Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Biznesi social: një metodë për ta luftuar varfërinë në Kosovë

Illustration: Big Eye

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë mbi 25 mijë familje në Kosovë që kanë nevojë për ndihmë sociale.

Por, këto familje nuk konsiderohen të varfra sipas ligjit në fuqi. Ligji për Ndihmën e Skemës Sociale në Kosovë i përjashton nga asistenca sociale familjet që kanë vetëm nga një të punësuar, qoftë edhe me page minimale.

Për shembull, ka familje me shtatëmbëdhjetë anëtarë, që të hyra mujore marrin 250 euro, dhe janë të përjashtuar nga ndihma e shtetit.

Përderisa familje të tilla kanë mbetur pa përkrahje, të njëjtin fat nuk e kanë pasur edhe familjet që marrin asistencë sociale, pasi Qeveria  e Lëvizjes Vetëvendosje me raste vendoste që këtyre familjeve t’ua dyfishojë ndihmën për ta përballuar krizën ekonomike. Këto janë politika selektive që nuk përfshijnë të gjithë ata që kanë nevojë.

Përveç kësaj, ekzekutivi ka nënshkruar një marrëveshje 47-milionëeuroshe kredi në Bankën Botërore për reformimin e skemës sociale – por një marrëveshje e tillë nuk e ka gjetur mbështetjen e opozitës, me arsyetimin se Qeveria nuk ka nevojë për kredi rreth skemave sociale sepse ka mjaftueshëm mjetefinanciare. Marrëveshja ka mbetur pezull sepse për të nuk ka vota të mjaftueshme në Kuvend.

Përkundër se Ekzekutivi është thirrur në atë se ka zhvillim ekonomik, statistikat tregojnë se në vitin 2020 kanë qenë 103 mijë e 189 qytetarë përfitues të asistencës sociale, ndërkaq në vitin 2021 ky numër është zvogëluar në vetëm 285 qytetarë.

Varfëria në Kosovë shkon përtej familjeve që marrin asistencë sociale. Sipas definicionit të Bankës Botërore, “njerëzit që jetojnë nën kufirin e varfërisë nuk kanë mjaftueshëm para për të përmbushur nevojat e tyre bazë”.

Kufiri i varfërisë për vitin 2022 llogaritet të jetë  2.15 dollarë amerikanë për një ditë. Varfëria në Kosovë llogaritet të jetë mbi 18 për qind, prej tyre më shumë se 5 për qind në varfëri ekstreme.

Familjet nevojtare për paratë e shtetit marrin 50 deri në 150 euro, varësisht prej numrit të anëtarëve.

Kjo nënkupton që në Kosovë ka pagë nën maksimumin e ndihmës sociale. Qytetarët nën moshën 35-vjeçare ligjërisht mund të paguhen edhe 130 euro në muaj, ndërkaq paga minimale mbi këtë moshë është vetëm 170 euro. Paga minimale në Kosovë është me e ulëta në Ballkan.

Më së shumti nga kjo varfëri vuajnë minoritetet etnike joshumicë, sepse shumica prej tyre janë të papunë. Gjithashtu, gratë mbeten të anashkaluara nga tregu i punës.

Sipas të dhënave të ASK-së, më pak se 16 për qind e grave në Kosovë punojnë duke poseduar kontrata pune.

Qeveria thotë se ka shpërndarë miliona euro për qytetarët që ta tejkalojnë situatën ekonomike, megjithatë kriza vazhdon sidomos për grupet e margjinalizuara.

Asistenca sociale duhet të ekzistojë brenda politikave qeveritare, por assesi të jetë opsioni i vetëm për ta luftuar varfërinë.

Dilemën që Qeveria duhet t’ia shtrojë vetes është nëse dëshiron ta mirëmbajë varfërinë apo ta luftojë atë. Aktualisht Qeveria po e menaxhon atë.

Për këtë, e në këtë kohë, nevojitet diçka ndryshe që është aktivizimi i të varfërve e jo pasivizimi i tyre. Një ide për ta luftuar varfërinë në Kosovë është koncepti i biznesit social.

Si mund të operojë biznesi social në Kosovë? 

Koncepti i biznesit social nuk ka lidhje me kompaninë e cila prodhon. Biznesi social shet dhe fitimin e dërgon për humanizëm. Qëllimi i biznesit social është t’i largojë të varfrit nga varfëria.

Ideatori i këtij koncepti është ekonomisti i shquar nga Bangladeshi, Muhammad Yunus, i cili në vitin 2006 e fitoi çmimin Nobel për Paqe.

Yunus e kishte krijuar “Grammen Bank”, e njohur si “Banka e të Varfërve”, parimi qenësor i së cilës është dhënia e huave të vogla për të varfrit, në mënyrë që të aktivizohen në tregun e punës.

Por, si mund të implementohet ky format në Kosovë?

Në Kosovë janë mbi 100 mijë qytetarë që varen nga asistenca sociale – kjo nënkupton që një numër i konsiderueshëm i tyre mund të përfshihen në aktivitetet e biznesit social.

Meqë biznesi social nuk e ka synim profitin, atëherë kjo nuk bie ndesh me ekonominë e tregut dhe Qeveria brenda Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, mund ta themelojë atë, ta financojë dhe ta monitorojë procesin.

Kështu, do të krijohej një fond me të cilin do të bliheshin një numër i konsiderueshëm i kafshëve, veglave të punës, etj., të dedikuara për fermat e biznesit social, në të cilat do të mund të punësoheshin qytetarët që hyjnë në kategorinë e asistencës sociale – dhe do të merrnin pagë mujore nga biznesi social.

Kështu, një familje që deri tani ka qenë me të ardhura minore, pas përfshirjes në biznesin social do të kishte anëtarë të punësuar, si dhe do të mund t’i blinte produktet esenciale me çmime më të volitshme në treg.

Fitimi minimal që mund të nxirret nga shitja e produkteve nuk derdhet në buxhetin e shtetit, por në llogarinë e biznesit social. Ky lloj organizimi nuk e ka synim profitin klasik, por rritjen e kapaciteteve, duke e zgjeruar projektin e në të njëjtën kohë duke ua mundësuar anëtarëve të tij të blejnë më shumë e të paguajnë më pak.

Me zgjerimin e biznesit social krijohet edhe mundësia financiare e themelimit të bankës për mikrokredi.

Më pas, punëtorëve të biznesit social do t’u krijohej mundësia të bënin përvojë pune, të pavarësoheshin nga ky lloj organizimi për ta krijuar biznesin e tyre afarist, apo edhe të futeshin në tregun e punës.

Qytetarëve që presin ndihmën e shtetit do t’u mundësohej të pavarësoheshin edhe nga vetë shteti duke marrë përvojë pune në biznesin social, për ta përkthyer pastaj atë përvojë në aktivitete afariste, ose edhe për të gjetur punë.

Me uljen e konsiderueshme të varfërisë, biznesi social realizon vizionin e tij: luftën ndaj varfërisë. Qeveria e Kosovës duhet ta shqyrtojë seriozisht këtë koncept.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.