Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

A do te sjellin normalitet zgjedhjet jonormale?

Këto zgjedhje janë jonormale për disa arsye, duke qenë se po ndodhin në pandemi, dhe erdhën si pasojë e një vendimi të gjykatës kushtetuese, por si duket ka gjasa të sjellin njëfarë normaliteti. Pas ndërrimit të shpeshtë të disa qeverive, përqindja e votave që pritet ta fitojë lista LVV-Guxo garanton një stabilitet politik e potencialisht një qeveri që mund ta mbarojë mandatin e plotë. Për ta arritur këtë, kësaj liste i duhen së paku 52 deputetë që ia mundëson formimin e qeverisë vetëm me pakicat joserbe. Sigurisht vendimet e gjykatës kushtetuese dhe të KQZ-së nënkuptojnë se të gjithë deputetët që votojnë për qeverinë e ardhshme nuk mund të kontestohen dhe kështu të rrezikohet rënia e qeverisë së sapoformuar. Të shohim më poshtë skenën politike dhe çfarë po ndodh në të.

Lista Vetëvendosje-Guxo

Meqenëse LVV vie nga qendra e majtë dhe Lista Guxo nga qendra e djathtë, kjo listë mund të quhet koalicion i qendrës, sado që pritet të dominojë programi i LVV-së. Ka shumë mundësi për të bashkëpunuar këto dy subjekte sepse e perbashkëta e tyre është reforma. Sigurisht se fokusi fillestar do të duhej të ishte ato fusha që nuk janë ideologjike, si reforma institucionale dhe lufta kundër korrupsionit. Të dyjat duhet të tregojnë përkushtim për reformë administrative të shtetit (duke filluar me testin e shërbyesve civil). Poashtu jo-ideologjike janë edhe ligjet “me dhëmbë” kundër korrupsionit si Ligji mbi pasurinë e pajustifikueshme.

Pika tjetër e përbashkët janë programet universale për t’u ballafaquar me pasojat e pandemisë së kovidit. Pandemia ka detyruar të gjithë të kthejnë vemendjen mbi çështje sociale, krizën ekonomike dhe intervenimet e shtetit për të parandaluar kolapsin socio-ekonomik. Këtu duhet një ravijëzim i qartë i intervenimeve që do të mirren me pasojat e pandemisë. Pas Pakos emergjente dhe Ligjit për rimëkëmbje vendi ka nevojë për një pako të tretë që do të ishte më e madhja dhe që do ta vendoste themelin për zhvillim ekonomik. Si shembull mund të mirren përvojat e shteteve tjera që nga Korea Jugore e deri te Maqedonia Veriore e cila ka zbatuar një sërë pakosh të njëpasnjëshme.

Përveç dy fushave më lartë, janë edhe politikat ekonomike, psh politikat financiare si Fondi sovran e Banka zhvillimore. Këtu dy subjektet mund ta kontrollojnë njëra tjetrën, gjë që mund të rezultojë në garanci që fondet nuk do të keqpërdoren për qëllime buxhetore por për zhvillim. Edhe pse do të ishte më mirë të krijohet një Bankë zhvillimore, fillimisht mund të krijohet një Fond zhvillimor që shërben edhe si mënyrë e ballafaqimit me pasojat e kovidit. Këtu e kam fjalën edhe për ide që kanë të bëjnë me krijimin urgjent të vendeve të punës, siç do të ishin garantimi i pagesave për punëtorë të rinjë për firmat e mesme, gjë që e ka bërë UNDP më herët, apo edhe ndërtimi i një institucioni të ri të Mbrojtjes së parqeve nacionale.

Deri më tash këto subjekte, ofertën kryesisht e kanë bazuar në premtimin për shkapjen e shtetit dhe luftën kundër korrupsionit. Përderisa dihen qëndrimet e kaluara për politika intervencioniste, gjatë kësaj fushate mbetet të shihen premtimet konkrete për fushat tjera si ekonomia, arsimi e shëndetësia. Edhe psë pritet që kjo listë t’i fitojë zgjedhjet, numri i saktë i votave që do t’i merr mvaret edhe nga sqarimi i ofertës konkrete në fushat prioritare.

PDK, LDK, AAK

“Partitë e vjetra”, apo partitë që përfaqësojnë rendin e vjetër, deri më tash në porositë e tyre kanë hasur në disa probleme, e kryesori është bagazhi i qeverisjes së bashku gjatë dy dekadave të fundit, gjë që në përgjithësi nuk shihet si qeverisje e suksesshme nga publiku. Janë tri lloj porosish që dalin nga këto parti. Së pari, theksimi i sukseseve të pretenduara sipas tyre, së dyti, porositë që i dërgohen faktorit ndërkombëtar, dhe së treti premtimet për politikat që do t’i zbatojnë. Te e para ka mjaft probleme, sepse arritjet që potencohen nga këto parti shihen si problematike, siç është për shembull marrëveshja me Serbinë e ndërmjetësuar nga Grenelli. Së dyti, mesazhet që i dërgohen faktorit ndërkombëtar, kryesisht nga LDK, janë se nëse një qeveri e udhëhequr nga ta do të ishte e dëgjueshme. Edhe kjo është problematike sepse votuesit janë irrituar me këtë lloj sjellje. E treta, premtimet për politika të ardhshme janë kthim mbrapa sepse i kujtojnë fushatat e mëhershme kur të njejtat parti bënin premtime astronomike që nuk i realizuan. Premtimet e miliardave nga PDK dhe ai për bashkim me Shqipërinë nga AAK, tingëllojnë megalomane dhe thjeshtë premtime që thuhen në fushatë. Fokusi i PDK-së në ekonomi është edhe më tutje problematik kur dihet se politikat ekonomike të deritashme shpesh janë udhëhequr nga eksponentët e njejtë, dhe nuk kanë pasë sukses të sjellin zhvillim.

Në anën tjetër këto parti premtojnë politika për të cilat e kanë akuzuar listën rivale të Vetëvendosjës-Guxo si “anti-amerikane” kur ajo i ka promovuar ato politika. Për shembull LDK tash premton reciprocitet me Serbinë por ishte vetë LDK që e braktisi idenë e reciprocitetit në qeverinë jetëshkurtër me LVV-në dhe ndërpreu bashkëqeverisjen. Partia e vogël që i shoqëron këto parti, NISMA, si duket nuk do ta kalojë pragun fare. Në përgjithësi votuesit janë të zhgënjyer me këto parti, dhe të trija këto janë në proces të menaxhimit të rënies. Nëse i marrin bashkë mbi 40 deputetë, do të tentojnë të formojnë qeveri në koalicion më Listën Serbe dhe partitë e pakicave joserbe. Por kjo do të jetë e vështirë nëse LVV i ka votat e mjaftueshme që ta formojë qeverinë vetë.

Konsolidimi i skenës politike

Një fenomen tjetër që po ndodh në skenën politike të Kosovës është konsolidimi i elektoratit. Kjo pas një periudhe kur mbizotëronte fragmentimi i trupit votues. Sondazhet tregojnë që rreth gjysma e elektoratit favorizon listën pro-reformë LVV-Guxo, kurse përafërsisht gjysma tjetër ende favorizon klasën e vjetër të partive LDK, PDK, AAK, NISMA dhe partitë e pakicave. Pra kemi një ndarje në dysh të elektoratit dhe kjo pritet të reflektohet në rezultatet e zgjedhjeve.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.