Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Çburrnimi” i shtetit të Kosovës

Illustration: Big Eye

Me zgjedhjet e fundit ndodhi “Çburrnimi” i shtetit të Kosovës. Mendësia e odave, ku burrat e pleqtë mblidheshin e kuvendonin, fatkeqësisht nuk u ruajt vetëm si histori kulturore e së kaluarës, mirëpo ajo mendësi patriarkale vazhdoi e u instalua në të gjitha institucionet kryesore të shtetit për 20 vite.

Gjatë historisë sonë së pasluftës, gratë mund të shpresonin se pozita e vetme që mund ta merrnin ishte të bëheshin deputete në Kuvendin e Kosovës. Jo pse ne votonim gra, por sepse këtë ua mundësonte kuota gjinore, kuotë kjo e futur në ligjet tona me insistimin e ndërkombëtarëve. Aty – këtu ato mund të shpresonin edhe në ndonjë post ministror si rezultat i presionit të mediave dhe shoqërisë civile, mirëpo ky numër gjithmonë ishte simbolik. Kuota gjinore u arrit përmes presionit të ndërkombëtarëve, postet ministrore me anë të presionit të mediave e shoqërisë civile, e sërish përmes presionit gratë në vitin 2011 e shënuan suksesin më të madh të tyre, atëherë kur Atifete Jahjaga u bë Presidentja e parë grua e Republikës së Kosovës.

Tri institucionet më të larta shtetërore (me përjashtim të një mandati të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga) janë udhëhequr për njëzet vite nga burrat. Po t’i mbledhim ato i bie që “Burrnimi” i ka udhëhequr këto tri institucione 55 vite.

Pa e mohuar rëndësinë e pozitës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, zgjedhjen e saj nuk është se mund ta quajmë vërtet triumf për shoqërinë, pasi që kjo pozitë nuk u fitua nga vetëdija jonë qytetare e as nga vetëdija e burrave udhëheqës, por falë presionit nga jashtë. Presidentja e zarfit siç e quanin burrat udhëheqës erdhi nga zarfi i Ambasadorit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell. Po të mos ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shumë gjasë Presidentja tani do të ishte duke punuar akoma në polici.

Fundi i vitit 2019 dhe fillimi i vitit 2020 shënon epokën e “Çburrnimit” të shtetit. Për herë të parë në historinë e Kosovës një grua u kandidua për pozitën më të lartë udhëheqëse, atë të kryeministres, nga një prej partive më të mëdha në vend. Kjo nuk erdhi si rezultat i vetëdijes së partisë në fjalë, por si rezultat i një lufte të pakompromis që Vjosa Osmani për më shumë se 5 vite e bëri me burrat e partisë. “Çburrnimi” vetëm se filloi me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre e ky “Çburrnim” vazhdoi me datën 6 tetor, kur një grua si kandidate për kryeministre arriti t’i mbledhë 206.516 vota dhe e ngriti partinë në një pozitë që burrat nuk kishin mundur ta ngrisin që nga viti 2004. “Çburrnimi” vazhdoi edhe në fillimin e vitit 2020, ku për herë të parë në historinë e Kosovës, një grua arriti ta marrë një nga tri pozitat më të rëndësishme shtetërore. Kësaj here pa presionin ndërkombëtar, pa presionin e mediave e shoqërisë civile. Kësaj here një grua e mori këtë pozitë falë votave dhe besimit qytetar.

Ky është vetëm hapi i parë i “Çburrnimit”, pasi që ky fenomen vazhdoi me emërimin e grave në 30% të posteve ministrore. Të gjitha këto poste ministrore në të cilat u emëruan gratë, në qeverinë e kaluar ishin të udhëhequra nga burrat, përveç Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal,e cila udhëhiqej nga minoritetet. Tani Vjosa Osmani, po e zëvendëson Kadri Veselin, Albulena Haxhiu po e zëvendëson Abelard Tahirin, Rozeta Hajdari po e zëvendëson Valdrin Llukën, Hykmete Bajrami po e zëvendëson Shyqiri Bytyçin, Vlora Dumoshi po e zëvendëson Kujtim Gashin. Të gjitha këto gra kanë dhënë kontribut në dikasteret që po i udhëheqin edhe në të kaluarën në forma të ndryshme, qoftë përmes pozitës së tyre si deputete në Parlamentin e Kosovës, qoftë përmes komisioneve parlamentare që i kanë udhëhequr.

