Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Asociacioni nuk është OJQ

Pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve në mes Kryeministrit të Kosovës, z. Mustafa, dhe atij të Serbisë, z. Vucic, me një  nxitim të  paparë zyrtarët qeveritarë deklaruan se  “Kosova ka ruajtur kushtetutshmërinë  e saj dhe se Serbia de facto e ka njohur Kosovën si shtet”. Duke mos u ndalur në  këto deklarata thellësisht populliste, do ndalemi në  njërën nga katër marrëveshjet e mbrëndshme—atë  të themelimit të  Asociacionit të  Komunave me  Shumicë  Serbe.

Më  poshtë  do të  krahasoj nenet dhe përshkrimet e tre statuteve të  ndryshme: Statutin e Asociacionit të  Komunave të  Kosovës, Statutin/Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë  Serbe, si dhe Draft-Statutin që  Ministria e Administratës Publike (MAP) e ka të gatshme për organizatat që  dëshirojnë të  themelohen në Kosovë.

Në paragrafin hyrës të draft-statutit të MAP-it thuhet: “Ky statut do të  qeverisë shoqatën jo-profitabile (emri i oganizatës) të  themeluar në  pajtim më  Ligjin Nr. 04/L-57 Pë r Lirinë  e Asocimit në  Organizata Joqeveritare në  Republikën e Kosovës”.

Për këtë pikë, në nenin 1.1. të Statutit të Asociacionit të  Komunave të  Kosovës specifikohet se “Statuti i Asociacionit të  Komunave të  Kosovës është  akti më  i lartë i Asociacionit që miratohet në Kuvendin e Asociacionit në  pajtim më  legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës”. Këtij neni, pra nenit 1.1., i paraprinë një mbishkrim i lartë, i cili shpjegon arsyeshmërinë e këtij Asociacioni, gjithnjë brenda kornizës aktuale ligjore.

Në draft-statutin/marrëveshjen e Brukselit, sidoqoftë, nënvizohet se “Asociacioni/Komuniteti i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është themeluar si një Asociacion/komuniteti i komunave me shumicë serbe, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, Ligjin e ratifikimit të Marrëveshjes së Parë dhe ligjin e Kosovës”.

Në këtë kuptim, përderisa kemi draft statutin që i referohet Ligjit për Lirinë  e Asocimit, përderisa Asociacioni i Komunave të  Kosovës i referohet po të njëjtit ligj, Asociacioni i Komunave me Shumicë  Serbe i referohet një marrëveshje politike, e cila nuk ka të bëjë fare me Ligjin për themelimin e OJQ-ve.

Pra, qysh në preambulat e këtyre tre statuteve shihet qartë që Asociacioni i Komunave me Shumicë  Serbe nuk është OJQ, por një  entitet i pavarur legal, i themeluar përmes ligjeve tjera speciale, e jo përmes ligjit që kemi aktualisht.

Dallimet/ngjashmëritë tjera:

Në draft-statutin e MAP-it për themelimin e OJQ-ve flitet po ashtu për fushëveprimin e organizatave. Në nenin 3, për shembull, specifikohet që organizata është themeluar me qëllim, ku lë hapësirë që themeluesit të japin qëllimet e tyre, por gjithnjë duke iu referuar Ligjit për Lirinë  e Asocimit të  Republikës së  Kosovës.

Në statutin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, tek pjesa e Objektivave thuhet kështu: “Asociacioni angazhohet që në Republikën e Kosovës të implementohen rregullat nga Karta Evropiane për vetëqeverisje lokale: të organizojë dhe koordinojë aktivitetet e anëtarëve të Asociacionit në sferën e investimeve, në zhvillimin ekonomik të komunave, në përmirësimin e bazës ligjore, të përkrahjes së biznesit, në kulturë, arsim, etj.”

Në objektivat e Statutit/marrëvëshjes, ndërkaq, përmendet se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe “do të ketë objektivat e saj kryesore në ofrimin e funksionimin dhe shërbimeve publike, përforcimin e demokracisë lokale, të ushtrojë mbikëqyrje të plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale, të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në edukim, të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në kujdesin primar dhe sekondar të shëndetësisë, të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në koordinimin e planifikimit urban dhe rural, të miratojë masa për përmirësimin e kushteve të jetës për të kthyerit në Kosovë, etj.”

