Vazhdim i pjesës së parë
Ilustrimi: Big Eye
Përmes “LIFT: Slobodan shou” shpjegohet mjaft mire trajektorja e angazhimit të një pjese të madhe të elitës artistike në Sërbi, jo vetëm gjatë viteve të 90-ta, por edhe tani, për t’i shërbyer pushtetit dhe politikave nacionaliste, të cilat janë akoma dominuese. Filozofi Boris Buden e thotë me të drejtë: “Tash e mbi tridhjetë vjet, nacionalizmi serb, qartazi në dëm të popullit të vet, në mënyrë të vendosur dhe pakonkurencë formëson realitetin politik dhe kulturor të këtij vendi [Serbisë – vërejtje e autorit të shkrimit]” (Boris Buden, Društva / Zajednička čitaonica #5, Krokodil, 2020).
as a “LIFT: Slobodan shou” është bisht i një ideologjie që i ka shërbyer luftënxitjes dhe prodhimit të urrejtjes. Për fat të keq, shfaqje si kjo janë krijuar përgjatë krejt të 90-tave dhe vazhdojnë të krijohen edhe sot, natyrisht jo vetëm në Serbi. Për fat, shumica nuk tërheqin ndonjë vëmendje publike, por që vazhdojnë ta helmojnë publikun kudo shfaqen. Si pasojë, në këtë rajon prodhohen turma luftënxitëse, të cilat vazhdojnë të vuajnë prej etheve të nacionalizmit.
Photo Credits: Valdrin Xhemaj, EPA
Në të njëjtën kohë, prodhimet e këtilla dëshmojnë se beteja kulturore e artistëve të “kampit tjetër” – e atyre me qasje liberale dhe që janë kritikë ndaj luftës dhe politikave shoviniste është tejet e vështirë. Madje ajo betejë zhvillohet nën kërcënim të vazhdueshëm nga politika. Kur themi “kampi tjetër” kemi fjalën për dhjetra e qindra artistë e intelektualë serbë, të cilët që nga vitet e 90-ta, përpiqen të dëshmojnë përgjegjësinë e shtetit serb për luftrat e të 90-tave, përgjegjësinë e Millosheviqit dhe domosdoshmërinë e Serbisë për t’u ballafaquar me të kaluarën e me trashëgiminë e saj kriminale.
Me dekada të tëra në Serbi ka pasur zëra të fuqishëm opozitarë në njërin pol, e në polin tjetër artistë oportunistë që kanë flirtuar me nacionalizmin saherë u është dhënë mundësia. “Lufta është në modë. Dëshmitë e tmerrshme, të vdekurit, dhe kiçi patriotik” – thoshte dramaturgia dhe intelektualja e mirënjohur Borka Paviqeviq qysh në fillim të 90-tave. Asokohe ajo krijoi Qendrën për Dekontaminim Kulturor, një bastion kulturor e intelektual që i kundërvihej nacionalizmit serb dhe që përpiqej të frenonte ethet e luftës që kishin kapluar Serbinë. Deri në frymën e fundit më 2019, Paviqeviqi luftoi denjësisht për të drejtat e njeriut dhe ishte një opozitare e fuqishme, progresiste dhe e hapur ndaj bashkëpunimeve kulturore mes shteve të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Pas vdekjes së saj, Boris Budeni do të shkruante: “Askush nuk mund të kundërshtojë që jeta e Borka Paviqieviqit ka pasur kuptim politik. Shumë madje pajtohen që ai kuptim nuk mund të reduktohet në figurën e aktivistes së vetmuar kulturore nga margjinat shoqërore, e cila heroikisht i reziston pushteteve jodemokratike dhe shumicës që e mbështet atë pushtet. Borka Paviqeviq ka qenë më tepër se aq. Ajo ka qenë pjesë e diçkaje më të madhe dhe më jetëgjatë sesa vet ajo.” (Buden, Društva / Zajednička čitaonica #5).
