Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

‘BE ose SHBA’ është një debat i kotë për Kosovën

Në muajt e fundit vërehet se BE dhe SHBA kanë mospajtime të theksuara në politikën e tyre karshi Kosovës, përkatësisht shkarkimin e Qeverisë së Kosovës në Mars dhe procesin e dialogut me Serbinë. Të shtunën, një letër e përbashkët e ministrave të jashtëm gjerman dhe francez kërkonte fillimin e negociatave “të strukturuara mirë, të thella”, me BE si ndërmjetës të vetëm.

Ky fragmentim gjithashtu ka reflektuar brenda skenës politike të brendshme të Kosovës dhe shoqërisë në përgjithësi, ku një pyetje e re është shfaqur: “a je pro-BE apo pro-SHBA”? Parë në një vështrim të gjerë, ky debat mund të vlerësohet si biprodukt i çarjeve brenda koalicionit transatlantik.

Sidoqoftë, mënyra në të cilën debati ‘BE ose SHBA’ ka marrë formë në diskursin publik të Kosovës, i detyrohet kryesisht liderëve të saj politikë, të cilët janë të ndarë në dy kampe të polarizuara dhe papritmas pretendojnë se BE dhe SHBA janë bërë përjashtuese me njëra tjetrën. Një zyrtar i partisë Vetëvendosje kohët e fundit e përshkroi të dërguarin e SHBA Grenell si “pro-serb”, ndërsa një këshilltar i Presidentit të Kosovës, e ka akuzuar emisarin e BE-së Lajčák se nuk është “përqëndruar në qëllimet e Kosovës dhe as perspektivën e dialogut, por në Serbinë”.

Në këtë fazë, këto akuza nuk janë më të pazakonta. Kjo klimë ka depërtuar në bërthamën e shoqërisë kosovare, duke përfshirë mediat dhe analistët, por gjithashtu qytetarët, që tash duhet të marrin anë.

Megjithatë, debati përjashtues ‘BE apo SHBA’ është i kotë për Kosovën. Ai dështon të adresojë mosmarrëveshjet e vjetra të një skene politike kosovare të ndarë, në relacion me negociatat me Serbinë, gjithashtu duke e bërë koordinimin potencial BE-SHBA edhe më të vështirë. Thënë shkurt, nuk ofron asnjë kontribut thelbësor për procesin e dialogut.

Për më tepër, debati ‘BE apo SHBA’ e dobëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Numri aktual i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës nuk është i mjaftueshëm. Prandaj, përqendrimi në ndërtimin e institucioneve që mund të thellojnë bashkëpunimet aktuale dhe vendosin miqësi të reja duhet të jetë synimi, në vend se të stimulohet një kontest ndërmjet dy aleatëve kryesorë.

Vazhdimi i një debati të këtillë mund gjithashtu të shkaktojë pasoja politike, në planin afatgjatë. Raportet mes shteteve nuk janë të përhershme, prandaj ato ndikohen, ushqehen ose dëmtohen përmes mesazheve të shkëmbyera. Sa më intensiv që ky debat të bëhet, rriten gjasat që do të ndikojë seriozisht raportet afatgjatë të Kosovës me BE (shtetet anëtare), SHBA, apo të dyjat.

BE dhe SHBA ofrojnë bashkëpunim jetik për Kosovën në fusha të larmishme, duke përfshirë sigurinë, ekonominë, apo tash së fundmi me ndihmën për të luftuar pandeminë COVID-19. Nxitja e bashkëpunimit me të dy këta aktorë duhet të jetë synim parësor i Kosovës. Prapë, në relacion me këtë qëllim, ky debat ka efekt të kundërt.

Tradicionalisht, politikanët e Kosovës kanë parë çdo formë të afërsisë me BE ose SHBA si instrument për legjitimitet të brendshëm dhe përfitim elektoral. Sa më pro-BE, pro-SHBA apo pro-Perëndimor imazhi i një politikani, aq më e fortë pozita e tij/saj.

Në anën e kundërt, perceptimi si anti-BE, anti-SHBA ose anti-Perëndimor është parë si tagri më i dëmshëm (ndoshta edhe më i kushtueshëm se sa të quhesh i/e korruptuar). Prandaj, këto etiketa nuk janë të reja, vetëm konteksti ndryshon.

Kësaj here, liderët politikë të Kosovës kanë shfrytëzuar çarjen translatlantike, për t’i fryrë debatit ‘BE ose SHBA’, në mënyrë që ta përdorin si bazë për animozitetet e tyre të vjetra. Por, më shumë se një herë, me apo pa dijeni, ata kanë vënë në pikëpyetje përkushtimin ose përkrahjen e këtyre aktorëve për Kosovën, në tentim për të sulmuar rivalët e tyre politikë.

Kosova ka përfituar nga një traditë e gjatë e unitetit transatlantik, nga vitet 1990, duke përfshirë ndërhyrjen humanitare në 1999 dhe shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Fakti që ky unitet mungon tani për tani dhe se fragmentimi mund të thellohet në muajt dhe vitet e ardhshme, duhet të jetë shqetësues për Kosovën.

Disuniteti transatlantik është një zhvillim i panjohur dhe delikat në politikën ndërkombëtare, i cili duhet trajtuar me shumë kujdes nga liderët politikë të Kosovës. Shfrytëzimi i tij si një mjet për betejat politike vendore mund të rezultojë në bumerang.

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.