles së luftërave të shpellarëve mesjetarë arbërorë dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës. Madje, krejt hapur përmendet Republika Popullore dhe sheshit lihet të kuptohet se “piratët” modernë i shporrëm.

Përmbyllje

Natyrisht, nuk është për t’u kritikuar shpirti patriotik në librat për fëmijë. Mbase kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme në edukimin e brezave të rinj. Për rrjedhojë, kjo ese nuk mund të lexohet si sulm ndaj romanit të Markos. Përkundrazi, “Shpella e piratëve” ngel romani im i preferuar. Ideja është të nxirren paralele mes narrativës zyrtare të kohës rreth prishjes me sovjetikët dhe elementeve – herë të fshehura e herë të qarta – të krahasimit të madhështisë e lavdisë së lashtë me “heroizmat” e udhëheqësve modernë, “kapedanit” të kohës, liderit absolut, Enver Hoxhës. Poashtu, ideja është të lexohen mes rreshtash shkarkitë e izolacionizmit: edhe në kohën e Gjonbabës, Gjonbirit e Gjonipit ngelëm vetë, por parimorë.

Kjo nuk ia ul vlerat artistike “Shpellës së piratëve” dhe as veprës së Markos në përgjithësi, sikundërqë kjo nuk ia mohon Markos pakorruptueshmërinë letrare, i cili gjer në fund ruajti me fanatizëm origjinalitetin e penës së vet dhe pacenueshmërinë e saj nga banalizimet socrealiste. Vetëm ilustron ndikimet politike – qofshin edhe të pavetëdijshme – në letërsinë e kohës.

Edhe romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë – madje që në titull – të ndërmend propagandën e sistemit se Shqipëria ish një kështjellë e pathyeshme përkundrejt sulmeve nga superfuqitë. Por, fakti që “Kështjella” u shkrua më 1970, pothuajse një dekadë pas çarjes shqiptaro-sovjetike, bëri që theksi i esesë sime të binte mu tek “Shpella e piratëve” që u shkrua pak kohë pas kësaj çarjeje. Edhe fakti që është roman për fëmijë dhe analogjitë e metaforat janë më të fshehura, e bëri më tunduese për mua që t’i kërkoja e gjurmoja ato mu tek ky roman.

Ndonëse tek “Shpella e piratëve” hasen këto elemente e analogji, Markoja asnjëherë nuk e humbi unikalitetin dhe i rezistoi presionit për të shkruar për stahanovitët e Lej Fenët e emulacionit socialist dhe ngeli një antikonformist i pashoq. Mbase, edhe për atë arsye diktatura asnjëherë nuk i zuri besë dhe ia mori të drejtën e botimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.