Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Trupat që vlejnë

Burimi: iStock

Me 7 maj 1999, Agim Efendija ishte detyruar ta lëshonte shtëpinë e tij në rrugën e Çabratit në Gjakovë dhe bashkë me shumë qytetarë tjerë të asaj lagjeje, ishte urdhëruar nga njësitë paramilitare serbe të nisej drejt qendrës së qytetit. Kur po ecte në kolonë ai dhe shumë të tjerë u tërhoqën nga kolona prej forcave serbe dhe u detyruan të qëndronin mënjanë tek ura e njohur si Ura e Taliqit. Pothuajse të gjithë burrat ndaheshin aty veç prej familjeve të tyre, të cilët urdhëroheshin të vazhdonin drejt qendrës së qytetit bashkë me burrat që ishin më me fat. Këta burra që u ndaluan te Ura e Taliqit, i ndanë në dy grupe. Grupin e parë e futën në një rrugicë dhe i ekzekutuan pa mëshirë. Dëshmitarët kanë rrëfyer të shtëna automatikësh dhe britma. Grupin e dytë ku bënte pjesë Agimi i urdhëruan të niseshin drejt Xhamisë së Fetah Agës. Kur arritën aty, duke e parë qartë se ç’po ndodhte, Agimi i drejtohet paramilitarit që po i udhëhiqte me fjalët “Mos e bëj, Goran”. Në atë çast Gorani pa thënë asnjë fjalë shtien me automatik drejt tij duke e lënë të vdekur nga plagët e rënda. Disa vite pas luftës, mbetjet e tij mortore, siç i cilëson ftohtë diskursi mjekësor, ata që dikur kishin jetë brenda tyre, iu kthyen familjes së Agimit i cili u varros mes dhimbjeve të mëdha të familjes së tij dhe tërë një qyteti që e kishte njohur.

Agim Efendija për disa vite ka qenë drejtor i Hotel “Pashtrikut” në Gjakovë dhe gjithashtu edhe mësimdhënës në shkollën ekonomike të qytetit, ku ka dhënë hoteleri dhe turizëm. Paramilitari serb që e vret kishte qenë nxënës i tij. Ndonëse me maskë, Agimi e dalloi atë sepse ai ishte rritur në Gjakovë, mes gjakovarëve. Ato ditë të gjysmës së parë të majit 1999 ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre e vrarë shumë burra shqiptarë. Rrëfimet e familjeve të tyre, të të mbijetuarve të atyre masakrave, të banorëve të shtëpive përreth që kishin parë tmerrin e lënë prapa nga forcat serbe, janë dëshmitarët e këtij terrori. Burra e djem të ekzekutuar pak çaste pasi ishin ndarë nga familjet e tyre, të cilët ndonëse i dëgjonin të shtënat nuk guxonin të kthenin kokën prapa.

Të gjitha këto krime janë të dokumentuara hollësisht, deri në detajin më të imët, me emra dhe mbiemra, me kohë dhe me datë kur kanë ndodhur dhe si kanë ndodhur. Janë të konfirmuara saktësisht dëshmitar pas dëshmitari, shpesh duke dëshmuar edhe për kryerësit e këtyre veprave. Të gjitha gjenden fare lehtë në internet, të dokumentuara nga organizata Human Rights Watch dhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Ky është një rrëfim personal, sepse Agimin e kisha shumë të afërt, prandaj mund ta rrëfej vetëm personalen. Janë personalet ato që më kthehen vit pas viti, përvjetor pas përvjetori. Lufta që mundohem ta mbaj të mbyllur më kthehet e gjallë përmes njerëzve që njihja, përmes Agimit, Xenit, Ilirit, Eltonit, Valonit, Visarit, Tahirit, Skyfterit, Mentorit, Isufit… Veten dhe vendin tim e njoh përmes njerëzve të mi. Sa herë ndonjë prej tyre vdes, bashkë me ta vdes edhe një njohje, shembet një kuptim sikur të mos kishte ekzistuar fare dhe vendin e saj e zë boshllëku, zbrazëtira; asgjëja zë e dominon aty ku dikur kishte njohje.

Trupat që nuk vlejnë 

Fillova këtë reflektim si një reagim gati instinktiv pas një emisioni të prodhuar nga gazetarë kosovarë që përpiqej të dokumentonte krimet e kryera ndaj serbëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Rrëfimet e treguara nga familjarë apo të afërm të të zhdukurve dhe të vrarëve serbë ishin të llahtarshme. Ata ofronin edhe dëshmi dhe fakte për aq sa ata kishin dijeni apo për aq sa ishte hetuar, sepse shumë shpesh ishte e pamundur të hetohej ose nuk kishte pasur fare gatishmëri për hetim. Ata dhanë edhe emra të njerëzve, jo domosdo të kryerësve të krimeve por të atyre që mund të ndihmojnë në zbardhjen e krimeve; ofronin pista të mundshme hetimesh ose vendndodhje të mundshme trupash të vrarë.

