Në një videoklip të shkurtë prej 101 sekondash, Gazmend Bajri paraqet, në një formë, tërësinë e realitetit kosovar.
E xhiruar me një pamje të vetme, pa ndërhyrje, pa ngjyra, pa tekst dhe pa tematikë të zakonshme, të strukturuar, prodhimi i Bajrit flet sikur të mos ishte ndalur së foluri që nga viti 1999.
Në të fokusohet një lypëse teksa kërkon lëmoshë në rrugët e kryeqytetit. Protagonisjta, e mbuluar me një shami që në vete ngërthen më shumë traditën sesa religjionin, qëndron pa lëvizur, e gjunjëzuar ani pse jo tekstualisht, teksa pranë saj, me jorelevancë funksionale, kalon i gjithë qyteti, e gjithë shoqëria.
Në mes të kalimtarëve ka të rinj e pleq, burra e gra, të qeshur e të ngrysur, përngutshëm dhe me kohë plot. Secili prej tyre sikur vjen e shkon duke e ndërtuar kështu një fluskë të tyre të realitetit, jetës. Dhe, në një formë, të gjithë ato fluska, sikur krijojnë një fluskë gjigante, një realitet që e ndajnë të gjithë, ku përfshihen të gjithë. Një realitet shoqëror që vibron jo njëtrajtshëm ku bëjnë pjesë të gjithë… Pos lypëses! Ajo, me qëndrimin e saj pa lëvizje, përfaqëson vrazhdësinë e së vërtetës, shkretëtirën e njëmendtë të realitetit.
Ani pse pamjet e xhiruara nga Bajri nuk janë të reja, pra nuk janë të ditëve të fushatës zgjedhore, ato më së miri e definojnë këtë fushatë. Lëvizjet, vibrimet, funksionet dhe gjithë britmat e klithmat e jetës politike e sociale, nuk mbesin gjë tjetër pos një sferë virtuale, një lojë, një shtierje. Karshi saj mbetet e vërteta, realja pra, e cila nuk lëvizë, nuk vibron. Realja mbetet e shtangur, dhe, për më shumë, të shtangë.
Të tjerët në copëzën vizuele të Bajrit, shtiren se jetojnë. Është lypësja ajo që njëmend jeton, që njëmend përjeton peshën e papërballueshme të jetës së vërtetë në Kosovë, me gjithë identetin e saj gjinor e klasor, gjithë identitetin ontologjik.