Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Aktet juridike nuk mjaftojnë për zhvillim ekonomik

Illustration: Big Eye

Aktet juridike nuk mjaftojnë për zhvillim ekonomik

Ilustrimi: Big Eye

Ligji i ri për Trepçën vetëm sa konfirmon një nga dobësitë fundamentale të organizimit të veprimtarisë ekonomike në Kosovë. Ligji për Trepçën, në vend se të krijojë kornizë për veprimtarinë komerciale të Trepçës dhe ndërmarrjeve të tjera shtetërore, gjason më shumë me një çarter ose akt biznesor që rregullon mënyrën e organizimit të një firme. Më shumë se një ligj, Kuvendi i Kosovës pak a shumë miratoi një aktvendim juridik që përcakton deri në imtësi organizimin e brendshëm të një organizate që, në fund, do të duhej të vepronte si një biznes i pavarur komercial.

Kjo është pasojë e tendencave që nga viti 2001 e mos edhe më herët, për të ngushtuar dhe mundësisht edhe eliminuar praninë e ndërmarrjeve shtetërore në ekonominë e Kosovës. Nën moton e privatizimit dhe ndërtimit të “ekonomisë së tregut” (e vënë në thonjëza sepse për protagonistët e të të ashtuquajturave reforma, ky formulim ka shërbyer kryesisht si armë ideologjike), drejtimi i ribërjes së institucioneve ekonomike në Kosovë pas luftës ka qenë drejt eliminimit të pronësisë shtetërore në ekonomi. Kjo përpjekje ka marrë hov sidomos pas vitit 2008, me përpjekjet e qeverive të njëpasnjëshme (disa të suksesshme, disa të dështuara) që të privatizojnë ato pak asete strategjike dhe profitabile që kanë ngelur në pronësi shtetërore, si KEDS, PTK dhe KEK-u.

Trepça i takon, me identitet nëse jo me kategorizim juridik, këtij grupi ndërmarrjesh por i cili, në dallim nga këto, nuk ka qenë tërheqës për investitorë për shkak të kërkesave të mëdha të kapitalit investues që do të kërkoheshin për rigjenerimin e ndërmarrjes dhe për shkak të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Beogradit në këtë ndërmarrje përmes kontrollimit të një pjesë të aseteve të saj, ato në pjesën veriore të vendit, përmes menaxhmentit të saj paralel. Nuk duhet nënçmuar rrezikun që paraqet për cilindo investitor edhe mundësia ligjore ndërkombëtare e shtetit serb për të bllokuar ose të paktën bërë të vështirë veprimtarinë e Trepçës me pretendimet e veta juridike se Trepça është pronë, ose se ka obligime financiare, ndaj Serbisë.

E gjetur para obligimeve ligjore e presioneve politike për shpëtimin e ndërmarrjes nga zhdukja, qeveria e Isa Mustafës nxori këtë ligj i cili synon ta shpëtojë ndërmarrjen nga likuidimi. Ky qëllim do të arrihet, të paktën në pikëpamje afatshkurtër. Trepça do të vazhdojë të ekzistojë, por realitetet e Trepçës nuk do të ndryshojnë. Jam skeptik gjithashtu (pavarësisht kritikave valide të Lëvizjes Vetëvendosje, se ligji synon privatizimin e ndërmarrjes) se do të ketë ndonjë interesim nga investitorë të huaj privatë për blerjen e ndërmarrjes. Përveç problemeve politike, ka faktorë të tjerë për këtë. E para, tregu i komoditeteve, veçanërisht i metaleve, tash e tre vite është në depresion. Importuesi më i madh i metaleve – rrjedhimisht edhe përgjegjësi kryesor për rritjen e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare – Kina, ka zvogëluar kërkesën. Efektet e kësaj po i shohim edhe në Kosovë, me falimentimin e Llamkosit. E dyta, dikur Trepça furnizonte tregun jugosllav, por riorientimi i eksporteve drejt tregjeve të reja dhe integrimi i prodhimit me zinxhir të furnizimit global (global supply chain) nuk ka ndodhur, apo nuk ka ndodhur mjaftueshëm. E treta, ligji aktual garanton që Trepça të mbetet nën kontroll politik, që do të vazhdojë të jetë pengesë për zhvillimin e aktivitetet të mirëfillta komerciale. Kjo do të vazhdojë të reflektojë sidomos në mungesën e menaxhmentit profesional dhe me një vizion global për këtë ndërmarrje, pa të cilin nuk mund të bëhet asnjë ristrukturim dhe riorientim i ndërmarrjes.