Shoqëria jonë për një kohë të gjatë ka jetuar në mohim të këtyre krimeve ndaj serbëve, thuajse ato të mos kishin ndodhur fare. Megjithatë ne kemi qenë në dijeni për to, por vetëdijshëm ose jo i kemi justifikuar dhe gjykuar si të pranueshme. Vrasja e tjetrit, përndjekja, persekutimi apo çfarëdo forme e dhunimit tjetër mundësohet përmes dehumanizimit si proces deri në masën sa dhunimi i trupave bëhet i lejueshëm, dhe bile edhe i miratueshëm. Gjykimi moral i vesh grupit armik epitete degraduese që e zhveshin atë nga çfarëdo atributi human duke e ndërtuar kështu një diskurs që e cilëson atë si barbar, të egër, të pacivilizuar, të prapambetur, ardhacakë, apo çkado që funksionon në kontekstin e dhënë. Ky diskurs e bën të mundshëm dhe të pranueshëm dhunimin dhe zhdukjen e trupave të grupit tjetër përmes diferencimit cilësor esencialist, përmes zhvleftësimit të tyre të plotë. Filozofja amerikane dhe teoricienia e çështjeve gjinore Judith Butler, flet në këtë kontekst për trupa që vlejnë dhe trupa që nuk vlejnë. Në librin e saj Bodies That Matter: On the Discursive Limits of Sex (Trupat që vlejnë: mbi kufijtë diskursivë të seksit), Butler i problematizon fundamentalisht normat që përcaktojnë vlerën shoqërore të një trupi. Cilët trupa vlejnë e cilët nuk vlejnë? Pse disa trupa vlejnë më shumë se tjerët? Kush dhe si e përcakton vlerën e një trupi, rëndësinë e tij? Pse disa trupa janë të përjashtuar pavarësisht njohjes që e kërkojnë me ngulm, e të tjerë promovohen si model për t’u imituar si imperativ i domosdoshëm që siguron njohjen dhe pranimin nga shoqëria? Që garanton funksionimin stabil të shoqërisë?

Brenga fillestare e Butlerit në librin e saj ka qenë ngurtësimi i normave heteroseksuale shoqërore të cilat sipas saj ndërtohen mbi përjashtimin e trupave joheteroseksual. Përjashtimi i këtyre të fundit në njëfarë mënyre e përforcon bazamentin heteroseksual sepse e bën diferencimin mes trupave që vlejnë dhe trupave që nuk vlejnë. Kështu stabilizohet imperativi heteroseksual, i cili imponohet si model shoqëror që duhet adaptuar dhe mirëmbajtur përmes përsëritjes dhe ripërsëritjes së normave shoqërore; përmes të qenit e kundërta e asaj që nuk bën të jesh. Dhunimi i personave LGBTI, përjashtimi i tyre nga shoqëria, mospranimi, e bile edhe mohimi i tyre bëhet i lejueshëm përmes kësaj dialektike diferencuese. Si trupa devijues, ata janë më pak trupa, janë trupa të gjymtë, janë trupa që nuk vlejnë. Dikush që nuk vlen bën edhe të mos jetë.

Duke e parë në një kontekst më të gjerë, Butler fillon e zgjeron teorinë e saj edhe përtej çështjeve të seksualitetit duke përfshirë në përgjithësi gjykimet tona mbi jetët e të tjerëve. Pse disa trupa i vajtojmë e disa të tjerë i trajtojmë me indiferencë? Pse na dhemb më pak vdekja e përditshme e grupeve të irakianëve apo sirianëve, sesa e atyre që i konsiderojmë më afër nesh? Si shtrihet ky proces i normalizimit dhe diferencimit?

Tentim zhdukja dhe dhunimi i trupave tanë është lehtësuar përmes këtyre koncepteve të dehumanizimit dhe zhvleftësimit të jetëve njerëzore. Trajtimi i jetëve tona si të pahistori, pa origjinë, të shkapur prej çfarëdo esence njerëzore, e bënte të padhembshme vrasjen tonë në masë. Ne duhet të vazhdojmë t’i rrëfejmë ngjarjet tona personale, t’i tregojmë historitë tona, atë që e dimë dhe atë që e kujtojmë. Butler thotë se trupat kërkojnë njohje, kërkojnë pranim. Rrëfimet tona, do ta dëshmojnë praninë tonë. Njohjet mund të mos vijnë fare.

Por përderisa e kujtojmë dhimbjen tonë, a do të vazhdojmë ta trajtojmë me indiferencë dhimbjen e familjeve serbe? Të paktën mund t’i dëgjojmë rrëfimet e tyre personale.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.