Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Vështrim mbi pushtetin dhe lumturinë

 

Thënë të drejtën dhe atë gjithnjë duke thënë atë që më del nga shpirti, kjo botë kurrë nuk më ka pëlqyer. Duke pasur parasysh që esenca e asaj se çfarë jemi dhe çfarë bëhemi është jashtë mundësive tona të dijes dhe jashtë asaj se çfarë do të dëshironim të ishim e çfarë do të dëshironim të bëhemi, neve nuk na mbetet asgjë tjetër pos të hamë gishtërinjtë tanë të errët. Ju mund të thoni se çfarë dreqin kapesh për botën. Dhe për gjëra kaq të panevojshme. Kur nuk je ne gjendje të merresh më problemet që të rrethojnë. Me problemet që po të futen në gojë. Atëherë ja ku mund të ju jap një përgjigje fare të thjeshtë dhe të shpejtë. Kurrë nuk jam ndier Kosovar. Dhe as Shqiptar. Dhe asgjë tjetër. Kurrë nuk kam puthur flamuj. Gjithmonë jam ndier njeri. Dhe njëri prej tyre. Gjithmonë jam munduar ose në një mënyrë kam heshtur përballë ngjarjeve, që më kanë bërë ky që jam. Sado që më kanë dhënë pamjen e një qenie të pavendosur. Të pasigurt dhe aspak me kurreshtje. Gjithmonë më pëlqen të vështroj. Dhe të kundroj këtë rrokullisje. Duket se kam hequr dorë nga çdo përgjegjesi e çfarëdo lloj natyre. Kurrë nuk kam qenë i prirur që ta shoh tjetrin si gabim. Dhe si kërcënim. Gjithnjë duke parë tjerët që ndaj njëri tjetrit, përdorin gjuhë të mllefosur. Të fëlliqur dhe tejet të ulët. Kurrë nuk jam zhytur thellë në koncepte. Gjithnjë kam dyshuar tek autoritetet. Tek sistemet politike dhe tek Republika. Si fëmijë kam jetuar luftën dhe më vonë kam kuptuar se ka lloj lloj luftërash. Dhe ka njëfarë madhështie tek e vërteta e mohimit të çfarëdo qëndrimi. Apo e mohimit të çfarëdo pikepamjeje. Nuk besoj se njeriu duhet të ketë gjithmonë dhe në çdo kohë një armë që fashitë çdo problem. Nuk besoj se njeriu gjithmonë dhe në çdo kohë ka një mendim për çdo gjë. Nuk besoj se njeriu ka një dije epike që rrafshon çdo pakënaqësi dhe çdo pikëpyetje, në çdo kohë dhe në çdo vend. Zgjidhja është filozofi. Bota po vuan nga mungesa e politikave të ndershme. Ne vuajmë nga mungesa e zgjidhjes. Dhe nga ekzistenca e njëri tjetrit.

***

Dihet qartë që pushteti në këtë vend ka mangësi të shumta. Si i tillë është jotërheqës për njerëzit e drejtë. Nëse na ka ënda të besojmë se ka ende këso lloj njerëzish në zhdukje e sipër, që enden këndejpari. Pushteti në këtë vend është i shëmtuar. Dhe i ligë. Ka natyrë egoiste. Dhe shpërfill interesa që nuk kanë ndonjë lidhje me preokupimet e tij. Domethënë duhet të kesh një shqetësim të njëjtë me të pushtetit. Ndyshe të hanë çakejtë. Vetëm në këtë mënyrë duket se i’a arrin ta përçosh zërin tënd. Që në të vërtet është zë i rrejshëm. I diktuar. I manipuluar dhe qesharak. Por kujt po i hyn në punë kjo gjë. Që të mos e zgjas. Më lejoni të flasë për një njeri, që njihte shumë mirë therrtoren e quajtur Ballkan.

Shkrimtari i frikshëm malazez, Jevrem Bërkoviç, në njërën prej poezive të tij të mrekullueshme, thotë se vetëm një malazez i lumtur është lumturi e madhe për pushtetin. Kur mendoj mbi këtë gjë. Duket se brengosem për pushtetin e këtushëm. Me apo pa të drejtë. Këtë mund ta dini më mirë se unë. Disi më duket se nëse nisemi nga kjo pikë, ky pushtet duhet të jetë shumë i mërzitur. E madje më shumë se kaq, ky pushtet e përjashton lumturinë. Mos të themi se ka rënë në depresion e gjendet buzë vetëvrasjes. Mirëpo nuk janë gjithmonë gjërat sikurse e thotë vargu i parë i poezisë. Ky pushtet pa e kuptuar as vetë, mbështetë vargun tjetër të Bërkoviçit, malazezi  është i lumtur kur sheh veten gjallë. Në këtë pikë madje edhe unë çoj duart lart. Dhe shoh se si bie nata. Zhytur në dëshirën për asnjë përkatësi. Zhytur në dëshirën për të mbetur heroikisht njeri i askujt.

***

Ne nuk kemi kënaqësinë të zgjedhim problemet me të cilat do të donim të merreshim gjatë gjithë jetës sonë. E madje as zhgënjimet që na takojnë, nuk janë krejtësisht tona. Kur njeriu e merr vesh se nuk ka kah dreqin t’ia mbajë. Ka dy zgjidhje. T’i bie vetes pas gjithnjë duke shpresuar se do të ndodhë diçka e hairit. Ose të mbetet thjeshtë, gjë e gjallë. Në mesin shumë të tjerëve. Si ai. Duket se Republika e Fatkeqëve. Është e përjetshme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.