Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Administrata Trump 2: efektet e mundshme në dialogun Kosovë-Serbi

Ilustrimi nga Big Eye

Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm stabilizues dhe mbështetës për zhvillimin demokratik dhe procesin euro-atlantik. 

Megjithatë, riardhja e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur shqetësime në rajon, duke pasur parasysh qasjen transaksionale të tij gjatë mandatit të parë, që prioritizonte interesat ekonomikë mbi vlerat demokratike.

Në veçanti, fokusi në rajon do të jetë se si do t’i qaset kjo administratë mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht, riardhja e presidentit Trump sjell pikëpyetje të mëdha.

Prania e trupave amerikanë në Kosovë

Shqetësimi i parë lidhet me faktin se Trump-i nuk ka pëlqim për NATO-n dhe ofrimin e asistencës dhe mjeteve ushtarake për europianët. Në këtë kontekst, Kosova do të mund të prekej nga një zvogëlim ose tërheqje e pranisë amerikane në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR). 

KFOR-i ka qenë një garanci e rëndësishme e sigurisë për Kosovën dhe rajonin, dhe tërheqja e mundshme e forcave amerikane do të krijonte një destabilitet dhe një vakum të sigurisë, që do të mund të keqpërdorej nga forca keqdashëse në rajon dhe botë. Kjo gjë do të kishte pasoja për stabilitetin e brendshëm të Kosovës dhe do të rrezikonte përparimet e bëra deri tani në dialogun Kosovë-Serbi.

Rizgjedhja e Richard Grenell-it si emisar për rajonin

Richard Grenell-i po përflitet të rimarrë postin e emisarit në Ballkanin Perëndimor, apo të marrë rolin e emisarit në negociatat Ukrainë-Rusi. Kjo gjë mbetet të shihet. Mirëpo, në rast se Grenell-i rimerr pozitën e tij në Ballkanin Perëndimor, kjo gjë mund ta kthejë Marrëveshjen e Uashingtonit dhe t’i shtyjë palët shumë shpejt drejt një marrëveshjeje të re, duke neglizhuar temat e rëndësishme politike.

Nëse një qasje e ngjashme rikthehet, ekziston mundësia e një moratoriumi të ri në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Një qasje e tillë do të mund të favorizonte Serbinë, lidershipi i së cilës ka raporte mjaft të ngushta me Richard Grenell-in dhe Jared Kushner-in.

Ballkani mund të mos jetë në fokus fare

Në rast se Ballkani nuk do të ketë fokus gjatë Administratës Trump, atëherë Kosova duhet të përgatitet se si Administrata Trump mund të ndikojë në mënyrë indirekte edhe në Ballkan, apo në dialogun Kosovë-Serbi.

Një armëpushim i mundshëm në luftën në Ukrainë apo një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë do të kishte efekte indirekte në dialogun Kosovë-Serbi. Kosova duhet të jetë e përgatitur për një skenar të tillë, sepse çdo marrëveshje eventuale në Ukrainë do të përfshijë territoret e okupuara, gjë që mund të hapë një fron të ri në dialog rreth kufijve aktualë.

Kosova duhet të jetë e parapërgatitur 

Administrata Trump ka dëshmuar në të kaluarën se është e paparashikueshme në politikën e saj të jashtme dhe një rikthim i mundshëm i kësaj administrate kërkon një nivel të lartë vigjilence dhe përgatitjeje. 

Prandaj, është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa për t’u mbrojtur nga efektet e kësaj administrate dhe të adaptohet varësisht nga ndryshimet në qasjen amerikane.

Masat parandaluese janë një përpjekje më e gjerë në Europë për të kufizuar ndikimin e politikave të paparashikueshme amerikane. 

Por, mbi të gjitha, Kosova, si një prej vendeve që ka përfituar më së shumti nga mbështetja amerikane, duhet të fokusohet në forcimin e institucioneve të saj shtetërore, ruajtjen e lidhjeve të ngushta me aleatët amerikanë dhe përgatitjen për çdo skenar që mund të paraqitet në të ardhmen.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.