Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Vula e vdekjes

Sipas psikoanalistit Sigmund Freud, vdekja bën pjesë në atë kategorizim që konsiderohet si paradigmë fundamentale e ekzistencës njerëzore. Njeriu duke kërkuar përgjigje rreth vdekjes, rreth asaj se pse ekziston jeta dhe cili është kuptimi i saj, kur dihet se vdekja është e gjithpranishme, ose edhe çka ka përtej saj, është vendosur në një imanencë ekzistenciale për shkak të një frike të tillë, për shkak të një ankthi të pazbërthyeshëm. E panjohura, sipas Freud-it, ka bërë që të jetë qëllimi i gjithë jetës. Në këtë relacion freudian, është vdekja ajo që i jep kuptim jetës, sepse kërkesa për të gjetur një përgjigjje, për të kuptuar se kush e ka krijuar dhe kush e mirëmban këtë rend kozmik, se cila është instanca që jep dhe merr jetë, ka bërë që njeriu ta kuptimësojë jetën e tij edhe përkundër mungesës së përgjigjjeve në këto pyetje. Mirëpo, shpeshherë kur flasim për vdekjen, kur teorizojmë, kemi të bëjmë me një koncept të cilin orvatemi ta kuptojmë dhe në këtë kontekst relacioni ynë me të është më shumë profesional sesa emocional.

Gjithashtu, kur flasim për vdekjen si statistikë, flasim për numra dhe jemi pothuajse totalisht të shkëputur nga ana sentimentale, p.sh., ne kur flasim për viktimat e luftës, flasim për numra (kaq miliona u vranë, mijëra të masakruar, apo nga një bombë kimike vdiqën njëqindmijë njerëz). Emrat e tyre nuk i dimë. Këta të vrarë nuk i kemi të njohur, prandaj flasim dhe kështu flitet, sepse siç thotë edhe shkrimtari Albert Camus, për vdekjen fillojmë dhe mendojmë vetëm atëherë kur e kemi afër, kur ajo prekë ndonjë të afërm tonin ose vetë neve. Pra, edhe këto vdekjet që po shkaktohen nga virusi COVID-19, e që po paraqiten në kohë reale nëpër mediat botërore në mënyrë statistikore, si të tilla edhe po përjetohen. Sa është numri i të vdekurve sot në Itali, po në Spanjë sa ishte dje, dhe kështu pastaj i kthehemi numrave tek ne, e që në raport me të tjerët qëndrojmë mirë, madje shumë mirë. Jetojmë nën iluzionin e statistikave dhe kështu dehumanizohemi, sepse ne nuk qajmë kokën kush vdiq, si e kishte emrin ajo gua apo ai burrë. Cilat ishin brengat e tyre, apo ç’mendim kishin ata për jetën, ose cili ishte plani i tyre për nesër? Jo, kjo nuk u përket atyre, sepse ata kategorizohen me një term sa abstrakt aq edhe brutal, numër, kurse ne (ende) të gjallët jetojmë, siç do të thoshte Freud-i, nën efektin e të pavetëdijshmes, ku secili nga ne është i bindur për pavdekësinë e tij.

Prandaj, shikuar nga ky prizëm i vetmi raport ndjesor me vdekje është kur vetë ne përballemi me të. Ky mund të jetë edhe një nga momentet më përmbajtësore të vetëdijes sonë për vetë ekzistencën tonë, madje kuptimësimi i vetë jetës. Mbase, ky ballafaqim është momenti kur njeriun e rikthen në humanitetin e tij. Një raport të tillë ekzistencial, ku ankthi është përhershmëria e jetës së njeriut, mund ta vërejmë edhe te filmi The Seventh Seal (Vula e shtatë), të regjisorit suedez Ingmar Bergman. Në këtë film Bergman-i mundohet ta paraqesë në mënyrë tërësisht njeràzore, të zhveshur nga çdo konvencion shoqëror apo religjioz, raportin e njeriut me vdekjen.

Duhet theksuar se ky është një film tipik filozofik, madje është aq i afërt me filozofinë e Nietzsche-s sa që të duket se skenarin e ka shkruar vetë Nietzsche. Në The Seventh Seal, regjisori Bergman trajton problemin e Zotit, problemin e së keqes, të ekzistencës së njeriut, vdekjes etj. Parodizimi i temës dhe dilemat që trajtohen aty, janë dimension i brendshëm njerëzor. Mosbesimi në Zot e vendos Bergman-in në pozita tërësisht ekzistenciale. Dilema e ekzistencës së Zotit është një ballafaqim i ankthshëm i Antonius Block-ut (luajtur nga Max von Sydow), personazhit kryesor në film. I sapokthyer nga lufta e kryqëzatave si kalorës që ishte, pra nga një luftë në mbrojtje të Zotit, Antonius Block duke mos qenë më i joshur nga ai, fillon dhe bëhet dyshues radikal ndaj tij. Me zbehjen e besimi në Zot, fillon edhe ankthi i vdekjes dhe përpëlitja me forcat e brendshme ndjesore, si dhe arratisja nga besimi, bëjnë që Bergman-i nëpërmes Antonius Block-ut ta shprehë thellësinë e brendshme (të paesencializuar) subjektive të njeriut.

