Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Anëtarësimi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, një mundësi reale për Kosovën

Forcimi i sovranitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar përmes njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës ndër vite.

Kosova ka arritur të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe në agjenci të specializuara të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit, mes të tjerash.

Një sukses i konsiderueshëm është arritur në periudhën e paspavarësisë, mirëpo një ngecje e theksueshme është evidente vitet e fundit. Në katër vjetët e fundit, Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe nuk ka siguruar asnjë njohje të re.

Kosova pati disa tentime për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe INTERPOL, por dështoi. Së fundmi, u humb edhe një shans tjetër për anëtarësim në Këshillin e Europës, organizatën pioniere të të drejtave të njeriut në Europë. Kësisoj, kurba e dështimeve për anëtarësim ka shënuar një rritje të konsiderueshme.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta humbasë vullnetin. Kosova mbetet jashtë shumë organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë dhe ka një sërë mundësish të shtyjë përpara anëtarësimin në organizata multilaterale.

Momentalisht, anëtarësimi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila është agjenci e specializuar e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), përbën një mundësi reale për anëtarësim për Kosovën.

Kushtet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, me seli në Zvicër, përgjegjëse për shëndetin publik ndërkombëtar, dhe përbën plot 194 shtete anëtare.

OBSH-ja është organizatë lidere ndërkombëtare, e cila reagon karshi urgjencave shëndetësore globale, merret me parandalimin e sëmundjeve dhe ofron një gamë të gjerë informacionesh, resursesh dhe aktivitetesh për të mirën e përgjithshme.

Neni 3 i Kushtetutës së OBSH-së parasheh që aplikimet për anëtarësim janë të hapura për të gjitha shtetet. Anëtarët e OKB-së kanë të drejtën automatike për t’u bërë anëtarë të OBSH-së (Neni 4), ndërsa anëtarët jo të OKB-së mund të pranohen si anëtarë të OBSH-së me shumicë të thjeshtë votash të Asamblesë së OBSH-së (Neni 6).

Edhe pse institucionet e vendit kanë debatuar mbi perspektivat e një aplikimi në OBSH, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë COVID-19, deri më tani nuk pasur ndonjë lëvizje zyrtare.

Për t’u anëtarësuar, Kosovës do t’i duhej një shumicë e thjeshtë 50% plus një, apo 98 vota nga gjithsej 194 shtete anëtare.

Mësimet nga dështimet e kaluara: dinamika mes shteteve njohëse dhe mosnjohëse

Çdo shtet anëtar ka një votë në Asamblenë e OBSH-së dhe anëtarët që e njohin Kosovën janë shumicë komode me 117 nga 194 vota. Kuorumi është një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të pranishëm, që do të thotë se shtetet mosnjohëse nuk mund ta pengojnë votimin.

Megjithatë, aktualisht, ekziston një pasiguri për sa i përket numrit të saktë të shteteve që e kanë njohur Kosovën, me gjithë faktin se supozohet se diku rreth 10 shtete kanë tërhequr njohjet e tyre. Përkundër kësaj, MFAD-ja kosovare këmbëngul që numri i njohjeve është 117 shtete, shumë përtej shumicës së thjeshtë të OBSH-së. Megjithatë, edhe nëse llogariten tërheqjet e njohjeve, Kosova ka raporte diplomatike me së paku 107 shtete, që mjaftojnë për votim.

Sidoqoftë, njohja ndaj Kosovës nuk përkthehet automatikisht me përkrahje ndërkombëtare në favor të anëtarësimit. Një rast i tillë është evidentuar me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO më 2015, me ç’rast dy shtete njohëse, Japonia dhe Polonia, abstenuan.

Përkundër kësaj, anëtarësimi i Kosovës në OBSH është i mundshëm, sepse, në krahasim me organizatat e tjera, apo agjencitë e specializuara të OKB-së, të cilat kërkojnë 2/3 e votave për anëtarësim, OBSH-ja kërkon një shumice të thjeshtë (50% plus një).

Një aspekt shtesë që e përforcon dosjen aplikuese të Kosovës për OBSH është natyra e punës që ka kjo agjenci. Rreziqet globale të shfaqura edhe nga pandemia COVID-19, duhet të përbëjnë thelbimin e argumentimit të Kosovës për anëtarësim.

Në këtë drejtim, edhe shtetet hezituese do ta kishin më të vështirë pozicionimin kundër pranimit të Kosovës. Qasja në shëndetësi është e drejtë universale dhe pranimi i Kosovës do të kontribuonte edhe në sigurinë e shëndetit rajonal dhe global.

Përfitimet e Kosovës në rast të anëtarësimit eventual në Organizatën Botërore të Shëndetësisë

Përfitimet e Kosovës në rast të anëtarësimit do të shtriheshin në disa fusha. OBSH-ja ofron udhëheqje për çështjet globale të shëndetit, duke vendosur norma dhe standarde, si dhe duke artikuluar opsionet e politikave të bazuara në prova. Gjithashtu, shtetet anëtare përfitojnë nga udhëzimet e OBSH-së për politikat dhe praktikat shëndetësore.

Një aspekt tjetër është përfitimi nga hulumtimet dhe mbledhja e të dhënave të OBSH-së. Përpos tjerash, OBSH-ja ofron mbështetje teknike për vendet, për t’i forcuar shërbimet e tyre shëndetësore dhe për t’i përmirësuar rezultatet shëndetësore.

Përpos këtyre, për Kosovën, anëtarësimi në OBSH do të nënkuptonte edhe një afirmim politik të statusit të vendit në shoqërinë ndërkombëtare. Kosova do të rreshtohej si anëtare e barabartë me anëtarët e tjerë që janë pjesë e OKB-së.

Një aplikim eventual do të duhej të përfshinte një përgatitje të mirë të dosjes dhe lobim të vazhdueshëm me shtetet partnere, të cilat e njohin Kosovën. Dorëzimi i aplikimit pa gjasa të prekshme për anëtarësim duhet të mënjanohet nga skenari i vendimmarrësve kosovarë. Një dështim eventual i radhës do ta dëmtonte seriozisht pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.