Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Çfarë sinjalesh po dërgohen nga Universiteti i Prishtinës?

Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm i arsimit dhe shkencës në vend, dy muajt e fundit nuk ka prodhuar shumë zhurmë mediatike. Kjo mund të duket si shenjë se gjendja në UP po stabilizohet. Por, çfarë sinjale në të vërtet po dërgon UP-ja?

Për ata që nuk e kanë përcjellë nga afër atë se çka ka ndodhur viteve të fundit në Universitetin e Prishtinës, po i rikujtojmë disa detaje.

Para saktësisht dy viteve, pas disa muajsh debatesh të ashpra e protestave të kufizuara dhe solidarizimit të pashoq nga mediet e qytetarët (brenda dhe jashtë Kosovës) dhe një solidarizimi tejet modest në rrethin intelektual brenda Kosovës (por më të madh në diasporë), një rektor i UP-së u detyra të jepte dorëheqje. Ai, së bashku me disa kolegë, ndër të cilët edhe Dekanin tash në largim të Fakultetit Ekonomik, kishin publikuar bërllok akademik në një revistë mashtruese për t’u promovuar në hierarkinë e titujve tërheqës akademikë. Senati i UP-së i kishte mbyllur sytë edhe pasi keqpërdorimet ishin faktuar. Qartazi, disa prej senatorëve ishin vet të inkriminuar në praktika jo-akademike dhe nuk kishin vullnet për më shumë transparencë.

Nuk ishte ky rasti i parë i abuzimeve dhe veprave joetike, por disa shpresuan se do të ishte fillim i mbarë për UP-në dhe përfundim i klimës së mosndëshkueshmërisë. Kjo shpresë u forcua kur një rektor i ri i mori disa vendime të guximshme dhe i dha dinamikë transparencës dhe zbatimit të kritereve në UP (ashtu siç ishin). Por, kjo ishte pengesë e madhe për dy grupe: për një numër të konsiderueshëm profesorësh (dhe një grup të vogël studentësh) të cilëve iu konvenonte status quo-ja dhe për disa profiterë jashtë UP-së, shpesh njerëz me ndikim, që i përdornin disa prej atyre profesorëve dhe menaxherëve të njësive akademike.

Andaj edhe kishte vazhdimisht pengesa në punën e menaxhmentit aktual, jo pse nuk ka vend për përmirësime, kritika e sugjerime, por sepse bllokimi i menaxhmentit ishte e vetmja mënyrë për ta bllokuar transparencën, reformën dhe idenë e progresit aq të nevojshëm në UP dhe në Kosovë.

Të bindur se do t’i “fitonin” votat, ata që i frikësohen një universiteti që i shërben dijes dhe zhvillimit shoqëror, dëshironin rikonfirmim të pozicioneve të tyre nga stafi dhe studentët, duke e trivializuar qëllimshëm nocionin e demokracisë dhe duke e përshtatur atë nga arena politike në atë akademike. Ky konfuzion ndërmjet “politikës në nivel shteti” dhe “argumenteve në botën akademike” nuk është i rastësishëm sepse disa prej eksponentëve kryesorë të kësaj lëvizje antireformatore në UP janë individë që u bënë profesorë falë muskujve politikë.

Duhet sqaruar një herë e mirë se senati i një universiteti publik nuk mund të funksionojë me mentalitetin e njëjtë si Kuvendi i Kosovës. UP-ja nuk është sovrane, kurse shteti ynë po (aq sa po kemi mundësi të jemi). Tek e fundit, UP-ja i jep llogari MASHT-it dhe Kuvendit dhe jodirekt qytetarëve që e financojnë atë me një buxhet më të madh se secila prej  komunave të Kosovës me përjashtim të  Prishtinës dhe Prizrenit.

Ose, për ta thjeshtuar edhe më shumë: ju që po e lexoni këtë nuk mund të bëheni doktor i matematikës veç pse mund ta merrni shumicën e votave në Departamentin tim.

Ata që mendojnë se përmes votimeve brenda UP-së do të zgjidhen problemet ekzistuese ose duhet të jenë nën ndikimin e bimëve të Lazaratit ose nuk e kanë idenë se për çfarë flasin sepse në UP nuk ishte problem se ishin promovuar profesorë (ta zëmë hipotetikisht historianë) në kundërshtim me vullnetin e shumicës, por se me miratimin direkt ose indirekt të shumicës (të paktën të departamentit përkatës) ishin promovuar skandale akademike.

Por, klanet brenda UP-së janë aq të fuqishme për aq sa i tolerojnë njerëzit me ndikim në shtet. Si shpjegohet ndryshe se disa asistentë e ish-studentë ishin arrestuar me pompozitet në dhjetorin e vitit 2013 për një skemë të dyshuar kriminale brenda UP-së, por ende askush nuk ka sqaruar se pse hetimet kanë dështuar deri tash, se pse ato nuk kishin prekur asnjë profesor (edhe pse shkëmbimet e favoreve nuk mund të ndodhnin lehtë pa u përfshirë profesorët) e madje as se a është e vërtetë se kishte së paku 70 profesorë në listat e hetuesve policorë! Drejtësia i kishte mbyllur veshtë, jo pse nuk dëshironte të përzihej në “çështje akademike” (se veprat penale nuk kishin të bënin me “ë”-të e munguara ose të tepruara), por sepse ndoshta nuk lejohej t’i shkonte deri në fund të gjeturave të tyre.

Prandaj, tash janë bashkuar këto grupe prapë, jashtë dhe brenda UP-së, dhe në mënyrë plebishitare dëshirojnë ta kthejnë në pozitë pothuajse secilin udhëheqës, përveç, kuptohet, atyre që pengonin zhvatjen e qytetarëve dhe mashtrimin e rinisë. Nuk do të ishte e çuditshme që edhe pesëshja e famshme dhe e diskredituar (e në disa nivele edhe tragjikomike) e anëtarëve të Këshillit Drejtues të zgjedhur nga radhët e Senatit të rizgjidhet. Tek e fundit, ata individë duhet shpërblyer që e goditën reformën në UP.

Sinjalet e UP-së nuk janë sinjale të profesorëve por sinjale politike. Pra, stabilizimi i vetëm që po ndodh në UP është akomodimi i keqpërdorimeve, nga më të ndryshmet. Përgjegjësia për këtë nuk bije vetëm tek stafi i UP-së. Kurse pasojat do t’i bartim të gjithë e më së shumti qytetarët dhe e ardhmja e tyre.

A ka aftësi elita aktuale politike për ta shpëtuar UP-në është punë tjetër. Fërkimet politike të muajve të fundit japin pak shpresë se vullneti dhe vëmendja janë të pranishme.

Në ndërkohë, nuk do të thotë që pjesëtarët e botës akademike duhet të heshtin deri sa të zgjidhen problemet nga politika. Përkundrazi, duhet ripërtërirë vullnetin tonë për t’i ndihmuar vendit duke e ndihmuar Universitetin e Prishtinës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.