Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Angazhimi partiak i të rinjve: Ndikimi në politikat publike

“Rinia është e ardhmja e vendit” – besoj që gjithsecili prej nesh e ka dëgjuar këtë shprehje. Sidomos nga zyrtarët e ndryshëm politik, e veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Në këtë kontekst, ekziston një diskrepancë e madhe mes numrit të përgjithshëm të të rinjve dhe të rinjve të angazhuar në politikë.

Duke qenë rreth gjysma e popullsisë së Kosovës, padyshim që rinia është faktor i pakapërcyeshëm në vendimmarrjen dhe politikëbërjen në vend, prandaj edhe është pjesë e diskursit publik të politikanëve tanë. Kjo pasi që jo vetëm politikat e ashtuquajtura rinore janë për të rinjtë. Në fakt, pothuajse secila politikë publike afekton në një mënyrë apo tjetër të rinjtë dhe jetën e tyre.

Problem mbetet fakti që pjesa dërrmuese e të rinjve ushtrojnë rolin e tyre politik në përcaktimin e të ardhmes së tyre kryesisht vetëm në ditën e zgjedhjeve. Mosangazhimi aktiv i tyre në procesin politikbërës, veçanërisht përbrenda partive politike, u ka ofruar këtyre të fundit mundësinë që të rinjtë të flasin për të rinjtë dhe në emër të të rinjve, shpeshherë pa marr fare në konsideratë pikëpamjet e tyre. Me vetëm rreth 1 në 10 të rinj që janë të angazhuar në ndonjë formë në parti politike, si dhe me vetëm rreth 1 në 5 të rinj që kanë qenë ndonjëherë të angazhuar në parti politike, është gati se e pamundur që pikëpamjet e shumicës së të rinjve të reflektohen në politikat që ndjekin partitë politike.

Problem tjetër janë edhe arsyet që do t’i shtynin të rinjtë të bëhen pjesë e partive politike. Sipas një hulumtimi lidhur me sjelljet dhe qëndrimet e votuesve të rinj, punësimi dhe avancimi më i lehtë në karrierë janë arsyeja e parë, respektivisht e tretë, që do t’i shtynte të rinjtë të anëtarësohen në parti politike. Këto dy arsyetime mund t’i atribuohen kryesisht qasjes së përdorur deri më tani nga partitë politike, që nëpërmjet punësimeve partiake kanë demotivuar të rinjtë për t’u përfshirë në parti që të shtyjnë përpara interesat e të rinjve. Ndërsa, sipas hulumtimit, dëshira për të kontribuar në çështje që janë me interes për të rinjtë, që idealisht do të duhej të jetë arsyeja kryesore, është listuar si arsyeja e dytë që do t’i shtynte të rinjtë të anëtarësohen në parti politike. Thënë kushtimisht, pa ndryshimin e kësaj renditje, angazhimi, roli dhe ndikimi i të rinjve në formësimin e politikave brenda partive do të vazhdoj të jetë margjinal dhe simbolik. E për një ndryshim të tillë, nevojitet punë e përkushtim sidomos nga partitë politike, por edhe nga vetë të rinjtë.

Të rinjtë duhet ta kenë parasysh që partitë politike kanë po aq nevojë për të rinjtë, sa kanë të rinjtë nevojë për to, në mos më shumë. Me sa më shumë të rinj në kuadër të partive politike, ato rrisin elektoratin dhe potencialin për të fituar elektorat të ri. Në anën tjetër, sa më shumë të rinj të angazhuar në parti politike, aq më shumë pikëpamje të tyre do të mund të përkthehen në programe politike që pastaj do të përmirësonin situatën e të rinjve.

Duhet theksuar po ashtu që tendenca e angazhimit të të rinjve kryesisht nëpërmjet forumeve apo grupeve rinore, që i kanë pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë, ka dy anë të monedhës. E para dhe me premisa negative, është që bazuar në praktikën e deritanishme, forumet e të rinjve të partive politike janë përdorur kryesisht për aktivitete simbolike dhe kanë pasur rol krejtësisht margjinal në kuadër të partive politike. Madje, nuk do të ishte e pasinqertë nëse thuhet që të njëjtit nuk kanë qenë pothuajse asnjëherë pjesë e krijimit të qëndrimeve të partive lidhur me politika apo çështje të caktuara, që janë vlerësuar të një niveli më të lartë politik.

Ndërsa e dyta, ekzistimi i këtyre forumeve apo grupeve mund të shfrytëzohet për formësim politik të të rinjve, që pastaj të marrin edhe role udhëheqëse, si dhe për të nxjerrë sa më shumë ide për hartimin e politikave publike, që pastaj përkthehen në programe politike dhe pashmangshëm do të influencojnë edhe të rinjtë. Me qëllime të tilla, këto forume duhet të kenë financim stabil nga partitë politike përkatëse, në mënyrë që aktivitetet e organizuara nga to të jenë autonome nga nivelet udhëheqëse të partisë.

Megjithatë, duke marr në konsideratë përvojën e derisotshme në Kosovë, përfshirja aktive e të rinjve në politikë në përgjithësi, e në parti politike në veçanti, pa reformim të këtyre të fundit, në drejtim të çmargjinalizimit të rolit të të rinjve brenda partive politike, është e predispozuar që të jetë me efekte shumë të zbehta.

Pra, është koha që të rinjtë të mos mjaftohen me të qenit “e ardhmja” e vendit. Për të qenë edhe “e tashmja”, nevojitet një angazhim i pandërprerë i të rinjve, posaçërisht në parti politike, për të shtyrë në vazhdimësi përpara interesat e tyre.

Ky editorial është realizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrja politike: Drejt angazhimit efektiv të të rinjve”, që po implementohet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me përkrahje nga National Endowment for Democracy (NED).

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.