Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Borizani në mozaik

Borizani në mozaik

Në shoqninë shqiptare do gjana janë marrë dhe mësue – sikurse dhe pranue – pa u thellue ma shumë (tej). Kjo gja ka ndodhë në segmentin kobzi të qeverimit komunist shqiptar. A ma saktë qeverimit enverist, që shoi brezin e shejtë të ’30­’40-s së bashku me klerin, si dhe rangje të tjera sociale. Sot e kësaj dite disa aspekte vijojnë me u marrë të mirëqena, me sy mbyllë, siç na ka hije. Formë e deminuimit – qëllimsi e ditun – të gegëve si në letërsi, gjuhë, art, kinematografi etj., janë edhe do gjurmë të hershme në Tiranë, por jo vetëm këtu. Prej disave, të cilët kanë mujtë me qenë të vemendshëm, asht vrejtë dominanca gjeogjuhësore dhe politika e saj në Shqipni. Kjo dihet.

Gjatë diktaturës enveriste – të këtij kênsi të shëmtuet – tradita gege u skajue, u tkurr dhe predominante doli njifarë kulture e “re„, e sajueme, njifarë plasteline e përgjaktë, me mbështetje në traditën origjinare të diktatorit. Pos gjuhës, vaksinës së do gegëve që pranuen me bujari a shtrëngesë politikat alternative të kohës (s’asht nevoja me dhanë shembuj), anashkalimeve shkencore të figura të ndrituna si: Çabej, Cipo, Xhuvani e do burra të tjerë, dytësimi dhe arbitrariteti i dominancës së nji sistemi gjuhë-kulturor, u vrejt kudo. Kështu kishe mujtë me pá byronë politike (raportet e zhdrejta të anëtarësimit gegë vs. toskë), letërsinë, kinemanë, teatrin, pikturën etj. Në kinema mjafton me sjellë ndërmend gegët prifta e malsorë. Tipet artistikë i kemi familjarë. Mundeni me pá denatyralitetin ligjërimor të kasës së vjetër të aktrimit të Shkodrës, si: Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Gjon Karma, Ndrekë Shkjezi, Loro Kovaçi e me radhë (renditja asht rastsore!) në prodhimin e standardit, siç edhe sot e kësaj dite mund të vrejmë. Shembull mundemi me marrë, – shembull apolitik dhe funksional, – z. Sali Berisha kur prodhon togun gegë ue që pasohet nga dridhësja e roticizueme r, tue dhanë kështu nji shembëlltyrë hibride: “Shtetet e Bashkuera„, “i shëmtuer„, “i botuer„, krahasime të tilla: “si qen i tërbuer„ (shembulli i mbramë në seancën parlamentare në Kuvendin e Shqipnisë, dt. 19. 05. 2016, ora 14. 25). Mosrespektim të standardit kemi dhe në shumë folës lajmesh: vënd, mënd. Por kjo asht e pranishme dhe në të shkruem. Mjaft me pá tabelat e parkimit për institucionet, 2/3+1 vënde! Dhe kjo çështje automatizimi dhe imponimi del, ndërkohë që në institucione ministrore në Shqipni raporti jug-veri i të punsuemve mundet me qenë 107 me 3.

Për të dalë tek thelbi i problematikës… ndër krasitjet enveriste në kulturën shqipe, ku për fat nuk ka pasë çka me i ba letërsisë së ekzilit (në të cilën tradita gege e ka mbajtë fitilin ndezë paçka bulshijve gjeo-religjionalë-politikë të komunizmit shqiptar), artet pamore kanë nji rezultante të qartë. Bahet fjalë për mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar. Baj me dije se pretendimet e analizës kritike pamore janë jashtë profesionalizmit dhe interesit tim. Në 13 portrete që gjenden në atë mozaik, ka vetëm nji gegë me nji bori në gojë, ku krejt shtatin e ka të zanë nga pelerina e nji arbnori (e dalloj pa përkatësi gjeografike/gjuhësore), dhe i duket veç maja e këpucës me pak pjesë të kambës diku. Kemi kështu borinë përballë letrës (kartës) së Naimit, – portreti asht asosacion me autorin tonë kombëtar. Sigurisht do të ishte Naimi kur Fishta ishte i groposun! Ndër ilirët, arbnorët dhe komunistët (të t’shtatë në krahun e djathtë të veprës: nëse ka ndonji femën që përngjet me nji malsore, atëherë asht stilizue pa i ruejtë cilësitë etnografike, dhe tue e shartue me estetikën komuniste), gjendet i cunguem vizualisht dhe nji gegë borizan. Nuk besoj se nuk ka qenë e paramendueme.

Nuk jam interesue për autorësinë e punimit, as due. Me vlerë asht rezultantja: fryt i kohës. Kjo gjurmë, si eshtna të nji sistemi politik të prolunguem në mes të Shqipnisë, edhe mund ta ketë nji shpjegim. Shpjegimi asht tek venerimi enverian [ku për çudi delka e afërt si substancë fonetike: enverim vs. venerim!], dhe tek mungesa e nderimit të personave që vuejtën në atë regjim. Nuk due me hy në biseda se pse nuk ishte portreti i Anton Harapit, kohën që erdh Papa në Shqipni dhe pse nuk janë emnat e shumë personaliteteve në auditorët e fakulteteve shqiptare, apo momente të tjera të debatueshme. Sheji asht i dukshëm ditën për diell! Natyra borizane e personazhit, natyrisht që s’duhet me na ndjellë për diskusione guerrile, por na len me kuptue se karta, letra ka shkue në dorën e nji vullneti politik që mban dhe primatin e gjuhës. Reminishenca të tilla duhej të ishin eleminue me kohë. Por çka mundemi me thanë, kur shtatorja e Stalinit asht përbri Galerisë së Arteve në Tiranë? Sigurisht, asht nji kujtesë historike e stalinizmit shqiptar.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.