Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Të jetuarit me ankthin e tragjedisë (I)

Tragjeditë mund të na shoqërojnë në vazhdimësi. Nga to ka gjasa të shkallmohen rëndë të tëra politika, entitete kulturore dhe struktura sociale të cilat njerëzit mund t’i marrin si të mirëqena dhe të përbotshme. Nga pasojat që ato krijojnë shpesh herë ndryshon kahja dhe trajektorja e historisë së njerëzve dhe njerëzimit. Potencialet rrënuese të tragjedive mund të jenë të paparashikueshme. Siç dihet,edhe dukuritë natyrore – si tërmetet, shpërthimet vullkanike, përmbytjet masive etj. – mund të shkaktojnë vdekje, rrënime, shkatërrime. Mirëpo, dallimi është se këto të fundit janë produkt i ligjeve të natyrës – “trilleve” të saj – kurse tragjeditë manifestohen kryesisht si rezultat i aksioneve, reaksioneve, konflikteve, pasioneve dhe zemërimeve njerëzore. Rivalitetet etnike, luftërat civile apo tensionet religjioze janë vetëm disa nga format më brutale ku tragjeditë shfaqen me tërë ashpërsinë e tyre.

Historia ka dëshmuar se sa më pak që njerëzit e kanë parandier mundësinë e një tragjedie, aq më të mëdha kanë qenë gjasat për erupsionin e tyre. Andaj, ky “mallkim” thuajse nuk u është shqitur njerëzve që nga antikiteti deri në ditët e sotme. Të pushtuar nga optimizmi, “naiviteti”, shpresa dhe besimi historik për kohën në të cilën qenësojnë, shoqëritë ka gjasa që në përgjithësi t’i kushtojnë pak vëmendje dimensionit tragjik të jetës njerëzore.

Këtë sens të jetuarit në “fundin e kohërave” askush nuk e kishte deshifruar më mirë se sa shkrimtari i njohur austriak, me origjinë hebraike, Stefan Cvajg [Stefan Zweig]. Në librin e tij sa autobiografik po ashtu edhe historik “Bota e Djeshme” ai tregon për falsitetin e një optimizmi të tillë dhe rreziqet e tij. Duke e përshkruar atmosferën psikologjike, sociale e politike në kontinentin evropian para Luftës së Parë Botërore, ky shkrimtar nuk nguron ta quajë këtë model si “epoka e artë e sigurisë”. Siç dihet këtu është fjala për rendin ndërkombëtar të inauguruar dhe administruar nga “Koncerti i Evropës”. E kjo ndjenjë sigurie, pohon Cvajgu, u bë thesari më i çmuar i miliona njerëzve – ideali i përbashkët i jetës së tyre. Pra, pas një paqe relativisht të gjatë dhe progresi konstant të njerëzimit, “askush nuk besonte në luftëra, në revolucione në përmbysje. Çdo gjë e skajshme, çdo veprim i dhunshëm dukej si diçka thuajse e pamundur në një epokë ku sundonte arsyeja”, shprehej me kokëfortësi ky autor.

Mirëpo, shpërthimi i “beftë” i Luftës së Parë Botërore dhe tragjeditë e panumërta që solli ajo, duke shkatërruar jetën e miliona njerëzve, tregoi se sa të pabaza ishin iluzione të tilla. Pikërisht në kohën kur as që mund të imagjinohej një katrahurë e tillë për botën, me një lehtësi të padurueshme “kuajt e murrëtyer të apokalipsit” u vërsulen kundër njerëzimit. Paradoksalisht rrënimi i një bote që kishte ekzistuar deri atëherë, u bë me anë të një luftë, që mendohej se “do t’i përfundonte të gjitha luftërat”. Një tjetër përvijim i vagullt ky që nuk do të kalonte shumë kohë për t’u vërtetuar se sa naiv ishte.

Mjerisht, kjo neglizhencë mbi tragjeditë e kaluara, nuk ka lënë pa “infektuar” as sot qytetarët dhe shtetet e rendit demokratik liberal. Në këtë drejtim, doktrina filozofike e teoricienit të njohur amerikan Francis Fukujama [Francis Fukuyama], mbi “Fundin e Historisë dhe Njeriun e Fundit”, u shndërrua në burim të këtij optimizmi historik. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ky mendimtar do ta anticipoi tezën e tij famoze mbi finalizimin e evolucionit historik dhe ideologjik të njerëzimit, sipas së cilës, demokracia liberale kumtohej si forma përfundimtare e këtij rrugëtimi historik dhe teleologjik. Kështu me triumfin e këtij modeli teorik dhe politik plotësohej edhe kërkesa e “agjencit antropogjentik” hegelian për barazi ndërnjerëzore. E sipas kësaj teze, ky shtytës “psiko-politik”, kishte qenë përgjegjës për nxitjen e luftërave të përgjakshme dhe tragjedive të panumërta në kërkim të pranimit universal human. Mirëpo, me paqtimin e tij jetësohej vizoni i pajtimit racionalist dhe kështu merrnin fund ankthet e gjata të historisë.Masivizimi i këtij botëkuptimi, sipas Derek Barker në librin e tij “Tragjedia dhe Shtetësia: Konflikti, Pajtimi dhe Demokracia nga Haemon-itek Hegeli”(Tragedy and Citizenship: Conflict, Reconcilation, and Democracy from Haemon to Hegel), do të konsiderohet “përgjegjës” për triumfin e sensit kolektiv post-historik, që e kërkon shëmbëllimin në domenin e “lirisë dhe sigurisë private borgjeze”. Rrjedhimisht strehimi nën çatinë e kësaj ngrehine i pasivizon edhe potencialet e aktivizimit qytetar publik. Prandaj, në antinomi me këtë ngurosje personale, Breker e afirmon pikëpamjen se pikërisht gjallërimi i asaj fryme publike që pulson nga dimensioni tragjik i jetës politike mund të shërbejë si mundësi për rienergjizim e kulturës aktive qytetare, me qëllim mirëmbajtjen e dinamizmit të demokracisë.

Kjo traditë e gërshetimit të kulturës dramaturgjike tragjike dhe realiteteve sociale dhe politike daton që nga koha e Arsitotelit. Kurse, filozofi i njohur gjerman Jurgen Haberams [Jürgen Habermas] në librin e tij “Kriza e Legjitimimit” (Legitimation Crisis) konstaton se kjo ndërthurje ka karakter inherent në estetikën klasike. Ndërkaq, përsiatje të tilla mbi raportin ndërmjet ndjeshmërive artistike dhe jetës politike, në botën shqiptare, i ka artikuluar teoricieni i njohur i kulturës shqiptare Ibrahim Rugova në librin e tij “Refuzimi Estetik”. Sipas këtij kritiku letrar, pikërisht sarkazma, satira, grotesku, apo ironia do të mund të shërbejnë si “armë shpirtërore” në afirmimin e potencialeve të lirisë njerëzore dhe refuzimin kulturor ndaj sistemeve represive. Por, pse Rugova nuk ishte fokusuar në këtë libër edhe në kategorinë e tragjedisë sikur se në gjinitë tjera artistike të sipërcekura dhe çfarë implikime politike mund të ketë një përcaktim i tillë, është një pyetje që do të mund të trajtohet në një shkrim tjetër, sepse i tejkalon caqet e këtij elaborimi.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.