Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Efektiviteti i pakos fiskale varet nga dizajnimi i saj

Ilustrimi: BigEye

Thuhet që nëse i mbledhë të gjithë ekonomistët e botës në një tavolinë, nuk i gjen dot dy mendime të njëjta. Historikisht, dy shkollat kryesore ekonomike janë ajo klasike dhe kejnsiane – apo shkolla e bazuar në idetë e Adam Smith dhe John Maynard Keynes. Ky i fundit, është një nga autorët me më së shumti influencë në literaturën ekonomike, dhe idetë e tij janë aktuale sidomos në kohë krizash.

‘’Laissez-faire’’, apo lëre të lirë, është një frazë që e përdornin ekonomistët klasik për të argumentuar se tregu më se miri funksionon kur lihet i lirë nga qeveria. Dhe nëse ka kriza, në periudhë afatgjatë tregu i lirë do të rregullohet vetvetiu. Kundër tyre, kejnsianët ‘pajtoheshin’ që në kohë afatgjate tregu do të vet rregullohej, porse në atë botë të gjithë do të ishim të vdekur.

Situata ekonomike e krijuar si rrjedhojë e pandemisë kërkon ndërhyrje të shpejtë nga ana e qeverisë. Ekonomisti Martin Wolf, në një shkrim në gazetën e famshme Financial Times, shkruan se ekonomitë në zhvillim do ta kenë goditjen më të madhe si pasoj e virusit korona. Sipas tij, që nga viti 1871, asnjëherë përqindja e vendeve në recension nuk ka qenë më e madhe. Me fjalë tjera, mbi 80 për qind e vendeve parashihen të shkojnë në recension. Kjo përqindje s’ka qenë më e madhe as në krizën e 2008, Luftën e Dytë Botërore, apo Depresionin e Madh të viteve 1929-33. Zotri Wolf nuk është i vetmi që alarmon për efektet e mëdha që do t’i ketë pandemia.

Kosova, si vend në zhvillim, padyshim është goditur ndjeshëm në kërkesën agregate. Ndërhyrja e qeverisë është e pashmangshme. Debati ekonomik e politik, më shumë është duke u zhvilluar në vlerën monetare të pakos fiskale, sesa masat specifike që do të ndërmerren. Në vazhdim do të diskutohen tri teza, të cilat janë të rëndësishme të adresohen në pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

1.

Duke marrë parasysh normën e lartë të interesit krahasuar me vendet perëndimore, është e domosdoshme që të subvencionohen pjesa më e madhe e tyre për bizneset e prekura. Pra, bizneset që pas pandemisë – pas ri-hapjes të ekonomisë –  kanë probleme me pagesën e kësteve, duhet që të ristrukturojnë kreditë dhe penaltitë eventuale duhet të merren përsipër nga buxheti i rimëkëmbjes. Por, bizeset që kanë pasur vonesa edhe para fillimit të pandemisë, nuk do të ishte e udhës të subvencionohen. Ato biznese edhe ashtu kanë dështuar të mbijetojnë në ‘kushtet e barabarta.’ Subvencionimi i normave të interesit duhet të merret parasysh edhe për bizneset që nuk kanë obligime në banka, por që e kanë të nevojshme qasjen në financa.

Masa monetare e subvencionimit nuk duhet të jetë e njëjtë për të gjitha bizneset. Bizneset e vogla dhe të mesme kanë rëndësi vitale për nivelin e punësimit dhe barazisë. Kështu, këto biznese, e veçanërisht ato që udhëhiqen nga gratë, duhet të subvencionohen më shumë. Nobelisti Muhammad Yunus, i cili njihet edhe si themeluesi i mikrofinancave, argumenton që gratë janë më të afta në menaxhimin e parave nga huamarrja. Pa dyshim, promovimi i bizneseve që udhëhiqen nga gratë do të kishe efekte të qëndrueshme në ekonomi.

Përveç subvencionimit të normave të interesit, pauza në pagesën e kësteve të kredisë do të ishte një ndihmë e madhe. Natyrisht, kjo për bankat komerciale do të krijonte kosto shtesë, të cilat do të duhej t’i përfshij fondi i rimëkëmbjes. Pra, përveç sigurimit të ‘grace periudhës’ së përshtatshme  për bizneset, pauza disa mujore në pagesën e kësteve do të duhej të vazhdohej.

2.

Duket që ekziston momentumi për krijimin e një politike industriale. Për shumë vite, Kosova ka pasur një qasje tejet neoklasike ndaj ekonomisë. Është më se e nevojshme promovimi i bizneseve të reja, qoftë në prodhimin e produkteve apo edhe shërbimeve – në këtë të fundit Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm, pasi që kemi edhe bilanc pozitiv tregtar. Profesori Dani Rodrik, kur flet për grantet argumenton që burokratët e administratës duhet të mbahen larg nga vendimmarrja në shpërndarje. Në vend të kësaj, propozon që dikush nga niveli i lartë politik të merr përgjegjësi të udhëheqë këto politika. Kjo sepse dikush nga stafi i lartë politik do të kishte mundësi t’i ndalte dhe ri-destinonte mjetet në kohë rekorde, pasi që detyrë e qeverisë nuk është t’i përzgjedh fituesit, por të dijë kur ka një humbës. Pra, qeveria mund të bëjë gabime, dhe nëse ajo nuk bënë gabime, i bie që nuk është duke punuar sa duhet, vazhdon profesori Rodrik.

