Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Një skemë tatimore që zvogëlon pabarazinë në të ardhura

Ilustrimi: BigEye

Me kalimin në Qeveri të vendimit për rritjen e pagës minimale pritet që të ketë edhe një reformë në skemën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale. Po aq sa ka qenë e domosdoshme rritja e pagës minimale, është edhe kjo reformë e cila duhet të shkojë përtej lirimit të pagës minimale nga tatimi.

Në fillim të prillit të këtij viti, në kuadër të studimit “The Big Picture: A Progressive Economic Agenda for Kosovo” të publikuar nga Friedrich Ebert Stiftung, kemi paraqitur një propozim konkret në lidhje me këtë reformë. Detajet e këtij propozimi mund të lexohen në studim, ndërsa më poshtë po e paraqesim një përmbledhje të saj.

Prej perspektivës së pabarazisë në të ardhura, duke përdorur të dhëna administrative të pagave për periudhën 2016-2020, fillimisht e kemi bërë një analizë rigoroze të skemës aktuale dhe kemi konstatuar se ajo nuk është as progresive e as rishpërndarëse mjaftueshëm, me ç’rast nuk është efektive në zvogëlimin e pabarazisë.

Ndonëse skema aktuale është progresive, sa për ilustrim, në Grafikun 1 shihet se mbi kë bie më së shumti barra tatimore. Me skemën aktuale, gjatë periudhës 2016-2020, vetëm 16.6% e punëtorëve që marrin paga kanë qenë krejtësisht të liruar nga tatimi. Ndërsa 31.7% e të gjithë atyre që janë paguar kanë marrë paga që janë prekur nga norma më e lartë margjinale që është 10%.

Grafiku 1. Shpërndarja e tatimpaguesve nëpër shkallët tatimore të skemës aktuale

      Image

Skemat të cilat synojnë zvogëlimin e pabarazisë në të ardhura përmes rishpërndarjes nuk mund të përfshijnë një përqindje aq të vogël të atyre që lirohen nga tatimi dhe një përqindje aq të lartë të atyre që e paguajnë normën më të lartë margjinale. Duke pasur zvogëlimin e pabarazisë në të ardhura si qëllim primar, kemi vendosur disa parametra mbi të cilët është ndërtuar skema.

Fillimisht, kemi vendosur që skema e re të jetë më progresive, ta zvogëlojë më shumë pabarazinë dhe koncentrimin, dhe të jetë më rishpërndarëse sesa skema aktuale. Po ashtu, kemi synuar që nga skema e re, shumica i.e., mbi 50% të marrin të ardhura më të larta neto sesa që marrin nga skema aktuale. Dhe, kemi synuar që nga skema e re të hyrat nga tatimi mos të jenë më të vogla sesa të hyrat që gjenerohen nga skema aktuale.

Në bazë të këtyre parametrave kemi propozuar një skemë që është rreth tre herë më progresive, rishpërndarëse dhe efektive në zvogëlimin e pabarazisë; dhe nga e cila përfitojnë të ardhura më të larta neto rreth 92% e punëtorëve dhe gjenerohen më shumë të hyra nga tatimi sesa nga skema aktuale. Një përmbledhje e kësaj skeme është paraqitur në Grafikun 2, ku kolona e parë paraqet normat margjinale tatimore, kolonat dy dhe tre paraqesin shkallët tatimore të pagave mujore bruto, kolona e katërt paraqet kufirin e sipërm të shkallës tatimore në vlerën e pagës së tatueshme, kolona e pestë paraqet pagën neto me skemën aktuale, kolona e gjashtë paraqet pagën neto me skemën e re që ne propozojmë, kolona e shtatë paraqet dallimin në pagën neto nga skema që ne propozojmë dhe skema aktuale, dhe kolona e fundit paraqet përqindjen e punëtorëve paga e të cilëve bie në secilën shkallë tatimore.

Grafiku 2. Një skemë e re tatimore për të ardhurat personale

Image

Me skemën e propozuar, mbi 53% e punëtorëve më të varfër do të liroheshin krejtësisht nga tatimi. Dhe, përderisa në skemën aktuale gati 32% e punëtorëve paguanin normën më të lartë margjinale prej 10%, me skemën aktuale normën më të lartë prej 38% do ta paguanin vetëm rreth top 1%-shi – pra, punëtorët me pagat më të larta.

Me këtë skemë, rreth 92% e punëtorëve do të merrnin të ardhura më të larta neto sesa ato që marrin nga skema aktuale. Rreth 4% mbi ta do të dëmtoheshin, në skenarin më të keq, rreth 22 euro. Dhe, barra kryesore e tatimit do të binte në top 4%-shin. Për më tepër, kjo skemë do të gjeneronte të hyra më të larta për buxhetin e shtetit sesa ato që gjenerohen nga skema aktuale. Dhe, për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, oferta e punës nuk do të ndikohej negativisht.

Duke qenë se përcaktimi i tatimit nuk është vetëm politikë fiskale që buron nga optimizimi, por historikisht ka qenë dhe mbetet përzgjedhje shoqërore, është më e lehtë kur çdonjëri e kupton se si mund të ndikohet nga ndryshimet. Prandaj, këtu kemi krijuar një kalkulator përmes të cilit mund të krahasohen të dy skemat: aktualja dhe propozimi që kemi bërë. Llogaritjet mund të bëhen për pagat që merrni edhe nga punëdhënësi primar edhe sekondar. Mjafton të vendoset paga bruto mujore dhe automatikisht mund të kuptohet se me cilën skemë paguhet më shumë tatim e me cilën përfitohet pagë më e lartë neto.

You May Also Like

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.