Pos Borka Paviqeviqit ka pasur dhe natyrisht ka shumë artistë e intelektualë të tjerë që kanë pasur dhe kanë pozicione e qëndrime të qarta ndaj të së kaluarës, ndaj rolit të Serbisë në luftë dhe ndaj Millosheviqit. Mes tyre, shquhet shkrimtari Vladimir Arsenijeviqi dhe njëri ndër themeluesit e festivalit “Krokodil” në Beograd, Biljana Srbljanoviq – dramaturge e njohur dhe aktiviste e pashoq e të drejtave të njeriut; Tomislav Markoviq – shkrimtar dhe gazetar i pakompromis, Sasha Iliq – shkrimtar i shtypur nga regjimi autoritar në Beograd dhe një ndër promovuesit e bashkëpunimit kulturor Kosovë-Sërbi, Zlatko Pakoviq – gazetar e regjisor i guximshëm, Millosh Zhivanoviq – poet i shkëlqyeshëm anti-qeveritar… e shumë e shumë të tjerë. Në shfaqjen “Enciklopedia e të gjallëve” – një bashkëpunim teatror i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe Qendrës për Dekontaminim Kulturor nga Beogradi, Pakoviqi denoncon pa pardon politikat nacionaliste dhe krimet e Serbisë dhe thërret për denacifikim të Serbisë.
Prandaj, peisazhi i pasluftës i rajonit nuk është aq i errët. Janë realizuar mes artistëve serbë e shqiptarë dhjetra iniciativa të shkëlqyeshme kulturore, të cilat kanë kontribuar në ndërtimin e paqes mes dy popujve, në krijimin e një klime më tolerante dhe përgjithesisht emancipimin social e politik të shoqërive shqiptare e serbe.
Ndër to qe edhe botimi i dy antologjive letrare në Kosovë e në Serbi. Kishin kaluar gati mbi njëzet vjet qëkur në Serbi nuk ishte botuar pothuajse asnjë libër i ndonjë autori shqiptar. Pak a shumë ashtu ishte edhe në Kosovë, ku botimi e përkthimi i librave nga gjuha serbe ishte tabu. Në vitin 2011 Qendra Multimedia botoi një antologji të prozës së re serbe me titull “Nga Beogradi, me dashuri”. Histeria e nacionalistëve në Kosovë ishte aty, siç ka qenë vazhdimisht për më shumë se njëzet vjet, duke bërë roje. Refuzimi publik (madje edhe nga disa shkrimtarë) i diçkaje që do të duhej të përbënte aktin më civilizues ishte befasues, i paparashikueshëm dhe dëshpërues.
Njëkohësisht me botimin e librit në Kosovë, në Serbi Sasha Iliqi dhe grupi letrar Beton botoi një antologji të letërisë së re të Kosovës me titull “Nga Prishtina, me dashuri”. Reagimet e publikut në Serbi, duhet thënë, ishin më optimiste, edhe për faktin se kureshtja ishte më e madhe – për një letërsi për të cilën ata nuk kishin fare dijeni se si shkruhej dhe me çfarë temash preokupohej.
Nga ajo kohë, janë përkthyer e botuar në të dy vendet dhjetra libra të tjerë. Janë realizuar edhe disa projekte të rëndësishme teatrore, ekspozita e koncerte muzikore. Ndër shfaqjet e rëndësishme, të realizuara si rezultat i këtij dialogu kulturor të nisur nga shoqëria civile e nga artistët, janë “Patriotic Hypermarket”, “Romeo e Xhulieta” e “Enciklopedia e të gjallëve”. Por, natyrisht se ka edhe shumë nisma të tjera, më të mëdha apo me të vogla, por të gjitha me peshë dhe me ndikim të kënaqshëm në të dyja vendet.
Trumpetat e nacionalistëve të verbër kanë jehuar vazhdimisht në kundërshtim të këtyre nismave. Në Beograd, në disa raste, kundërshtimet kanë qenë madje edhe të dhunshme. Dhe derisa qarkullimi kulturor mes Kosovës e Serbisë për shkak të presionit të nacionalistëve e të politikanëve shpesh ka hasur në gozhdë, ai mes vendeve të tjera të ish Jugosllavisë duket se është më në binarë dhe rrjedh pak më normalisht. Në cilindo rast, sfidat janë akoma aty dhe ato nuk duhet nënvlerësuar.
Pjesa më e madhe e politikanëve nuk janë të interesuar për ndonjë bashkëpunim – për kurrfarë bashkëpunimi që do të mund të sillte normalitet e paqe afatgjate. Sepse alarmi i kurdisur i emergjencës kombëtare për shkak të ndonjë sulmi nga brenda apo nga jashtë u shërben për të mbajtur vëmendjen e publikut larg problemeve reale me të cilat ballafaqohen vendet e rajonit: varfëria, korrupsioni, gjendja e mjerueshme e institucioneve, krimi i organizuar etj.
