Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

The Handke Project – të deligjitimosh legjitimuesit

Akti i dytë i ngjanë një prologu hyjnor, apo një rrëfimi biblik ku djalli ia kujton zgjuarsinë dhe përjetësinë njeriut. Dialogu zhvillohet midis Piter Handkes (Peter Handke) dhe Xhozef Gëbells (Joseph Göbbels), mes një mohuesi të gjenocidit dhe një arkitekti propagandues të gjenocidit. Të përbashkët e kanë fjalën, fiksionin dhe zhvendosjen e realitetit. Handke merr mësime nga  Gëbells. Ata flasin për relativitetin e numrave. Relativitetin e zerove. Gjithçka mbi 100 hipotetizohet, relativizohet, zvenitet dhe harrohet. Mistifikimi,  turbullimi dhe fshehja e faktit bëhet nga zerot e shumta. Konspirimi fillon me zero. Këtë mjeshtëri Handkes ia mëson “djalli” i trupëzuar në Gëbellsin përgjatë një bisede, në fakt përgjatë një monologu. Mjeshtëria është të ngjallësh dyshimin e më pastaj ta mbulosh, transformosh dhe unifikosh si të vërtetë. Kjo skenë më goditi fuqishëm. Gjithçka më pas sillet rreth së vërtetës që shpërfaqi ky dialog. Konspirimi, pra, fillon nga zerot e shumta. Tendenca është e qartë: njerëzimi duhet të çlirohet nga empatia dhe emocioni dhe masakrën ta shohë si progres modern, të shkoqitur nga emocionet. Thjesht statistikë. Kjo është tamam fashizëm. Çdo fashizëm fillon me dehumanizim.

Premiera e “The Handke Project”, që u dha në Teatrin Oda, filloi në mënyrë krejt të beftë dhe pa ndonjë pritje sensacionale. Në shfaqje luajnë: Arben Bajraktaraj (FR) Elja Bavcic (BiH), Adrian Morina (RKS), Klaus Mertini (IT), Verona Hoxha (RKS) dhe Anja Drljevic (MNE). Arben Bajraktaraj tërhoqi vëmendjen me fotografinë në skenë. Fotografia është element filmik, megjithatë Arbeni arrinte ta shfaqte atë përmes heshtjes, palëvizshmërisë dhe qetësisë. Adrian Morina gjallëroi publikun me dialogun që nisi me të. Zbritja e Eljas në skenë në formë të deus ex machina duke tërhequr vëmendjen përmes përgjigjes se as a “Arti duhet të jetë i lirë, të shtrojë pyetje… A ka ndodhur Srebrenica? A ka ndodhur Holokausti…? Se pyetjet që shtron arti janë të sinqerta… Për shembull, mua gjithnjë më ka interesuar ta di, përse kritikët e artit nuk flasin për pikturat e Hitlerit? Çfarë lidhje ka kush i ka pikturuar, nëse ato kanë vlera artistike, na e pasurojnë shpirtin...?”. Ky citat i saj paralajmëroi publikun për temën dhe subjektin themelor të shfaqjes. A mund krijuesi të shkoqitet dhe tëhuajësohet nga vepra e tij, dhe estetika a është pjesë e etikës?! Adrian Morina i dha emocione të përziera audiencës. Duke parodizuar arriti të ngërthente mirë cinizmin dhe satirën për të krijuar një efekt zhgënjimi emocional autodisfatist tek shikuesi.

Image

Handke është shkrimtar, novelist, poet, skenarist dhe dramaturg austriak. U lind nga një baba gjerman dhe nënë sllovene. Më vitin 2019 vepra e tij artistike u çmua nga Akademia Suedeze dhe fitoi çmimin Nobel. Pikërisht ky çmim shpërfaqi kundërthënien e tij. Ai, përkundër fakteve të dokumentuara të krimeve të forcave serbe në ish-Jugosllavi dhe gjykimin e Slobodan Milosheviqit në Hagë, ishte mbështetës i pakompromis i tij. Për më tepër, ai mori pjesë në funeralin e Millosheviqit ku edhe mbajti fjalim. Aty, ai i drejtohej masës se “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është këtu “afër Millosheviqit, pranë Serbisë”. Elozhet për popullin dhe liderët serbë, përpjekja e tij për mohimin dhe përmbysjen e fakteve të masakrave të kryera nga serbët në ish Jugosllavi, sidomos mohimi i masakrës së Srebrenicës si një spekulim dhe konspirim ndërkombëtar dhe i kryer nga vetë boshnjakët, e vuri në qendër të kritikave të ashpra, madje duke u quajtur “përbindësh ideologjik”.