Gjithashtu, në draft-statutin e MAP nuk flitet për relacionet që një OJQ mund të krijojë brenda dhe jashtë vendit. Ngjashmërisht, në Statutin e Asociacionit të Komunave të Kosovës përshkruhen të drejta të tipit: “Përfaqëson interesat e anëtarëve të saj para autoriteteve të jashtme dhe organizatave ndërkombëtare dhe ndihmon autoritetet lokale që të bashkëpunojnë me partnerët e jashtëm”.

Ndërsa, në Statutin/marrëveshjen e Asociacionit të  Komunave me Shumicë  Serbe thuhet: “Të  krijojë raporte dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi më asociacionet e tjera të komunave vendore dhe ndërkombëtare”.

Në këtë kontekst, mund të vërejmë se derisa Asociacioni i Komunave të Kosovës ka të kompetenca ndihmuese për anëtarët e saj, Asociacioni I Komunave me Shumicë Serbe ka kompetenca që të hyjë në marrëveshje ndërkombëtare.

Një e drejtë tjetër që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ka është edhe mundësia e të qenit palë në raste gjyqësore deri në Gjykatën Kushtetuese, gjithnjë duke përfaqësuar anëtarët e saj, e cila kompetencë as në draft-statutin e MAP e as në Statutin e Asociacionit të Komunave të Kosovës nuk ekziston.

Më tej, në çështjen e menaxhimit të burimeve dhe të financimit ka dallime të mëdha. Në draft-statutin e MAP nuk ka specifikim të burimeve dhe buxhetit, por në anën tjetër, Statuti i Asociacionit të Komunave të Kosovës shprehimisht thuhet: Asociacioni përdorë, administron fondet dhe disponon pronë në pajtim me rregulloren e Asociacionit dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Në kundërshtim të hapur me këtë, në Statutin/marrëveshjen e Asociacionit të  Komunave me  Shumicë  Serbe në Kosovë nënvizohet: “Asociacioni/komuniteti do të ketë buxhetin e vet, i cili administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe dispozitat e ligjeve të prokurimit publik. Për të vazhduar në pikën tjetër, ku thuhet “kontributet, grantet, donacionet si dhe mbështetja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera, vendore dhe ndërkombëtare, si dhe nga Republika e Serbisë; Asociacioni/Komuniteti do të përjashtohet nga obligimet dhe taksat në realizimin e objektivave të  saj, mbi të njëjtën bazë si komunat përkatëse.

Kjo pikë, besoj, shpjegon shumë qartë se Asociacioni i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave me  Shumcë  Serbe kanë  një dallim thelbësor sa i takon financimit dhe menaxhimit të  buxheteve respektive.

Përvec kësaj, derisa Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë obligim ndaj Asociacionit të Komunave të  Kosovës, Qeveria e Serbisë ka obligime financiare ndaj Asociacionit të  Komunave me Shumicë  Serbe. Për më shumë, për cilën organizatë jo-qeveritare Qeveria e Kosovës merr obligime ndërkombëtare? E kjo gjë po ndodhë shumë lehtë me Asociacionin e Komunave me Shumicë  Serbe.

Pika e fundit dalluese në mes Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka të bëjë me shpërbërjen e strukturave të saj. Derisa Asociacioni i Komunave të Kosovës mund të shpërbëhet përmes disa mënyrave, si për shembull, me vendim të organeve të  shtetit (organi që e ka regjistruar Asociacionin), Asociacioni i Komunave me Shumicë  Serbe mund të shuhet vetëm me vendim të Asamblesë së saj, të miratuar nga shumica prej 2/3 të anëtarëve.

Pra, tek shuarja e Asociacionit, institucionet e Kosovës nuk kanë kurrfarë pushteti, sikurse kanë tek secila organizatë jo-qeveritare që është e regjistruar në Kosovë.

Dhe, përfundimisht, pyetja më legjitime në gjithë këtë lojë termesh e konceptesh në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është se prej cilës marrëveshje ndërkombëtare janë  themeluar gjitha këto organizata jo-qeveritare në Kosovë dhe prej cilës marrëveshje është krijuar Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Nëse nuk ka një përgjigjje në këtë pyetje, atëherë institucionet e Kosovës më kot provojnë të na bindin që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është thjesht një OJQ, e ngjashme me të tjerat në Kosovë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.