Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

“Unë, Daniel Blake” – Pjesa I

Filmi "I, Daniel Blake" me regji të Ken Loach.

“Filmat mund të bëjnë shumë gjëra. Mund të na dëfrejnë, të na tmerrojnë, të na shpien në botët e imagjinatës, të na bëjnë të qeshim, apo të na tregojnë diçka rreth botës reale në të cilën jetojmë.” Kështu shprehej regjisori i famshëm britanik, Ken Loach, me rastin e pranimit të Çmimit BAFTA për Filmin më të Mirë për vitin 2017, “I, Daniel Blake.” Nuk do mend, të gjithë filmat e Loach – duke filluar nga “Cathy Come Home,” “Poor Cow” dhe “Kes,” e deri tek “Bread and Roses,” “The Wind that Shakes the Barley,” “Route Irish,” “Jimmy’s Hall,” dhe “I, Daniel Blake” – na shpalosin diçka rreth “botës reale në të cilën jetojmë.” Në fakt, siç argumenton dhe Tony Garnett, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Loach tek dokumentari mbi jetën dhe krijimtarinë e këtij të fundit (“Versus: The life and films of Ken Loach”), “Ken dëshiron të bëjë filma se si bota funksionon në të vërtetë.”

Meqenëse këtu nuk është vendi adekuat për të analizuar siç duhet gjithë krijimtarinë e Loach, sidoqoftë, dua që në këtë shkrim modest t’i ndaj thjesht disa përshtypje personale rreth filmit të tij të fundit, “I, Daniel Blake” – i cili, në gjykimin tim estetik, është filmi më i arrirë i Loach, pas filmit “Jimmy’s Hall.” Dhe njëkohësisht, të krahasoj me të një film të ngjashëm nga Stéphane Brizé, i cili quhet “La loi du marché,” (“Ligji i tregut”), paçka në anglisht mund të gjendet nën tiullin “The Measure of a Man.” Për ata që nuk e dinë, Brizé është një nga regjisorët më të mirë bashkëkohorë francezë. Disa nga filmat e tij më të njohur përfshijnë, por jo vetëm: “A woman’s life,” “Mademoiselle Chambon,” “Not here to be loved,” dhe natyrisht, “The Measure of a Man.” Së fundmi, Brizé ka realizuar edhe një film të mrekullueshëm, me titull “At War,” të cilin do t’ua rekomandoja të gjithëve forcërisht.

Meqë shkrimi është paksa i gjatë, sidoqoftë, kam menduar që ta ndaj në tri pjesë: në pjesën e parë dhe të dytë, të ofroj një përmbledhje të shkurtër rreth asaj se çfarë bëhet fjalë në këta dy filma; kurse, në pjesën tretë dhe të fundit, të flas më shumë rreth ngjashmërive dhe dallimeve ndërmjet tyre (gjithnjë në kontekst të problematikave që trajtojnë).

“Unë, Daniel Blake”

Në këtë film, siç dhe mund të kuptohet nga vetë titulli, bëhet fjalë për Daniel Blake (Dave Johns), një zdrukthëtar afër të gjashtëdhjetave nga qyteti Newcastle i Anglisë. Për fat të keq, derisa Daniel është duke punuar, pëson papritmas sulm në zemër. Megjithëqë i mbijeton këtij sulmi, doktori i tij i zemrës i thotë se ai nuk mund të punojë më, meqë ka rrezik të pësojë sërish ndonjë sulm. Kështu, megjithatë, nuk mendon Departamenti i Punës dhe Pensioneve. I cili, përkundra udhëzimit të mjekut personal të Daniel-it, konstaton se ky i fundit, në fakt, është i aftë për punë, meqë mund të ecë 50 metra pa ndihmën e askujt, të lëvizë duart lart e poshtë, të shtyp pullën e telefonit, të komunikojë me njerëzit pa problem, të caktojë alarmin, dhe detyra të tjera që nuk kanë ndonjë lidhje me problemet e tij të zemres. Si rrjedhim, për të përfituar nga programi i të papunëve, Daniel-t i thuhet të kërkojë punë aktivisht. Përndryshe, nuk do të përfitojë as një qindarkë.

