Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe: Gogol apo kërkesë legjitime?

Artikulli version

Në vitin 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia ranë dakord për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (ASK). Një dekadë më pas, kjo marrëveshje është kthyer në një gogol për Kosovën.

Për komunitetin serb që jeton në veri dhe disa enklava në jug të lumit Ibër, paraqet bazën për pjesëmarrje në jetën politike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është shprehur vendosmërisht kundër themelimit të ASK-së, mbi bazën se ai do të hedhë themelet për një “Republikë Srpska” të re në Kosovë dhe do të bllokojë funksionimin e institucioneve në vend.

Ky artikull do të mëtojë të japë përgjigje nëse frika nga një “Republikë Srpska” e re është e bazuar, apo ASK-ja përfaqëson një kërkesë legjitime të serbëve që jetojnë në Kosovë, e dalë nga marrëveshja që Kosova e nënshkroi në Bruksel dhe e ratifikoi në Kuvend më 2013.

Një rrugë drejt Kosovës multi-etnike

Para vitit 2013, të gjitha institucionet në veri të Kosovës, përfshirë njësitë e vetëqeverisjes lokale, gjykatat e prokurorinë, madje edhe policinë, funksiononin brenda sistemit të Serbisë. Efektivisht pa pikë kontrolli nga qeveria në Prishtinë.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Parë mbi Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve (e njohur ndryshe si Marrëveshja e Brukselit), të gjitha institucionet e lartpërmendura u shpërbënë.

Njësitet policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë iu bashkuan Policisë së Kosovës, zgjedhjet e reja lokale u mbajtën sipas ligjeve të Kosovës, komunat u vendosën nën sistemin politik të Kosovës dhe gjyqtarët dhe prokurorët nisën të punonin në sistemin gjyqësor të saj.

ASK-ja ishte pjesë e marrëveshjes për integrimin e komunitetit serb të Kosovës në sistemin politik të saj. Me integrimin në sistemin politik të Kosovës, serbët në veri – dhe Serbia gjithashtu – përmbushën pjesën e vet të ujdisë dhe tashti është koha që qeveria në Prishtinë ta përmbushë pjesën e vet. Nga perspektiva serbe, kjo është absolutisht e nevojshme për ta rifituar besimin.

Qeveria e Kosovës duhet të respektojë zotimet e saj ndërkombëtare, duke themeluar ASK-në. Ky është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve.

Me mundësinë e pakicës serbe për të ushtruar vetëqeverisje lokale në përputhje me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale, Kosova do të jetë në gjendje ta konfirmojë statusin e saj multietnik.

Frika për një “Republikë Srpska” të re

Një vështrim më i afërt i kompetencave të ASK-së (në marrëveshjet nga 2013 and 2015) tregon se ASK-ja nuk është kurrkund afër autonomisë territoriale në kuptimin klasik të fjalës.

ASK-ja, me institucionet e saj të dizajnuara (kryetar, nënkryetar, kuvend, etj.), të sjell në mend Republikën Srpska. Megjithatë, Komuniteti do të ketë kompetenca kryesisht në domenin e vetëqeverisjes lokale (mbikëqyrja e komunave), që nënkupton një pasqyrë të planifikimit urban dhe rural, arsimit fillor dhe atij të mesëm, kujdesit shëndetësor dhe kujdesit social, në mesin e shërbimeve të tjera publike.

Këtu është e rëndësishme të nënvizohet se institucionet arsimore dhe shëndetësore në veri tashmë funksionojnë të ndara nga institucionet e Kosovës. Në këtë kuptim, krijimi i ASK-së veç do ta bënte të ligjshme gjendjen aktuale të punëve.

Megjithatë, argumenti kryesor kundër krijimit të Asociacionit qëndron në kompetencat e tij ekzekutive. Dilema është rezultat i qasjes ambiguitive të BE-së në përcaktimin e kompetencave të ASK-së.

Për shembull, termi i përdorur për përcaktimin e kompetencave në fushat e ekonomisë lokale, arsimit, kujdesit primar dhe sekondar shëndetësor, kujdesit social dhe planifikimit urban e rural është “ushtrim i përgjithshëm”. Në praktikën krahasuese, ky term nuk ekziston dhe nuk nënkupton asgjë.

Nuk është për t’u habitur që njëra palë pret kompetenca të plota ekzekutive, ndërsa pala tjetër nuk pret kurrgjë më shumë sesa bashkëpunim horizontal mes komunave.

Megjithatë, edhe me kompetenca të plota ekzekutive, nuk do ta ketë kapacitetin për të bllokuar procesin e vendimmarrjes në Kosovë, ashtu siç mund të bëjë Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Komuniteti nuk do ta ketë të drejtën e vetos, por do të përfaqësojë interesant e komunitetit serb në Kosovë dhe do t’i lejojë atij të vendosë për çështje lokale.

Midis ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve të Gjykatës Kushtetuese

Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua nga Qeveria e Kosovës dhe më vonë u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës si traktat ndërkombëtar, duke konstituuar kështu një detyrim ndërkombëtar të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës (2008/04) thotë se çdo traktat ndërkombëtar i ratifikuar që bëhet pjesë e rendit të brendshëm juridik është drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe ka supremaci mbi ligjet vendore.

Marrë parasysh të gjitha këto pika, lind një pyetje e rëndësishme: Si është e mundur që Marrëveshja e Brukselit nuk është zbatuar plotësisht edhe pas një dekade?

Përgjigjja qëndron në mungesën e vullnetit politik për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Vendimi për ligjshmërinë e ASK-së është cituar shumë herë nga politikanët që janë kundër krijimit të ASK-së. Megjithatë, vendimi i gjykatës nuk thotë se ASK-ja nuk mund ose nuk duhet të krijohet.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se Marrëveshja nuk ishte plotësisht në frymën e Kushtetutës dhe se ASK-ja duhet të jetë në përputhje me standardet kushtetuese të Kosovës. Pra, gjykata nuk tha asnjëherë që ASK-ja është antikushtetuese, por që ajo duhet të krijohet ligjërisht sipas standardeve të përcaktuara me kushtetutë.

Kjo çon deri te përfundimi se politikanët e keqpërdorën vendimin e gjykatës për t’u ngritur në pushtet dhe për të mbuluar jogatishmërinë e tyre për të zbatuar obligimin ndërkombëtar të Kosovës.

Ekzistojnë tri pika kryesore kur flitet për ASK-në. E para, ASK-ja përfaqëson një hap fillestar në ndërtimin e besimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. E dyta, frika nga një “Republikë Srpska” e re nuk është e bazuar dhe gjithashtu mbitheksohet nga politikanët. E treta, ASK-ja nuk është antikushtetuese dhe nuk ka asnjë pengesë për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

E vetmja gjë që mungon është vullneti politik nga qeveria aktuale e Kosovës. Në fund të fundit, zbatimi i ASK-së do të siguronte respektimin e shtetit të së drejtës e detyrimeve ndërkombëtare, si dhe – më e rëndësishmja – do të mundësonte vazhdimin e procesit të normalizimit nga një ngërç i zgjatur.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.