Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Cilët mendimtarë do ta përcaktojnë të ardhmen tonë?

Cilët mendimtarë do ta përcaktojnë të ardhmen tonë?

Para disa vitesh më kishte vrarë mendjen fakti se të gjithë studiuesit e shkencave sociale në ditët e sotme po qëndrojnë mbi supet e gjigantëve si Niccola Machiavelli, John Locke, Adam Smith, Alexis de Tocqueville, Max Weber dhe Emile Durkheim. Ajo çfarë të gjithë ata kanë të përbashkët është se përqendrimi i tyre kryesor ka qenë në strukturën sociale, politike dhe ekonomike të Evropës Perëndimore mes viteve 1450 dhe 1900. Me fjalë të tjera, i bie që ata ofrojnë një model intelektual për të vështruar, të themi, botën Perëndimore të vitit 1840, por jo domosdo botën Perëndimore të vitit 2016.

Për çfarë do të jepet mësim në lëndët e teorive sociale, të themi, në vitin 2070? Çfarë të drejte të kodifikuar – të shkruar sot ose që do të shkruhet në të ardhmen – do të dëshironin të kenë përdorur në fillimet e karrierës së tyre, në fund të viteve 2010, ata që do të përfundojnë karrierën e tyre në vitet 2070?

Pasi kam vrarë vazhdimisht mendjen për këtë pyetje gjatë disa viteve të fundit, kam ngushtuar zgjedhjen time në shkrimet e tre njerëzve: Tocqueville, i cili ka shkruar në vitet 1830 dhe 1840; John Maynard Keynes, i cili ka shkruar në vitet 1920 dhe 1930; dhe Karl Polanyi, i cili ka shkruar në vitet 1930 dhe 1940.

Çështjet qendrore për të cilat është interesuar Keynes në kohën e tij tingëllojnë reale edhe sot e kësaj dite. Atë e brengoste brishtësia e begatë sonë kolektive, dhe tensionet e rënda mes nacionalizmit dhe qëndrimeve kozmopolite të parrënjosura mbi të cilat zë vend një shoqëri globale paqësore dhe që lulëzon. Ai fokusohej në atë se si të organizojmë aktivitetet tona dhe si të shfrytëzojmë begatinë tonë për të krijuar një botë të përshtatshme për jetë të mirë. Synimi i tij ishte të vinte në dukje falimentimin e masave tona korrigjuese ideologjike që mbizotëronin: laissez-faireit, rendit spontan, bashkëpunimit kolektiv, planifikimit qendror. Dhe ai mendonte thellë për problemet teknokratike të menaxhimit të ekonomisë – dhe për fatkeqësitë shoqërore, morale dhe politike që do të pasojnë nga dështimi për trajtimin e tyre.

Pas Luftës së Dytë Botërore, problemet të cilat e shqetësonin Keynesin ishin venitur në sfond, ndërsa begatia e ripërtërirë në Perëndim i kishte shtyrë të besonin se ato probleme ishin zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Edhe gjatë stagflacionit (kombinimit të rritjes së ngadaltë dhe rritjes së çmimeve) në vitet 1970, thuhej se problemi ishte tejshtrirja social-demokratike, jo çfarëdo e metë themelore në ekonominë politike të Perëndimit.

Ai argument i hapi rrugën Kryeministres britanike Margaret Thatcher dhe Presidentit amerikan Ronald Reagan të tërhiqeshin drejt reduktimit të rolit ekonomik të shtetit dhe të çlironin nga kapistalli i tij forcat e tregut. Korrigjimi Thatcher-Reagan përbënte sukses të padiskutueshëm në mesin e klasave të kamura që u begatuan më pas. Ai krijoi një konsensus ideologjik që do të dominonte sferën publike nga viti 1980 deri më 2010.