Një trajtim të tillë shpirtëror, terapeutik që Bergman-i në këtë film e vendos në karakterin e Antonius Block-ut e shpreh vulën e një dimensioni shumë të thellë filozofik. “Përtej vdekjes nuk ka asgjë” pohon Bergman-i, e kjo është edhe pika qendrore në filmin ku personazhi Block e përbrendëson këtë ndjenjë. Po të shprehemi me termat nietzschean, Antonius Block-u nga ky moment është një udhëtar që nuk brengoset më për hijen e tij. Ai i tejkalon fuqitë ndikuese eksternale dhe fillon të luftojë me fuqitë e brendshme të tij.

Mirëpo, ç’është e vërteta Block nuk ishte duke e pritur vdekjen, por  është vdekja ajo e cila është duke e pritur atë. Vdekja e zezë së shpejti do ta takojë Antonius Block-un, këtë kalorës dikur besimtar, për t’i treguar se edhe atij i ka ardhur koha. Pas takimit me vdekjen e zezë, Block do t’i kërkojë asaj që të luajnë një lojë shahu si sfidë për mbrojtjen e jetës së tij dhe vdekja e zezë e pranon kërkesën e tij. Loja fillon. I gjithë qëllimi i Block-ut është që ta gjejë përgjigjjen e pakuptimësisë së jetës, ta gjejë arsyen e ekzistencës së tij dhe krejt këtyre dilemave duhej t’i përgjigjej Zoti, nëse veç ekzistonte. Në mungesë të një përgjigjeje, atëherë Block-u mendon se përgjigjja mund të vijë nga vetë vdekja e zezë. I frymëzuar nga mundësia e zbërthimit të dilemave që kishte, ai do ta vendosë jetën e tij në tabelën e shahut dhe për kundërshtar do ta ketë vetë vdekjen.

Ky debat i tillë i brendshëm që bën Antonius Block-u me veten është shumë i vështirë, dhe është tërësisht në konditat nietzscheane, sepse, siç thekson ai, debati më i vështirë i njeriut, është debati me vetveten. Prandaj, në filmin The Seventh Seal, Bergman-i debaton me veten nëpërmes personazhit Antonius Block. Ai konstaton se për njeriun që nuk i beson ndonjë qenieje metafizike, vdekja është fundi i të përtejmes. Regjisori Bergman nëpërmes këtij filmi na tregon raportin ekzistencial që ka njeriu me jetën e tij. Dhe për Bergman-in nuk ka rëndësi nëse Zoti ka vdekur, ose është mundur, apo si të doni ta quani, por për të është e rëndësishme se, sa do që jeta është një rrugë mizore, ajo prapëseprapë ka një pjesë joshëse mes saj dhe vdekjes; ajo është një kryevepër masive e të qeshurit, e bukur dhe e shëmtuar, pa mëshirë apo kuptim. Pra, jeta për njeriun është një nga paradokset më të pakuptueshme, më të këndshme dhe më mizore njëkohësisht. E nëse shprehemi me terma bergmanian, atëherë vdekja është skriba e këtij paradoksi.

Meqenëse, një ditë domosdoshmërisht do të ballafaqohemi me vdekjen, Bergman-i përmes personazhit Antonius Block, me filmin e tij na tërheqë vërejtjen që ky ballafaqim të mos jetë tmerrues për ne. Sipas tij, ne jemi ata që duhet të fillojmë të mendojmë për të. Të fillojmë të debatojmë me vdekjen dhe të çlirohemi nga ngarkesat religjoze se për vdekjen nuk duhet diskutuar. Mirëpo, edhe sipas Bergman-it, edhe sipas Freud-it, Nietzsche-s dhe Camus, po edhe sipas shumë mendimtarëve të tjerë, njeriu është qenia e vetme që mundet racionalisht të shtrojë pyetje, qoftë edhe iracionale, dhe po ashtu, qenia e vetme që mund të japë përgjigje qoftë edhe kur ato janë gabim. Mbase, gabimi është fundamenti i karakterit të tij, e një kënaqësi të tillë nuk e posedon madje as vetë Zoti. Prandaj, të fillojmë me gabimin e parë: A ka vdekur Zoti?!

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.