Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Bashkëpunimi i shoqërisë civile me Qeverinë të fokusohet në procesin e dialogut

1.

Shoqëria civile paraqet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të një shoqërie demokratike. Roli i shoqërisë civile është vital për demokracinë. Organizatat e shoqërisë civile paraqesin një mënyrë alternative të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, kanalizimit të pikëpamjeve të ndryshme, prezantim të interesave tek vendim-marrësit apo edhe të ofrimit të shërbimeve sociale. Ky rol kaq i gjerë i shoqërisë civile në sferën publike nuk ka kaluar pa u kontestuar. Për disa studiues, akterët e shoqërisë civile kanë fituar shumë pushtet politik pa qenë të zgjedhur apo të emëruar nga askush. Shikuar nga perspektiva teorike, organizatat e shoqërisë civile janë pjesë e demokracisë pjesëmarrëse dhe jo demokracisë përfaqësuese. Ato nuk janë trupa të zgjedhur por grumbullime të qytetarëve rreth një qëllimi të caktuar. Legjitimiteti i tyre buron nga pjesëmarrja në procese publike për çështjet të cilat i adresojnë.

2.

Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) në Kosovë janë pjesëmarrës aktiv në konceptimin dhe krijimin e politikave publike, mbikëqyrjen e zbatimit të politikave nga qeveria, si dhe kërkimin e përgjegjësisë nga autoritetet publike. Përveç ushtrimit të veprimtarisë si organizata individuale, organizatat e shoqërisë civile kanë avancuar për nga mënyra e organizimit duke bashkuar energjitë përmes krijimit të rrjetëzimeve për tema të caktuara. Këto rrjete sot i hasim duke avokuar për barazi gjinore, duke kontribuar në transparencën e zgjedhjeve, apo edhe mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve. Puna e përditshme e këtyre rrjeteve, e veçanërisht e organizatave individuale, ka bërë që besimi i publikut në OJQ-të të jetë prej më të lartëve krahasuar me sektorët tjerë. Në matjen e fundit të opinionin publik të UNDP-së, mbi 50% e të anketuarve mendojnë se shoqëria civile në Kosovë shërben si monitorues i sinqertë i zhvillimeve demokratike në vend. Përveç monitorimit, organizatat e shoqërisë civile plotësojnë mjaftë mirë edhe fushën e hulumtimeve dhe analizave të politikave publike. Nga bashkëpunimi i OSHC-ve me mediat është arritur identifikimi i defekteve dhe demaskimi i rasteve të panumërta të korrupsionit në institucionet publike, punësimeve në baza nepotiste dhe klienteliste në administratën shtetërore, si dhe keqpërdorimeve të tjera me pushtetin.

3.

E gjithë kjo ekspertizë e shoqërisë civile e akumuluar përgjatë njëzetë viteve të fundit, nuk guxon të mbetet vetëm në rrafshin e identifikimit të problemeve dhe dhënies së rekomandimeve. Kritikat dhe konfrontimi me shtetin është vetëm një mjet. Bashkëpunimi me autoritetet publike është një mjet tjetër i cili duhet të shihet si interes i përbashkët. Bashkëpunimi i shoqërisë civile me institucionet është i domosdoshëm, ndonëse nuk është një proces i lehtë pasi kërkon vullnet të dyanshëm. OSHC-të i frikohen politizimit dhe tendencave për kontroll të veprimtarisë së tyre nga qeveria, kurse autoritetet publike ende nuk e njohin dhe kuptojnë mirëfilli rolin e shoqërisë civile. Deri më tani, bashkëpunimi i organizatave të shoqërisë civile me qeverinë ka qenë më shumë sporadik, i bazuar në vullnetin politik të disa udhëheqëse dhe i kontakteve dhe njohjeve personale. Vendosja e marrëdhënies së Qeverisë me shoqërinë civile brenda një kornize institucionale për herë të parë ka ndodhur në vitin 2013 përmes themelimit të Këshillit për Bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile. Hartimi i strategjive për bashkëpunim ka vendosur bazat e partneritetit dhe krijimit të një fryme të hapur të komunikimit të rregullt dhe të strukturuar. E gjithë kjo në funksion të hartimit të politikave të qëndrueshme publike dhe rritjes të llogaridhënies dhe transparencës.

4.

Gati për një dekadë Kosova gjendet në proces të dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. Procesi i dialogut ka qenë i gjatë, mjaftë rraskapitës dhe deri më tani nuk ka dhënë rezultatet e pritura si pasojë e mos zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Përmbyllja e këtij procesi me sukses për vendin tonë është tejet i rëndësishme, pasi përmes tij synohet konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Përmbyllja e dialogut do të krijojë më shumë stabilitet për qeverinë dhe fokusim të akterëve politik në problemet e përditshme të qeverisjes. Të paktën dy prej qeverive të fundit ishin viktimë e procesit të dialogut, gjë që ka shkaktuar kriza politike të njëpasnjëshme. Për një shtet të ri si Kosova, krizat e tilla politike do të kenë pasoja në zhvillimet socio-ekonomike.

Në anën tjetër, procesi i dialogut është deformuar aq shumë saqë ka hezitim nga akterët politik vendor që të përfshihen në të. Mungesa e transparencës ka ngritur shumë pikëpyetje për përmbajtjen e marrëveshjes përfundimtare e cila mendohet të jetë ligjërisht e obligueshme për të dyja palët. Partitë opozitare vazhdimisht kanë refuzuar të kenë rol aktiv dhe të marrin përgjegjësi shtesë. Ndërkohë, shpesh dëgjojmë deklarata nga udhëheqësit institucionale për përfshirje edhe të shoqërisë civile në këtë proces. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë transformuar aktivitetet e tyre duke ia përshtatur realitetit dhe nevojave të reja. Diçka e tillë ka ndodhur edhe me dialogun. Një numër i OSHC-ve ka krijuar potencial profesional që mund ta vënë në dispozicion të qeverisë për realizimin e qëllimeve të përbashkëta. Andaj, dialogu duhet të jetë fokusi i bashkëpunimit në mes të dy sektorëve. Suksesi në dialog është sukses i përbashkët. Kjo mund të shërbejë edhe si një pikë kthese në rritjen e besimi të ndërsjellë në mes të dy sektorëve.

—–

Ky shkrim është i publikuar në kuadër të projektit: “Ri-formësimi i Shoqërisë Civile në Kosovë si pasojë pandemisë COVID-19” implementuar nga Platforma CiviKos. Qëndrimet e autorit nuk përfaqësojnë qëndrimet e Platformës CiviKos.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.