I revoltuar me këtë vendim të DPP-së, Daniel natyrisht dëshiron të ankohet. Sidoqoftë, për shkak se procesi i apelimit ishte i tëri online, dhe duke qenë se nuk merrte vesh nga teknologjia, ai nuk arrin ta bëjë një gjë të tillë personalisht. Në ndërkohë, derisa është duke pritur në zyrën e punësimit, Daniel e takon Katie (Hayle Squires) dhe dy fëmijët e saj, të cilët ishin detyruar të lëviznin nga qyteti i Londrës (ku kishin qëndruar për dy vjet në një dhomë moteli për njerëzit e pastrehë), pasi u ishte premtuar një apartament më i madh në Newcastle.

Përkundër ymytit të Katie që jeta në Newcastle do të ishte më e lehtë për të dhe dy fëmijët e saj, kështu nuk ndodh, sidoqoftë. Asaj i mohohet padrejtësisht përkrahja financiare – veç pse kish mbërritur me vonesë në zyren e punësimit (nga mosnjohja e qytetit) dhe, si rrjedhojë, nuk arrin të sigurojë bukën e gojës për dy fëmijët e saj. Në një situatë të tillë, pa pasur asnjë grosh në xhep, ajo detyrohet që, fillimisht, të “vjedh” ca gjësende personale në një dyqan dhe, më pas, të pranojë dhe ushtrimin e profesionit të “prostitutës së respektueshme,” që të huazoj titullin e një drame të famshme të Jean-Paul Sartre, për t’u kujdesur për dy fëmijët e saj. Me të kuptuar për këtë gjë, sidoqoftë, Daniel shkon përnjëherë tek Katie, të cilën e bindë të heq dorë nga ky “profesion” (me premtimin se gjithçka do të rregullohej). Mirëpo, përkundër optimizmit të Daniel, situata veç sa shkon e bëhet më e mundimshme: Katie mezi arrin të sigurojë bukën e gojës për dy fëmijët e saj, kurse Daniel-t i mohohet edhe ajo pak ndihmë financiare që merrte nga shteti.

Rrjedhin si rrjedhin gjërat (që të mos shpalosim të gjitha detajet nga filmi në fjalë). Në fund, apeli e thërret Daniel, duke i thënë se, sipas të gjitha gjasave, ai do të përfitojë financiarisht nga shteti. Megjithatë, për shkak të stresit të madh, Daniel-in e lëshon zemra. Dhe vdes. Në fund, për hir të tij, mbahet një ceremoni e thjeshtë mortore, në të cilën Katie e lexon dhe letrën e shkurtër që Daniel kish përgatitur për ta lexuar para apelit, ku në mënyrë mjaft prekëse kishte shkruar: “Unë nuk jam klient, konsumator, apo përdorues shërbimi. Nuk jam as dembel, parazit, lypësar, apo hajdut. Nuk jam numër kombëtar i sigurimeve, apo një blip në ekran. I kam paguar të gjitha detyrimet e mia, pa shmangur kurrë një metelik, dhe jam ballëlart për këtë. Nuk e përbuz kurrë komshiun tim, por e shoh në sy dhe e ndihmoj nëse mundem. Nuk pranoj apo kërkoj bamirësi. Emri im është Daniel Blake. Jam njeri, jo qen. Si i tillë, kërkoj të drejtat e mia. Kërkoj të më trajtoni me respekt. Unë, Daniel Blake, jam qytetar. Asgjë më shumë, asgjë më pak.”

                                   

Këtu, në fakt, mbaron dhe filmi, të cilin do t’u rekomandoja të gjithëve për ta parë.

(vijon)

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.