Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

1999/2020

Nuk e di se çka do të ndodhë në 20 apo 30 vitet e ardhshme. Nuk e di as çka do të ndodhë në fund të këtij viti. Mbase nuk e di as çka do të ndodhë nesër, madje, nuk e di tamam as fundin e këtij shkrimi. Por një gjë e di me siguri: Kosova është Republikë. Republika që aq shumë e kërkuam dhe tani kaq pak po e duam (sic). Dikur e një kohë as në ëndrrat më të shfrenuara ne (shqiptarët e Kosovës) nuk kemi besuar se një ditë do të çlirohemi nga pushteti i Serbisë, e lëre më të bëhemi shtet i pavarur, e i njohur ndërkombëtarisht; se në vendin tonë të okupuar do të vijë aleanca më e madhe botërore, NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të na çlirojë. Mirëpo, ja që ndodhi. Diçka që ne e mendonim dhe e besonim si të pamundur, në fakt kishte ndodhur. Një përpjekje e gjatë për liri dhe në fund një luftë për çlirim, në hartën e shteteve të botës, i dha identitet politik dhe shtetëror Kosovës. Entuziazmi i qytetarëve pothuajse e kishte prekur kupën e qiellit. Një rrëfim të tillë veç Hollywood-i do të mund ta prodhonte.

Mirëpo, pas gjithë këtij rrugëtimi të suksesshëm, gradualisht entuziazmi fillon të bjerret gjatë këtyre 20 viteve, nga keqqeverisja, e sidomos pas 17 shkurtit 2008. Edhe ato veprime të mira që ishin bërë dhe bëheshin, humbnin në mjegullën e madhe që villnin pushtetet e korruptuara. Nga kjo keqqeverisje lëndohen edhe vetë themelet e shtetit. Ata që keqpërdornin pozitat shtetërore nuk është se po bënin dëme të tipit kolateral, jo, ata po rrezikonin substratin e shtetit, sepse keqpërdorimet ishin strukturore. Ç’është e vërteta, vetë 17 shkurti, pra, pavarësia e Kosovës, krijoi edhe një dilemë të madhe në raport me Shqipërinë. Dhe këtë dilemë e thellon edhe më shumë deri në atë masë sa e bën edhe kauzë politike kryeministri aktual, i cili më 2010 ishte bërë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës bashkë me partinë e tij, e që për agjendë politike kishte kundërshtimin e themeleve të shtetit, që për fundament kishte Pakon e Ahtisarit. Për afro 10 vjet ky diskurs destruktiv që atakonte ekzistencën e shtetësisë kishte krijuar një kohësisht dy defekte afatgjata. E para: sjellja destruktive me shtetin, e bënte destruktiv edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe për këtë të fundit shihej si i papranueshëm, dhe e dyta (që derivon nga e para): kjo sjellje agresive dhe destruktive ishte bërë mirëmbajtësi më i mirë i një klase politike të korruptuar. Pra, para qytetarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare ishin dy oferta: njëra ofertë ishin politikanët e korruptuar, por të dëgjueshëm dhe deridiku konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare, dhe oferta tjetër ishin kundërshtarët fundamentalist të shtetit dhe të pothuajse çfarëdo bashkëpunimi.

Gjatë gjithë kësaj kohe të përçudnuar, ku nënjërën anë kishim pushtetarët abuzues me shtetin dhe në anën tjetër opozitën e cila kundërshtonte gjithçka që ishte arritur, në mes ishin qytetarët. Dhe sa më shumë thellohej kjo ndasi, aq më shumë qytetarët po e humbnin dashurinë dhe respektin për vendin e tyre. Një shpresë aq e madhe që kishte ardhur më 1999 dhe më 17 shkurt 2008, u tret në përmasa të frikshme. Në mënyrë masive njerëzit po largohen nga ky vend, thuajse po ikun nga kolera. Pothuajse, secili është duke e pritur një lajm nga ambasadat e huaja, që të largohet. Edhe ata të cilët janë këtu, duket se mendjen e kanë diku gjetkë. Pra, janë të rralla rastet, kuriozitet madje, të dëgjosh dikë që thotë me plotë gojën se “unë dua të rri këtu dhe fëmijët e mi të rriten në këtë vend”. Askush nga akterët politikë seriozë nuk ia kishte vënë gishtin kokës dhe të shtronte pyetjen se ku dërgon një qasje e tillë. Për të drejtën e qeverisjes me këtë vend të vogël e të varfër, shumë të varfër, disa thirren në rezistencë të armatosur, disa në rezistencë paqësore, e disa në moralitetin e të pakorruptueshmërisë, por askush nuk thirret në përgjegjësi qytetare dhe kushtetuese. Mendësi fisnore, e bajrakut, me qeverisjen e shtetit në kohën digjitale (sic).

Mirëpo, siç e thotë edhe Voltaire tek libri i tij Candide, “pas çdo të keqeje, vjen e mira”, atëherë zgjedhjet e 6 tetorit 2019, do të duhej të prodhonin diçka ndryshe, përmbajtësore dhe që ne të mund të themi më në fund se kjo është e mira. Mirëpo, për t’u bërë hopi cilësor duhet që lojaliteti ndaj shtetit të Kosovës të jetë i sinqertë dhe jo vetëm protokollar dhe, po ashtu, për ta rikthyer shpresën te qytetarët krahas një qeverisjeje të mirë, të ketë edhe një dakordim me miqtë ndërkombëtarë në raport me marrëveshjen me Serbinë. Mbase aktualiteti politik kërkon që dialogu Kosovë-Serbi të jetë primar dhe Qeveria e Kosovës do të duhej që seriozisht t’i qaset kësaj agjende. Në të kundërtën, moszgjidhja e këtij problemi do ta thellojë edhe më shumë krizën si brenda ashtu edhe jashtë shtetësisë së Kosovës dhe sikur këto 20 vitet që kaluan, ashtu edhe më tutje, Serbia do të mbetet “mirëmbajtëse” e politikës kosovare. Ata që qeverisnin dhe bënin opozitë dje, do të duhej të ndryshonin nga këta që qeverisin dhe bëjnë opozitën sot. Nëse dallimi to të jetë vetëm simbolik, atëherë përkeqësimi do të jetë përmbajtësor.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.