Gjithnjë e më shumë njerëz në Kosovë, Serbi e në rajon kanë filluar ta kuptojnë se armiku i tyre nuk janë serbët, apo shqiptarët, apo kroatët, porse armiku i tyre i përbashkët janë kastat e korruptuara politike, nacionalistët e zotët e dikurshëm të luftës, të cilët për t’i ruajtur privilegjet e luftës e të pasluftës, insistojnë t’i mbajnë njerëzit të frikësuar e të nënshtruar.
Por, siç e thamë tashmë, nuk janë vetëm politikanët, janë edhe plot mendje të ndryshkura mes të ashtuquajturave elita intelektuale e artistike, që paqes së brishtë i rrinë mbi kokë si gogol, duke provuar ta trembin e ta zhbëjnë. Këta janë produkti më unik që ka mundur të prodhojë politika hegjemoniste, afshi nacionalist e pasioni i shkatërrimit të të 90-tave.
Filozofi francez Claude Lefort kur fliste për transformimet e mëdha ideologjike që kishin ndodhur e po ndodhnin pas rënies së komunizmit, fuqizimin e nacionalizmit serb e shihte të lidhur me komunizmin: “Situata e tanishme tregon se sa i vështirë është kalimi nga sundimi totalitar në demokraci. Komunizmi e ka copëtuar në tërësi, më shumë se ç’mund të merrej me mend, indin shoqëror. Ai la mbrapa vetes, veç rrënimeve materiale, frikën, mosbesimin, shprehinë e nënshtrimit, mosnjohjen e ligjit dhe mospërgjegjësinë individuale. […] Si mund të dyshohet se ky nacionalizëm, në formën e acaruar që ka marrë në Serbi, nuk është një trashëgimi e komunizmit” (Lefort, 1993).
Tani, kur kanë kaluar mbi 30 vite nga rënia e komunizmit, nuk duket fort bindës argumenti që e gjithë kjo çmenduri që ka prodhuar ky rajon duhet t’i faturohet komunizmit. Ajo çfarë mund të thuhet me siguri është se nacionalizmi në këto anë ka pasur plot burime frymëzimi. Historikisht, ky duket ka qenë një territor i kollajshëm, madje i plleshëm për nacionalizmin.
Megjithëkëtë, cila është rrugëdalja prej kësaj gremine? Vështirë të thuhet. Intensifikimi i shkëmbimeve kulturore në rajon, instalimi i një pikëpamjeje kritike ndaj të së kaluarës dhe të tashmës dhe eventualisht ardhja e kastave të reja politike, më mendjehapura, më progresiste e më të emancipuara, janë disa hapa që mund ta ndryshojnë fatin e këtij rajoni të trazuar.
Sido që të jetë, ndryshimi i kursit të së ardhmës së rajonit lidhet bukur shumë me Serbinë. Ashtu siç ka qenë burim dhe eksportuese e krizave, Serbia përbën edhe potencialin kryesor prej nga me kohë do të mund të buronte paqja dhe prosperiteti në rajon. Por, se a do të mund të çlirohet Serbia prej fantazmave të së shkuarës, kjo është një pyetje e vështirë. Peisazhi aktual politik në Serbi, me një lider autokrat si Aleksandër Vuçiqi, një ish shërbëtor i Millosheviqit, nuk lë shumë hapësirë për optimizëm. Zërat kritikë atje vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të dobët dhe gjithnjë e më të pakët. Shoqëria civile sa vjen e tkurret dhe koncepti i “mediave të pavarura” duket krejtësisht i huaj. Edhe më keq qëndron gjendja në skenën kulturore, e cila është nënshtruar pothuajse tërësisht. Ata pak krijues që rezistojnë, kanë ngelur si zëra të vetmuar në shkretëtirë…
Për fund, të tilla shfaqje si “LIFT: Slobodan shou” mbase do të shohim në Sërbi edhe në vitet e ardhshme. Madje, nuk do të befasohesha nëse në to Millosheviqi do të pershkruhej si hero, që përpiqet t’i ndalojë luftërat e të 90-tave në ish Jugosllavi!!!
Ky rajon është mësuar të luaj poker, jo vetëm me të tashmen, por edhe me të kaluarën.
***fund
Ky artikull është prodhuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Sbunker dhe forumZFD Kosovë.
Read the article in English.