Theksi kritik i shfaqjes është në linjën e mendimtarëve dhe intelektualëve europianë. Kritika ka të bëjë me qëndrimet politike të Handkes që mbulohen e mbështeten nga një ngrehinë e madhe e artit letrar. “The Handke Project” i kundërvihet Handkes me gjuhën e artit dramatik, skenën dhe estezisin si formë provokimi emocional për të reflektuar racionalisht. Ajo ngre pyetjen më themelore: kujt i shërben arti? Të bukurës dhe së mirës, apo manipulimit dhe propagandës? A mund që arti të shndërrohet në mjet propagande? Artisti, në sajë të gjoja paprekshmërisë së tij prej krijuesi, a mund të imponojë devijimet dhe fashimzat e tij si të gjithpranueshme dhe universale?

Regjisorja Blerta Neziraj, për më tepër se kaq, ngre një pyetje thelbësore postmoderne të Liotarit [Lyotard]: kush legjitimon legjitimuesit? Shfaqja refuzon autoritetin estetik të Nobelit dhe poshtëron legjitimitetin e tij politik. Për më tepër, i gjithë strumbullari i mbishtresuar i këtij autoriteti i përngjet një dehjeje dhe orgjie seksuale. Kurse seksi orgjik shfaqet si deluzor që e zhvendosë esëllinë drejt një ambienti të turbullt, madje edhe sarkastik, e që vullneton drejt vdekjes. Kjo më së miri është portretizuar me personazhin e Zhanit [Jean-Claude Arnaut] i cili të gjithë autoritetin e Nobelit e rrëzon në uljen e brekëve të vajzave të reja dhe zoofili. Shfaqja kritikon paradigmën europiane si entropike dhe e devijuar nga parimet që i kishte vënë vetes disa shekuj më herët me rastin e “shpikjes” së qytetërimit perëndimor, por që tashmë i rregjur, i zvenitur dhe në vend të mbrojtjes së maksimës së humanizmit kërkon të shpëtojë veten duke mbuluar skandalin me skandal. Shfaqja, përpos Handkes, përpiqet t’i deligjitmojë legjitimuesit e Handkes. Ai nuk do ishte i tillë po të mos i ishin dhënë tituj ndërkombëtarë, aq më tepër Nobeli.

E gjithë loja u bë në një skenë minimale, të pandryshueshme, por me përplot simbolika dhe thellësi semantike. Qeskat e najllonit në kokat e aktorëve simbolizonin mohimin gjenocidal të Handkes si ngufatje në një realitet të mynxyrshëm, ndërsa filxhanët e kafesë si simbolika skalitëse që pllakosë vrasjen e 8 mijë njerëzve në Serbrenicë. “Where have you been” quhej ekspozita e Aida Shehoviqit, e cila në shenjë kujtimi të 8,372 viktimave mbushi poaq filxhanë me kafe. Vëmendje tërqohi djali me pamje vajzeje që skijonte, me fytyrë të krejtësisht parajsore, fytyrë ku bashkohet bukuria e femrës dhe mashkullit, mu si bukuria e Zotit. Në fund të shfaqjes e morëm vesh se ai ishte Nermini, djali i Ramos i cili e thërristeNermineee! Ajte Dolamo! Ja sam dolamooo!!! Ngjarje e njohur për pabesinë e ushtarëve serbë që masakruan, ndër të tjerë, edhe Ramën e Nerminin. Arti i hiperbolizon gjërat: të zakonshmet i zmadhon për të na mundësuar të rrokim të jashtëzakonshmen. Vdekja në tjetrin duket e zakonshme por empatia, e ndjerë përmes introspeksionit, është e jashtëzakonshme. Shfaqja na kujton vdekjen edhe si çlirim. Ikja e Nerminit nga orteku i madh simbolizon përpëlitjen njerëzore për t’i shpëtuar vdekjes, paçka se vdekja në vete mund të jetë e bardhë; ajo mund të jetë çlirim nga bota; shpëtim nga brutaliteti i skajshëm i një agonie të stërzgjatur të quajtur Jetë, drejt një tjetre jo doemos më të mirë, por drejt një bote ku nuk ka dhembje dhe nuk vdiset më. Hiperbolizimi në shfaqje është thirrje. Ajo përdoret në funksion të sipërmasimit të empatisë me viktimat dhe vetëdijes së mllefosur ndaj agresorit dhe mbështetësve të tij.

