Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Zoti, njeriu dhe thika

***

Libri i aktorit egocentrik i cili në një çast llahtari të jetës së tij, kishte vendosur që kurrë më të mos mbetej pa asnjë dinar në xhepat mbushur me ëndrra, është super impresiv. Ta themi pa u skuqur. Një libër që është shkruar nga dora e një burri me bolet deri në gjunjë. Pa pikë dyshimi. Bekim Fehmiu është një shkrimtar i shkëlqyeshëm. Dhe natyrisht. Një qenie e tmerrshme. I cili helmon shpirtin e dëlirë fëmijëror. Bekim Fehmiu është njëri ndër shkrimtarët më të zemëruar ndaj çmendinës, në të cilën na takon të katandisemi. Bekim Fehmiu është shkrimtar i gjakut. Për të gjithë njerëzit që janë vëllezër. Për ata që nuk janë të tillë, është një grusht në nofullën e majtë. Madje edhe në të djathtin. Dhe atë grusht i fuqishëm. Inati i tij mbretëron në pavijonin e bishave. Dhe zbrazëtia e Bekim Fehmiut është pushtet i padukshëm, që pickon vullnetin e prishur njerëzor. Ai e shkërdhen udhën nëpër të cilën shkon njeriu. Dhe vajton mbi shtatin e vrarë të dashurisë në mes popujve. Ai është vetmitar i rraskapitur dhe ushtar i dritës, kundër çfarëdo nënshtrimi. Bekim Fehmiu është një hero i thjeshtë dhe një mendjemadh i arsyeshëm. Që ta do zemra. Njeriu që me çdo kusht deshi të jetonte sipas diktatit të dashurisë. Pa frikë ndaj Zotit dhe thikës.

***

,,Shkëlqim dhe Tmerr,, pjesa e dytë e Bekim Fehmiut, mbi të gjitha është një dokument i rëndësishëm historik për Ballkanin. Një shqyrtim i hollë psikologjik mbi vitet 59-89, në ish-Jugosllavinë e Titos, rënien dhe shpërbërjen e saj. Bekim Fehmiu me guxim të pakrahasueshëm shtjellon dhe jep një kronologji analitike mbi gjendjen e teatrit, vështirësitë, rrethanat e asaj kohe. Jo vetëm të teatrit por edhe të filmit. Për më shumë se kaq ai mbetet një shkrimtar intim. Një mendimtar i pakursyeshëm, që dijen e shpërndan si pluhur. Në sytë tanë të errët. Verbuar nga budallallëqe. Libri mëton të na bëjë me dije rrugën e vështirë drejt suksesit pa çka që jo gjithmonë suksesi ka në kokë kurorën e vlerës. Bekim Fehmiu na jep një pasqyrë të vërtetë të filmit si biznes. Ku xhelozitë artistike dhe lakmi të kësisojta e sulmojnë çiltërsinë e tij, që buron nga dashuria për familjen. Mjafton ta përmendim çastin kur pas shpërnguljes së familjes së tij, ai hedh nga Qafa e Dulës karrigen e moçme të Dijes. Duke i premtuar asaj një jetë më të dinjitetshme dhe lehtësisht më të përballueshme. Ngase kundruallë prindërve të tij ishte një fëmijë i përkëdhelur. Dhe kjo i shërbente si forcë për t’u ngjitur në majën e profesionit të vet gjithmonë duke mposhtur djallin. Si ngashënjyes i së keqes dhe ambicieve të sëmura.

***

Tashmë disa herë më ka shkuar mendja t’ia shkurtoja jetën vetes. Si? Me një plumb në tëmth. Bëj plane që në mes të Terazies të lagem me benzinë dhe të digjem si Jan Pallahu më 1969 në Çekosllovaki… Do ta blejë një eksploziv plastik, do ta vendos gjithandej nëpër banesë. Në kohën kur të gjithë do të flenë, tërë familjen dhe veten do ta çoj në ajër. Kështu shkruan Bekim Fehmiu gjatë vitit 1989, në çastin e rrënimit të tij shpirtëror kur ishte i bindur se ishte rrethuar nga rrathët e ferrit. Por si gjithnjë frymëzuesit e tij do ta shpëtonin edhe këtë radhë sikurse në shumë çaste makthi. Pushteti më i madh është pushteti mbi vetëvetën. Ky ishte mësimi i lënë në duart njerëzore nga Seneka. Që i’a kishte kthyer kurajën e të jetuarit. Por kush do ta kishte besuar se mendimet e tij suicide pak a shumë do ta gllabëronin, njëzet e një vite më vonë dhe Seneka do të mposhtej. Kur me një të shtënë nga revolja i jep fund jetës së tij të rrëmujshme, në apartamentin e tij në Beograd. Vetëvrasja nuk është një problem filozofik. Le ta mposhtim edhe Kamyn. Për shkaqe stili. Vetëvrasja është një problem i thjeshtë i gjigantëve, që nuk e durojnë dot fëlliqësinë. Që nuk e lejojnë veten të zhyten në mbretërinë e shëmtisë. Dhe Zotërave të egër politik. Ata nuk durojnë të jenë shërbëtorët e pushtetit, që buron nga injoranca. Nga mjerimi i mediokritetit. Dhe nga llumi. Vjen një çast kur as një grusht ajëri më nuk i ngushëllon. As vesa e bardhë e mëngjesit. Dhe zgjedhin heroikisht të shëndrrohen në lumenjë. Ngase dheu nuk është i denjë për ta. Amin. Amen. Si të doni.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.