Por, forma e stimulimit nuk do të duhej të bazohej parimisht në grante. Nobelistët e ekonomisë të vitit 2019, Abhijit Banerjee dhe Esther Duflo, në vazhdën e hulumtimeve në fushën e ekonomisë zhvillimore, gjejnë se kur ndihmat shëndetësore ofrohen falas, ata injorohen dhe shpesh herë as nuk pranohen. Në anën tjetër, kur personat duhet të paguajnë, qoftë edhe një shumë simbolike, janë më të përgjegjshëm dhe ia dinë më shumë vlerën ilaçeve. Një paralele do të mund të tërhiqet edhe në aspektin e granteve. Personat që marrin para te gatshme nga qeveria kanë tendencë t’i keq menaxhojnë ato. Tek e fundit, thonë ata, s’janë pare t’mija.

Në vend të kësaj, kreditë e buta, dhe mundësisht pa normë interesi, do të ishin zëvendësuese të granteve. Kështu, nën premtimin për të kthyer mjetet financiare, personat që nuk kanë qëllim investimin por qasjen në “free money’’, do të mbaheshin larg nga formularët e aplikimit. Në vend të tyre, individë tjerë të motivuar për punë nuk do të hezitonin të bëheshin pjesë e programit.

3.

Ata që kanë më së shumti nevojë për ndihmë, s’kanë para në Trust. Kuptohet, qëllimi i kësaj mase që po diskutohet është rritja e kërkesës agregate, dhe jo ndihmave sociale. Por, punëtorët pa letra janë pjesë e madhe e tregut të punës. Rrjedhimisht, përsëri do të privilegjoheshin të privilegjuarit dhe do të përjashtoheshin nevojtarët. Një person që ka mjete në Trust, gjasat që është i punësuar i ka më të mëdha dhe mjetet shtesë ka tendencë t’i shpenzoj në mallra dhe shërbime luksi, që mund të kenë ndikim negativ në ekonominë vendore. Nëse mundësohet tërheqja e 10 për qind të mjeteve nga Trusti, shumëkush do të mendonte për pushimet verore. Të tjerët do të blinin një telefon të ri. E kështu me radhë. Natyrisht, në zinxhirin e këtyre shit-blerjeve do të kishte firma që përfitojnë, por ndikimi pozitiv në ekonomi do të ishte minimal – tendenca e madhe për importe mbetet kërcënimi kryesor.

Për më tepër, deklaratat se tërheqja e këtyre mjeteve është dëshirore, është e pakuptueshme. Nëse të lejohet tërheqja e 10 për qind e kursimeve të Trustit, me premtimin që qeveria do t’i kompensoj shumicën apo një pjesë të tyre, atëherë a është e mundur që dikush do ta lëshonte këtë mundësi? Personalisht, edhe nëse nuk do të më rimbursoheshin fare, do t’i kisha tërheqë këto mjete. Përfitimin më të madh nga to, vështirë që do ta kishte ekonomia jonë, por potencialisht vendet me turizëm verorë.

Nëse planifikohet shfrytëzimi i rreth 200 milionë euro nga mjetet e Trustit, do të ishte e udhës të shfrytëzohen për projekte të reja kapitale. Për shembull, nga viti 2000 e këndej, është diskutuar mundësia e ndërtimit të një termocentrali të ri. Momentum më të mirë se tash për të filluar ndërtimin nuk ka pasur. Termocentralet aktuale janë vjetruar dhe mirëmbajtja e tyre që nga pas lufta ka qenë shumë e kushtueshme. Rinovimi i tyre është shoqëruar me dyshime për keq përdorime. Sidoqoftë, nga një termocentral i ri, përfitimet do të ishin shumë dimensionale – ndotje më të ulët, punësim, rritje të kapaciteteve prodhuese në përgjithësi, e kështu me radhë. Për më tepër, nëse rezervat e qymyrit nuk shfrytëzohen në 10 vitet e ardhshme, atëherë vështirë që do të futeshin në funksion pas 10 vjetësh – besoj që importi i energjisë në atë kohë do të ishte me i lirë se prodhimi vendor nga qymyri.

Kuptohet, shuma prej 200 milionë euro të Trustit nuk do të mjaftonte për ndertimin e këtij termocentrali, por rritja e borxhit publik mbetet një mundësi reale. Edhe ashtu, borxhi që do t’i bartet gjeneratës së ardhshme do të kishte si kundërvlerë astete të rëndësishme strategjike. Gjithsesi, është mirë të theksohet që promovimi i ndërtimit të një termocentrali nuk është përkrahje për projektin e filluar kohë më herët.

Krejt në fund, mbes me shpresë që diskutimi për pakon e rimëkëmbjes të ketë vëmendje më të madhe të opinioni publik, duke pasur parasysh rëndësinë e saj për të ardhmen e ekonomisë tonë.

You May Also Like

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.