Neziraj është kundër fashizmit. Ai është kundër letërsisë që e përkëdhel fashizmin apo shndërrohet në një “Kalë Troje” për publikun e gjerë. Handke është sa produkt rrethanor, aq edhe ogur i keq që ka filluar ta trazojë Europën rishtazi. Jeton Neziraj në “The Handke Project” thotë:

“Handke është pjellë e kësaj kohe të cilën po e jetojmë. Ai nuk është aksident, nuk është një lindje e shkuar gabimisht, a një fëmijë i lazdruar. Ai është produkt i ksenofobisë e fashizmit në rritje, i racizmit, i sentimentit anti-musliman e anti-refugjat që po lëshon rrënjë në Evropë. Ai është produkt i një turme që ka ngrehur shpatat për një kryqëzatë të re.”

Image

Është e vështirë të shpjegohet se si një laureat i çmimeve ndërkombëtare mund të jetë pre e turmave. Ksenofobia dhe fashizmi janë produkte të një vulgarizimi dhe devijimi teorik mbi “tjetrin”. Përceptimi dhe formësimi i ‘tjetrit’ është produkt i asaj që njeriu urren tek vetja. Urrejta e vetes në vete, por që parapëlqen këtë “vete” t’ia plasojë tjetrit dhe ta urrejë atë në vend të vetes. Kështu kanë funksionuar edhe kryqëzatat të cilat i përmend Neziraj: mbi frymëzime kalorsiake të përndjekjes së tjetrit deri në çlirimin e tokave të premtuara. Në sensin artistik, Neziraj ka marrë pozicion dhe përmes artit, ai nuk e lë publikun të vendosë apo të hamendësojë në lidhje me Handken. Ai është i vendosur për luftimin e fashizmit, pavarsisht se këtë lloj fashizmi krejt në mënyrë të beftë mund ta legjitimojnë edhe institucione me renome.

Është thërrmueshëm sfilitëse të njohësh një artist i cili kërkon kthimin e të njerëzishmes dhe estezisin ta shohë si derivim të ethosit të ndërthurur nga shtrirja e fizikes në metafizike, por në pyetjen time se a mund ta ndajmë veprën nga autori, Neziraj shprehet se: “Romanet e tij le të lexohen, e dramat e tij le të inskenohen nga kushdo që dëshiron. Por unë mendoj që tematizimi, dokumentimi dhe qartësimi i pozicionit të tij fashist për luftrat në ish Jugosllavi duhet poashtu të jetë i qasshëm dhe i dukshëm për publikun e gjerë. Pra, lexuesi i tij duhet ta ketë të plotë portretin e tij, si një shkrimtar i mirë, por edhe si një i nominuar “budallai i vitit”, siç e quante Salman Ruzhdie. Fatkeqësisht, Çmimi Ibsen dhe pastaj edhe Komiteti i Nobelit kanë bërë pikërisht të kundërtën: duke e shpërblyer Handken, ata kanë injoruar këtë anë të errët të Handkes. Në fakt, ata e kanë legjitimuar atë si një gjenocid-mohues. Është e domosdoshme që t’i kundërvihemi fashizmit, edhe fazhizmit të konvertuar në letërsi. Është poashtu e rëndësishme që t’i kundërvihemi hipokrizisë evropiane, standardeve të dyfishta. Me “ne” e kam fjalën për të gjithë ne të tjerët, të cilët letërsinë as teatrin nuk e shohim të shkëputur nga kalërimet publike të artistit, dhe që besojmë se dikush nuk mund të jetë “shkrimtar i mirë”, nëse është një “monstrum i pandjeshëm” si njeri.” – u përgjegj Neziraj.

Arti e ka fuqinë e vërtetë të zhvendosjes. Në librin e tij, “Confession of a young novelist” [“Rrëfimi i një shkrimtari të ri”] Umberto Eco flet pikërisht për fuqinë fiktive që ka narracioni. Sipas tij, narracioni fiktiv, lehtësisht mund t’i shndërrojë karakteret fiktive në karatere reale. E gjithë kjo krijon një situatë të turbullt dhe një prerje të fortë dhe depërtuese midis reales dhe fiktives. Fuqia e artit letrar është tmerrësisht e mundshme në fanitjen e realitetit dhe siç “shprehej” Handke në bisedën e tij me Gëbellsin në fillim të shfaqjes, mjafton t’i vëmë një pikëpyetje gjërave. Askush nuk ka dyshim se Ana Karenina bëri vetëvrasje por ka dyshime të shumta se a vrau veten Hitleri, e vranë, u arratis diku në Argjentinë dhe vazhdon të jetë gjallë? Njashtu siç një ditë, pas shumë vitesh mund të pyetet, se Serbrenica është një mit apo realitet?!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.