Por, ajo që është më me rëndësi ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës institucionale që është pengesë për zhvillimin si të Trepçës, ashtu dhe të ndërmarrjeve të mëdha strategjike, në të cilat potencialisht do të mund të inkuadrohej edhe kapitali privat. Kjo e fundit do të ishte veçanërisht e mundur përmes mundësisë që ndërmarrjet e mëdha të Kosovës të shërbejnë si bazë për krijimin në Kosovë të tregut të kapitalit.

Kjo mungesë institucionale është e trefishtë. E para, është komercializimi i pamjaftueshëm i ndërmarrjeve ekzistuese shtetërore. Ky komercializim i gjymtuar është pjesërisht rezultat i mbajtjes së ndërmarrjeve nën kontroll politik (si bazë për patronazh politik, ndarje vendesh pune për familjarë e lojalistë partiakë, ndarje tenderesh etj.). Me një fjalë, para se të jenë ndërmarrje me qëllime komerciale, ato mbesin në radhë të parë instrumente politike e elektorale të partive në pushtet. E dyta, mungesa e infrastrukturës institucionale ka të bëjë me mosdefinimin e rolit të shtetit si aksionar në ndërmarrjet ekonomike të Kosovës. Sot, ekzistojnë një mori formash se si Republika e Kosovës ushtron pronësinë e saj mbi ndërmarrje të ndryshme në Kosovë. Për ndërmarrje komerciale, një përkufizim i rolit të shtetit si pronar i aseteve ekonomike do të ndodhte sikur të krijohej një agjension i vetëm i pavarur përmes të cilit Republika e Kosovës do të ushtronte pronësinë ose bashkëpronësinë e vet mbi të gjitha asetet ekonomike në të cilat ajo ka interes. Pavarësia e këtij agjensioni do të garantonte se asetet ekonomike shërbejnë për qëllime ekonomike dhe nuk përdorën për qëllime politike, pasi që veprimtaria e saj do të vlerësohej në bazë të pasqyrave financiare.

Dhe në fund, është mungesa e vetë kapitalit që përbën pengesë si për Trepçën, ashtu dhe për ndërmarrjet tjera ekzistuese shtetërore, por edhe për zhvillimin e sektorëve të rinj ekonomik. Ky problem do të zgjidhej pjesërisht me themelimin e një Banke Zhvillimore, e cila do të mund të shërbente si financuesi kryesor i investimeve të mëdha strategjike në Kosovë, përfshirë edhe Trepçën.

Për ta përmbyllur, do të thosha se ligji për Trepçën përbën kryesisht një akt simbolik të qeverisë së Kosovës për Trepçën. Zhvillimi ekonomik në Kosovë, brenda të cilit do të përfshiheshin edhe burimet minerare të vendit, nuk mund të ndodhë brenda një kornize institucionale e cila është dëshmuar si e dështuar. Në këtë vështrim të gjerë, ndryshimet në Trepçë në këtë rast janë vetëm kozmetike – sikur t’i vësh pudër për t’ia zbukuruar fytyrën dikujt që është i uritur dhe kërkon të hajë.

_________________

Ky shkrim është pjesë e bashkëpunimit Sbunker & Open 333, në mes të sbunkerit dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.