Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Zoti, fëmijët dhe arsyeja

***

Surrealisti i papërmirësueshëm Salvdador Dali, në librin e shkruar mbi jetën e tij të fshehtë, konstaton se e gjithë jeta jonë si njerëz të rritur, është një përpjekje për t’u bërë fëmijë. Madje në njërën pjesë të librit, ai flet mbi kujtesën në barkun e nënës. Pavarësisht se e gjithë kjo gjë do të na fus në hamendje, Dali kishte një motiv të jashtëzakonshëm për ta kujtuar këtë gjë. Ngase qenia njerëzore është e përjashtuar nga arsyeja vetëm gjatë kohës sa është fëmijë. Me gjasë Dali nuk ishte i magjepsur nga arsyeja. Ai prirej drejt diçkajes që nuk kishte të bënte fare me vetëdijen. Në thelb vetëdija është hapësira ku qenia njerëzore tregon atë që përfaqëson. Vetëdija mbi pushtetin. Vetëdija mbi religjionin. Vetëdija mbi pronën. Vetëdija mbi garën për të qenë i pari. Për të qenë i fuqishëm. Të gjitha këto të dëmshme në saje të një arsyeje, që kultivohet nga qenia e rritur njerëzore. Pra kjo nuk do të thotë që vetëdija nuk na shpie në kopshtin e bukur të paqes. Assesi. E gjitha qëndron tek liria për të zgjedhur. Dhe liria për të zgjedhur tek njeriu është elementi i parë i skllavërisë. Pra çdo gjë që është cilësi e çmuar e njeriut është e rrezikshme. Arsyeja është fillimi i malit të problemeve. Mendja nuk duron arsyen. Gjithmonë kam pasur një tërheqje për anarkinë. Për anarkinë si rregull. Pra anarkia si një kaos i balancuar. Ngjashëm me trupat qiellor. Një ndryshueshmëri e pranuar. Një anarki bazuar në rregullin e natyrës. Ngase natyra gjithmonë ka triumfuar mbi njeriun. Në ato raste kur ka treguar dhëmbët. Natyra si e tillë, pa arsye. E cila vepron sipas rregullit të saj.

***

Të dalim përsëri tek të qenit fëmijë. Duke marrë një shembull. Saktësisht vajzën e motrës sime. Po bëhen gati dy vite nga humbja e papritur e gjyshit të saj apo nga humbja bizare e babait tim. Dhe ajo ende brenda saj, nuk është pajtuar me ikjen e gjyshit. Madje në njërin prej rasteve ajo shtroi një pyetje dhe në mënyrë tërësisht njerëzore e sfidoi zotin dhe veprimet e tij. Pa e ditur as vetë. Pse e mori gjyshin kur unë nuk kam dashur që ai të shkojë te Zoti? Domethënë Zoti nga pikëvështrimi i fëmijës nuk është bash i drejtë. Dhe pyetjet që më së shumti e dridhërojnë Zotin e të rriturve, nuk vijnë nga të rriturit por nga fëmijët. Nga dashuria e tyre e padëmtuar, e fuqishme dhe e palëkundur. Pra një zot i racionalizuar përballë pyetjeve të fëmijëve mbi të, do të ishte i duhuri dhe i miri. Një zot i cili ngjallë kundërshtinë e fëmijëve, del të jetë një zot shpesh herë i diskutueshëm. Ngase fëmija nuk e ka të zhvilluar arsyen për të përshtatur botën sipas asaj që parapëlqen. Fëmija është si një shkëmb. Tërësisht vetja.

Përderisa të rriturit (në kuptimin fizik) janë baza e pisllëkut (duke mos mbetur shpirtërisht fëmijë) sepse e hyjnizojnë arsyen dhe përmes saj struken në kasollen e rehatisë dhe paqes. Duke mënjanuar frikën dhe duke vrarë pyetjet e fëmijëve. Ky krim i tmerrshëm. Kur ne të kemi përgjigjet e duhura përballë fëmijëve do të jemi titanë. Çdo gjë që është e pakuptueshme për fëmiun, është e çuditshme, e mjerë dhe e frikshme. Fëmiu nuk e arsyeton luftën. Nuk e arsyeton religjionin. Nuk arsyeton asgjë që është mbjellur në arën e të rriturve. Prandaj bota nuk do të ishte ende e jetueshme nëse nuk do të ishin fëmijët. Lumturia i përket atyre. Të rriturve ju përket trishtimi dhe vetmia. Sepse çdo gjë që na përket është ajo që meritojmë.

 

***

Shkrimtari japonez bashkëkohor Haruki Murakami në njërin prej librave të tij thotë se jeta e një njeriu i përket vetëm atij. Nuk mund të jesh përgjegjës. Është si të jetosh në shkretëtirë. Thjeshtë duhet të mësohesh me të. Dhe sado që ky konstatim ka diçka barbarisht të vërtetë. Mua nuk më rrihet pa thënë se përgjegjësia e njeriut ndaj jetës, është më shumë se sa kanë lejuar zogjtë. Njeriu modern duket se nuk është i prirur të mësohet me shkretëtirën. Ai më shumë ka pretendime që shkretëtira t’i ngjasojë atij. Domethënë kokëfortësia e tij për t’u rritur dhe për të ja dhënë pushtetin arsyes kalon çdo gjë. Arsyeja është një bombë nukleare. Dhe heqja dorë nga të qenit fëmijë është gabimi më i pafalshëm i qenies njerëzore.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.