Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

A do të ketë rimëkëmbje ekonomike?

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është një nga ligjet më të rëndësishme të miratuara deri më tash. Ky ligj është një sipërmarrje mjaft e madhe që i rritë obligimet e shtetit dhe do të ketë pasoja mjaft të mëdha për financat publike. Këtu do ta shqyrtoj përmbajtjen e këtij ligji dhe atë se sa në të vërtetë do ta arrijë qëllimin e rimëkëmbjes ekonomike ky ligj?

Fillimisht po i listoj aspektet më pozitive të këtij ligji. Së pari, gjëja më e mirë për ekonominë e Kosovës në këtë ligj është favorizimi i përkohshëm i prodhuesve vendorë në tenderim, pra përparësitë për prodhuesit e produkteve dhe shërbimeve vendore (Neni 13) në vlerësimin e ofertave. Kjo gjë do të ndikojë në rritjen e prodhimit vendor, edhe pse për një afat të shkurtër.

E dyta, një gjë e mirë është transferi që do të bëhet te një pjesë e qytetarëve, përmes kompensimit të pagave të punëtorëve në sektorin privat me 300 euro për tre muaj (Neni 12). Edhe pse ky nen i ka mangësitë e veta, sepse përjashton një numër të madh të punëtorëve, ky transfer do të jetë një ndihmesë e përkohshme për buxhetin e shumë familjeve.

Në anën tjetër, ligji ka shumë aspekte negative. Së pari, problemi kryesor është mundësia e abuzimeve të mëdha me fondin për ndërmarrje private. Mundësitë për keqpërdorim të Nenit 11, që parasheh shpërndarjen e 200 milionë eurove te firmat private janë të mëdha. Definimi i firmave që do të kenë qasje në këtë fond është shumë i gjërë. Ka shumë gjasa që efekti kryesor i këtij neni është forcimi i kapitalizmit klientelist dhe oligarkisë, sepse firmat që do të përfitojnë do të kenë lidhje me politikën.

Së dyti, një problem tjetër madhor me ligjin është lënja jashtë e kategorive joformale të punësimit. Shtresat e popullsisë me gjendjen më të rëndë, pothuajse fare nuk preken nga ky ligj. Kjo është mangësi e madhe kur dihet se joformaliteti është në nivel shumë të lartë në vend. Duke injoruar shtresat më të varfëra të shoqërisë, ky ligj do ta rrisë pabarazinë në vend.

Moszhvillim, pabarazi dhe borxh publik

Efekti kryesor i këtij ligji do të jetë forcimi i sektorit primar ne ekonomi pra duke e nxitur edhe më tutje bujqësinë e xehetarinë. Fokusi kryesor i këtij ligji është në bujqësi, gjë që do ta forcojë edhe më shumë pozitën e këtij sektori në ekonomi e që do të ketë efekte negative për zhvillim. Mosdiskriminimi në lëndën e parë që përdoret brenda vendit dhe asaj që eksportohet, poashtu do ta cimentojë pozitën e Kosovës si eksportues i lëndës së parë, pra si një ekonomi primare. Kjo do ta përkeqësoje pozitën e vendit në tregjet globale duke e vështirësuar edhe më tej ngritjen në një ekonomi prodhuese/përpunuese. Këtu ia vlen të theksohet se i vetmi nen i ligjit që do të ketë efekt të përhershëm është ai që e ndalon dallimin mes këtyre dy llojeve të lëndës së parë. Kjo gjë do t’i eliminojë cytjet për të përpunuar lëndën e parë brenda vendit në sektorin e manufakturës gjë që do të ishte një proces zhvillimor pozitiv.

Rritja e pabarazisë është efekt tjetër i këtij ligji. Përfitimi nga shtresat më të pasura garantohet përmes injorimit të pjesës joformale të ekonomisë si dhe përmes fondit për firmat, që pothuajse është e garantuar se do të shkojë kryesisht te firmat më të mëdha. Në këtë aspekt ligji është mjaft diskriminues sepse nuk përfshinë ndonjë provizion që synon të shtrijë rrjetin e mirëqenjes sociale tek shtresat më të rënduara ekonomikisht.

Pasojat afatgjata të rritjes së borxhit publik janë një problematikë tjetër e këtij ligji. Sipas kalkulimeve të qeverisë shuma që do të tërhiqet nga trusti do të jetë rreth 200 milionë euro, të cilat më vonë do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Kësaj i shtohet edhe shuma e fondit prej 200 milionë eurove tjera, dhe arrihet një shumë prej 400 milionë eurosh që duhet të financohet disi. Për më tepër, duhet të llogarisim edhe mungesat në të hyrat publike që do të jenë prezente për shkak të lehtësimeve të ndryshme tatimore e që mund të arrijnë shifra të paktën prej dhjetra milionë eurosh. Të gjitha këto kosto, qeveria sigurisht se do t’i mbulojë përmes huamarrjes publike. Kjo do ta rris borxhin publik konsiderueshëm, gjë që veç ka ndodhur edhe në dekadën e fundit dhe në të ardhmen mund ta vështirësojë pozitën ekonomike të vendit.

Mundësi e humbur

Sa do ta arrijë qëllimin e deklaruar ky ligj? Nëse shikohen nenet e ligjit dhe politikat e instaluara, nuk mund të flitet për një rimëkëmbje ekonomike dhe e shumta që mund të pritet nga ky ligj është nje rritje e përkohshme e konsumit në afatin e shkurtër, pa ndonjë pasojë pozitive në aspektin afatgjatë. Në përgjithësi mund të thuhet se ky ligj është një shans i humbur. Qeveria dhe Kuvendi patën shansin që të miratojnë një ligj që do ta ndryshonte strukturën ekonomike të vendit. Por nuk e bënë një ligj të tillë, dhe ligji aktual vetëm se do ta thellojë krizën kronike ekonomike duke forcuar pabarazinë. Për më tepër do ta bëjë edhe më të vështirë zhvillimin, duke sforcuar sektorët primar të ekonomisë. Një ligj i mirë do të duhej të dizajnohej në atë mënyrë që synon ta ndryshojë strukturën ekonomike. Kjo do të bëhej përmes sforcimit dhe promovimit të prodhimit e sektorit të manufakturës, firmave që krijojnë vende pune dhe përmes kushtëzimit të qasjes në ndihma me formalizim të punësimit e futje në rrjetin e pagesës së tatimeve.

15 dhjetor 2020
14:31

Seb Bytyçi

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.