Në fenomenin e “Çburrnimit” të shtetit të Kosovës, kanë pasur rol shumë faktorë. Dështimi ose mosarritja e ndonjë suksesi të madh të burrave që kanë udhëhequr në pozita të larta, ka bërë që populli të besojë në gra duke pasur parasysh se në pozitat që kanë udhëhequr gratë në të kaluarën, nuk ka pasur skandale siç ka pasur në ministritë e udhëhequra nga burrat. Konstruktiviteti dhe puna e shumë prej tyre gjatë kohës sa kanë qenë deputetë rriti numrin e votuesve për to. Bashkë me numrin e votave për to u rrit edhe fryma në të mirë të grave. Përfaqësimi i dinjitetshëm që Vlora Çitaku ia bëri Kosovës si ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në OKB, përveç që pati benefite për Kosovën që po paraqitej dhe përfaqësohej në mënyrë të denjë, pati rol të madh edhe në pozitën e gruas në institucione. Përveç që po e përfaqësonte shtetin tonë, Vlora Çitaku po i përfaqësonte edhe gratë, gjë që ndikoi që besimi në gra të rritet.

Mirëpo, shtysa më e madhe e “Çburrnimit” erdhi si rezultat i kuotës gjinore, kuotë kjo e kritikuar nga një pjesë e madhe e popullit. Kuota ua mundësoi të gjitha këtyre grave që fillimisht të hynin në Kuvend, pasi që mendësia patriarkale e shumicës së popullit nuk iu linte hapësirë që ta tregonin veten. Popullit të Kosovës iu desh një imponim nga kuota, për ta fituar besimin dhe për të parë se gratë posedojnë dituri, shkathtësi, guxim e vendosmëri në politikë. Në fillimet e shtetit thuajse të gjitha gratë në Kuvendin e Kosovës hynin përmes kuotës. Ato e shfrytëzuan këtë mundësi për ta treguar veten dhe për t’i çinstaluar paragjykimet që populli i kishte për to. Si rezultat i kësaj, tashmë kuota thuajse e ka humbur efektin e saj, pasi në zgjedhjet e vitit 2019 më së paku gra në historinë e Kuvendit i siguruan ulëset me ndihmën e kuotës. Vetëm 13 nga 39 gra hynë në Kuvend përmes kuotës. Këtë numër e rritën partitë e vogla si dhe partitë e komuniteteve, pasi partia e parë në zgjedhje Lëvizja VETËVENDOSJE i siguroi të gjitha ulëset pa ndihmën e kuotës. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës 9 nga 11 deputete kanë hyrë pa kuotë.

Ky është vetëm fillimi i rrugës së “Çburrnimit” të shtetit, pasi që përfundimtarja do të jetë atëherë kur diferenca mes gjinive në dy institucionet shtetërore atë të Qeverisë dhe Kuvendit  të jetë 50% – 50%. Që ka akoma punë deri në “Çburrnimin” përfundimtar po e dëshmon edhe emërimi i zëvendës ministrave. Deri tani nga 11 zëvendës ministra të emëruar nga qeveria, vetëm një grua është emëruar në këtë post. Kjo situatë shpërfaqë edhe një mendësi kontrolluese dhe mosbesuese pasi në të gjitha ministritë që udhëhiqen nga gratë, zëvendës ministrat janë dërguar në rolin e “Rojtarëve”. Nëse deri në fund të emërimeve të zëvendës ministrave nuk ndryshon kjo situatë, atëherë qeveria nuk duhet të thirret në përfaqësim gjinor prej 30%, pasi edhe postet zëvendës ministrore janë pjesë e kabinetit qeveritar.

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.