Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Britania post-Brexit, një lojtar që mund të ndryshojë balancat në Ballkan

Në 24 dhjetor u arrit marrëveshja e shumëpërfolur për tregtinë dhe ndërveprimin e ardhshëm ekonomik ndërmjet Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar. Fillimi i aplikimit të përkohshëm të saj dhe aprovimi i pritshëm nga parlamentet respektive shënon dhe fundin e një kapitulli të lodhshëm dhe të dhimbshëm ndarjeje të filluar me referendumin Brexit në vitin 2016.

Ndërkohë që po lë pas këtë kalvar të gjatë, vetë trajektorja e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar ka shumë pikëpyetje. Nga ana tjetër, në politikën e jashtme, Britania pritet të nisë një proces të ethshëm poziconimi dhe përcaktimi të prioriteve të saj në arenën ndërkombëtare. Pikërisht në këtë kërkim për një vend dhe një rol të ri në botë, ajo ka mundësinë për të qënë një faktor pozitiv në zhvillimet e pritshme në Ballkan.

Kryeministri Boris Johnson dhe liderët e tjerë politikë që mbështetën dhe eventualisht finalizuan largimin e vendit nga Bashkimi Europian premtuan një “Britani Globale”. Ky koncept i vagullt mbetet ende për t’u transformuar në një doktrinë praktike. Megjithatë, tashmë larg nga Bashkimi Europian, gjasat janë që kjo politikë e jashtme e riemërtuar të rikthehet edhe më forcërisht në disa parime të vjetra.

Zyra e Jashtme britanike ka konfirmuar vazhdimësinë e angazhimit në Ballkan, duke theksuar ripërtëritjen e përpjekjeve për qëndrueshmërinë rajonale, luftimin e influencave malinje dhe përafrimin e vendeve të rajonit me institucionet transatlantike. Në të njëjtën kohë, duket sikur në dy vitet e fundit ka një përqëndrim të ri në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, luftën kundër aktivitetit të grupeve e organizuara kriminale që tejkalojnë kufinjtë shtetërorë, si dhe forcimin e standardeve demokratike dhe institucioneve të vendeve të rajonit.

Samiti i Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Londër në 2018 nën vazhdën e procesit të Berlinit, përkonte me eventin e fundit madhor ku Britania angazhohej si pjesë e unionit. Ai takim shënoi në vetvete fare pak përparim në rrugëtimin e vendeve të Ballkanit drejt Bashkimit Europian. Megjithatë, lajmi i mirë ishte saktësimi i qëllimit të vendit pritës për të mos braktisur rajonin. Në sajë të angazhimit të marrë në atë takim, deri në vitin tjetër vendi ishullor do të ketë dyfishuar kontributet për ndihmën teknike të vendeve të rajonit.

Në vetvete shifrat e investimeve dhe të mbështetjes ekonomike të Britanisë së Madhe në Ballkan mbeten modeste krahasuar me Bashkimin Europian dhe vendet anëtare. Megjithatë, në sajë të vetë pozicionit të saj ende të dyjëzuar në arenën ndërkombëtare, Britania mund të shërbejë si një shtojcë e mirëpritur e faktorit perëndimor. Në një sens afatgjatë, si i tillë mund të provojë të jetë një lojtar që ndryshon balancat.

Ndryshe nga vende të tjera europiane të cilat mbajnë mbi shpatulla mëkate të mëdha pasiviteti në momentet e gjakimit të Ballkanit në vitet 90’, Mbretëria e Bashkuar ka luksin e të qënurit nga ana e duhur e historisë. Kjo i jep një kartë të fuqishme morale. Rishtazi e ka treguar këtë edhe nëpërmjet veprimeve simbolike për të refuzuar revizionizmin historik të nisur në Ballkan dhe mbështetur edhe nga disa qarqe në kryeqytete të ndryshme të Europës.

Të gjithë këta elementë tregojnë mundësinë për një moment të ri për praninë e Mbretërisë së Bashkuar në Ballkan. Shqipëria dhe Kosova duhet ta mirëpresin këtë moment, sikurse dhe ta ushqejnë dhe shfrytëzojnë atë.

Duke kërkuar veteveten, zhvillimet e mëdha do e çojnë Britaninë të përballet në arenën ndërkombëtare me trysni të mëdha. Kryesorja ndër to është shtysa për një ripozicionim pranë qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara. Në Ballkan, kjo politikë transatlantike do të ishte përcaktuese dhe balancuese, qoftë edhe në raport me disa vende të tjera europiane.

Në të njëjtën kohë, sikurse edhe partnerët e tjerë perëndimorë, objektivi afatgjatë i Britanisë në rajon është demokratizimi dhe luftimi i influencave destruktive, sikurse dhe shndërrimi i rajonit në një destinacion atraktiv për investimet. Synimi i konfirmuar dhe aktiviteti në rritje në çështjet e sigurisë dhe zhvillimit është një provë e një politike të rivitalizuar.

Britania mund të shërbejë për të krijuar alternativa të shëndosha kundrejt mësymjeve të fuqive si Kina dhe Rusia. Për vende si Shqipëria dhe Kosova, të cilat i kanë refuzuar qartësisht ato, ky angazhim duhet parë si një faktor domethënës. Britania e Madhe është e interesuar që vendet e rajonit të kontribuojnë në sigurinë e Europës dhe të luftojnë të gjitha fenomenet negative që shfrytëzojnë brishtësinë e Ballkanit si rrugë kalimi. Faktori shqiptar mbetet ende baza e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon, qoftë për hir të natyrës së qasjes kundrejt fqinjëve, qoftë edhe prej refuzimit të avancave të fuqive me synime malinje. Prandaj, Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë partneritetin në këtë drejtim.

Interesi i Britanisë në çështjet e sigurisë duhet shfrytëzuar gjatë procesit aktual të ngritjes së kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës, sikurse dhe për ta shndërruar atë në një zë edhe më konsistent në procesin e integrimit të Kosovës në NATO.

Së fundmi, Mbretëria e Madhe duhet parë edhe si një vend burimor për investimet aq të nevojshme ekonomike. Aktualisht investimi i bizneseve britanike në Ballkanin Perëndimor mbetet ende i limituar. Nuk ka përse të mbetet kështu. Në diskutimet parlamentare në Britani është theksuar në mënyrë të përsëritur se biznesi duhet të jetë pjesë e një bashkëpunimi të shëndetshëm bilateral me vendet e Ballkanit. Shqipëria dhe Kosova duhet të bëjnë një mësymje më të madhe për t’u shndërruar në vende atraktive për këto investime.

Largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian nuk duhet parë thjesht si një zhvillim i largët. Impakti që ka tek politika e saj e jashtme duhet parë me interes të madh në Ballkan dhe, veçanërisht nga ana e faktorit shqiptar, rikonceptualizuar me një politikë aktive.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.