Begatia e pasluftës gjithashtu la në hije problemet qendrore me të cilat ishte kacafytur Polanyi në vitet 1930 dhe 1940. Polanyi e pranonte se një shoqëri tregu në të vërtetë mund të krijonte shumë begati materiale, por brenga e tij ishte se ajo mund ta arrinte këtë vetëm me çmimin e kthimit të njerëzve në kukulla dhe në lodra të forcave të pamendta të tregut, dhe se njerëzit nuk e kishin kapur mirë këtë rol të ri. Qëllimi, për Polanyin, ishte që të arrihej prosperiteti që gjeneron një ekonomi tregu, pa vuajtur rrezikun e varfërisë, shkatërrimit krijues dhe gërryerjes së komunitetit që sillte me vete veprimi i forcave të tregut.

Ç’është më e rëndësishmja, Polanyi kishte paralajmëruar se nëse rendi modern borgjez do të dështonte në arritjen e kësaj, nga kjo do të përfitonin lëvizjet politike autoritare dhe totalitare. Gjatë periudhës së pasluftës, argumenti se begatia e bazuar në tregje përligj çfarëdo dhimbje anësore shoqërore merrej si i mirëqenëë kjo gjithashtu gradualisht po përcaktonte pikëpamjen e bazuar në konsensus në mesin e klasës së kamur dhe mbështetësve të saj ideologjikë.

Kjo na sjell te Tocquevillei, i cili ka shkruar pothuajse para dy shekujsh, por brengat kryesore të tij nuk u larguan asnjëherë. Përqendrimi i Tocquevilleit ishte në pasojat e shkatërrimit të kastës si parim i rendit shoqëror dhe politik. Kastat e mëdha – duke filluar nga të supozuarit Fisnikë Frankë të Shpatës dhe Fisnikët e Mantelit, e deri te tregtarët proto-borgjezë dhe bujkrobërit galo-romakë – të gjithë u kishin dhënë pjesëtarëve të tyre disa liri të caktuara dhe një masë autonomie personale në këmbim të detyrimeve ndaj shtetit. (Dhe, natyrisht, sa më i ulët statusi social, aq më të mëdha detyrimet.)

Tocqueville e kishte vënë re se këtë botë me rend rigoroz po e zëvendësonte demokracia dhe barazia sociale formale, në të cilën secili do të jetë po aq e lirë, por gjithashtu do të jetë po aq në mëshirën e shoqërisë. Në këtë mjedis të ri, kurrfarë privilegjesh ose lirish nuk do të ju mbrojnë nëse do nuk arrini të gjeni ndonjë palë homologe në treg, ose kjo do të çonte në tiraninë e shumicës, ose thjesht do të kërkohej një formë drejtimi derisa të përpiqeshe të vendosje se kush do të duhej të ishe.

Në botën e Tocquevillet, shkatërrimi i kastës ishte vetëm i pjesshëm. Ai ka shkruar për burra të bardhë që e dinin përkatësinë e tyre kombëtare, e dinin se çfarë do të thoshte t’i përkisje një kaste, dhe ai i dinte privilegjet që sillte kjo përkatësi.

Në kohërat tona, shkatërrimi i kastës dhe privilegjeve të kastës po shkon një hap përpara. Periudhës së sundimit politik të burrave të bardhë në demokracitë Perëndimore po i vjen fundi. Dhe po i vjen fundi në një kohë kur populizmi ekonomik po e zëvendëson menaxhimin teknokratik, ku shpesh burrat e bardhë po i kthehen autoktonizmit si përgjigje ndaj shkatërrimit të vendeve të punës dhe jetesës së tyre nga ana e forcave impersonale të globalizimit.

Siç mund të shohim në shumë vende, njëri pas tjetrit, rendi i vjetër nuk do të dorëzohet pa e shkrepur asnjë. Asnjë rend i vjetër nuk e bën këtë. Por, privilegji në formë kaste i burrave të bardhë është i dënuar të marrë fund. Tani sfida para nesh është se si të jetësojmë më së miri mundësitë e reja në dispozicion për përmirësimin e njeriut, për të mirën e të gjithëve. Më bien ndërmend pak udhërrëfyes më të dobishëm për t’ia dalë në këtë sfidë sesa Keynesi, Polanyi, dhe Tocqueville.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.