Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

A duhet të rehabilitohen luftëtarët e huajë

Përderisa Kosova ende përballet me luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm, sfidë kryesore mbeten të kthyerit nga luftërat e huaja, respektivisht nga Siria dhe Iraku. Nga 130 luftëtarë të kthyer në Kosovë, 120 prej tyre janë arrestuar nën dyshimin për terrorizëm dhe po gjykohen nga organet e drejtësisë. Pyetja shtrohet: a duhet të përdoren mjetet represive apo duhet një qasje më e butë e shtetit që do të mundësonte riintegrimin e tyre në shoqëri?

Riintegrimi i ish luftëtarëve të huaj në Kosovë është një fenomen i ri dhe shumë qytetarë nuk kanë informacion të mjaftueshëm se çfarë nënkupton ky koncept. Riintegrimi është një proces shumë i rëndësishëm i cili tenton të ofrojë mbështetje individëve me qëllim të shkëputjes së tyre nga ideologjitë e dhunshme. Është një proces kompleks i cili kërkon kohë dhe përfshirje të akterëve të ndryshëm. Natyrisht që kjo kërkon kundërpërgjigje për të gjithë shkaktarët të cilët kanë çuar deri në radikalizim. Meqenëse kërkohet një qasje e veçantë duke ju përshtatur psiqikës së secilit individ të radikalizuar dhe personave të tjerë të cilët potencialisht mund të preken nga ky fenomen (p.sh të burgosurit tjerë), është e rëndësishme të bëhet kategorizimi i personave të radikalizuar të cilët paraqesin rrezik për shoqërinë.

Grupin e parë e përbëjnë ata të cilët janë kthyer me vullnetin e tyre, të penduar për atë se çfarë kanë bëre. Konsiderohet se këta persona nuk paraqesin ndonjë rrezik meqë i kanë rezistuar ideologjive ekstremiste. Në grupin e dytë hyjnë ata të cilët kanë marrë pjesë në luftëra, janë kthyer por që nuk pendohen, thjesht mendojnë se kanë bërë atë që është dashur. Këta persona konsiderohen potencialisht të rrezikshëm për arsye se ende përkrahin ideologjinë ekstremiste islamiste, e që po t’ju jepej rasti, do të shkonin përsëri.

Pa paragjykuar, dua të them se në grupin e tretë hyjnë ata persona që janë kthyer me një qëllim jo të mirë e mbase edhe rekrutim të të tjerëve. Kjo natyrisht që paraqet rrezik për shoqërinë tonë. Grupin e fundit e përbëjnë personat e radikalizuar por të cilët ende nuk kanë kryer ndonjë vepër inkriminuese: ata lehtë mund të shndërrohen ne kryrerës të veprave të ndërlidhura me ekstremizmin e dhunshëm si dhe rekrutues e indoktrinues të personave tjerë. Andaj, pa trajtimin e këtyre personave de-radikalizmi është pothuajse i pamundur.

Riintegrimi i luftëtarëve të huaj nëpër vendet e ndryshme të botës tashmë është bërë një ndër top prioritetet sa i përket luftimit të terrorizmit (ekstremizmit të dhunshëm). Shumica e vendeve të ndryshme si Danimarka, Norvegjia, Gjermania, tashmë kanë programet e tyre rehabilituese dhe riintegruese për ish luftëtarët e huaj. Këto vende njihen për qasjen e tyre të “butë” ndaj ish luftëtarëve të huaj duke ju dhënë mbështetje në ofrimin i vendeve të punës, përmirësim të kushteve të banimit, dhe mbështetja mjekësore e këshillimet psikologjike në këto programe janë principet kryesore që parashihen në strategjitë e tyre. Një element shumë i rëndësishme që padyshim do të zinte vend edhe në programet e Kosovës për riintegrim është edhe roli i familjes në vetëdijesimin e qytetarëve dhe krijimin e narrativës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Programe të tilla patjetër që duhet të ketë edhe Kosova.  Por a është e gatshme Kosova të krijojë një model të tillë të risocializimit të të kthyerve?

Neni 5 i “Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale” thekson se riintegrimi dhe trajtimi human i personave të dënuar është mjet i domosdoshëm për normalizimin dhe rikthimin e tyre në shoqëri. Rrjedhimisht kërkohet një përkushtim në trajtimin e këtij fenomeni të individëve të përfshirë në luftërat e huaja.

Pavarësisht paragjykimeve të shoqërisë kosovare ndaj tyre, rezultate nga hulumtime të ndryshme tregojnë që ka një vullnet për rehabilitimin dhe rikthimin e tyre në shoqëri. Kosova e ka tashmë strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku parashihet një përfshirje e gjerë drejt parandalimit dhe de-radikalizimit, por zbatimi i saj nuk ka filluar ende.

Masat e vetme të cilat po aplikohen tek këta persona janë dënimet me burgje që shumëherë dinë të jenë të kundër-efektshme. Momentalisht zbatimi i kësaj strategjie ballafaqohet me shumë sfida. Deradikalizmi dhe programet riintegruese kërkojnë investim të madh të resurseve por zhvillimi jo i mirë ekonomik e bënë më të vështirë. Andaj, ndihmesa nga partnerët ndërkombëtarë si dhe ekspertiza e jashtme janë vendimtare për një proces të suksesshëm të de-radikalizmit. Sfidë tjetër përbën edhe mungesa e stafit profesional të specializuar të cilët do të mund t’i trajnonin këta individë në mënyrë adekuate, si dhe buxheti i kufizuar i cili nuk mund t’i mbulojë të gjitha këto.

Në përballjen me këto sfida duhet angazhim dhe përkushtim maksimal i akterëve përfshirës dhe  kontribuesve kyç, si akterët shtetëror ashtu dhe ata joshtetëror. Fundja, izolimi dhe margjinalizimi i këtyre personave nuk sjell asnjë dobi, pos një revoltimi që shpie përsëri në destabilizim.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.