Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Çka është në të vërtetë mirëqenia ekonomike

Vendet e pazhvilluara si Kosova vazhdimisht mbërthehen nga diskutimet për mirëqenien ekonomike, apo nga ajo që shpesh e quajmë “standardi i jetesës”. Se kujt i referohet kjo shprehje në gjuhën e zakonshme kuptohet lehtë, por nuk është gjithmonë e qartë se çfarë është në të vërtetë ajo.

A është mirëqenia ekonomike e barabartë me lumturinë? Një i pasur mund të jetë i palumtur, ashtu si një i varfër që mund të jetë i lumtur. Nëse një individ është milioner, a ka ai mirëqenie ekonomike edhe nëse gjendet në shkretëtirë ku nuk ka asgjë për të blerë? Çështje të kësaj natyre e kanë dëshmuar vështirësinë e nxjerrjes së një definicioni të drejtë dhe të plotë për mirëqenien ekonomike.

Shumica e ekonomistëve preferojnë t’i japin fjalës “mirëqenie ekonomike” karakter fizik. Ata thonë që mirëqenien ekonomike e përbëjnë mallrat dhe shërbimet fizike në dispozicion të një individi dhe këtë e matin me indikatorë objektivë dhe sasiorë si Bruto Prodhimi Vendor.

Të tjerët, si për shembull marksistët, thonë që gjendja shpirtërore, e jo vetëm materia fizike, është vendimtare për përcaktimin e mirëqenies ekonomike. Ata argumentojnë që indikatorët si BPV-ja nuk e përmbledhin në tërësi mirëqenien sepse nuk e marrin parasysh vlerën subjektive të gjërave (si p.sh. arti) të cilat mund të mos kenë vlerë tregtare.

Për shumicën e ekonomistëve një familje e varfër nuk bëhet më pak e varfër nëse është e lumtur, kurse për marksistët mungesa e gjërave elementare në disa vende me ekonomi socialiste racionalizohej me argumentin që qytetarët në ato vende ishin më të përmbushur shpirtërisht.

Ekonomistët gjithashtu argumentojnë që mirëqenia ekonomike nënkupton jo vetëm pasurinë për të blerë por edhe ekzistencën e ofertës së mallrave dhe shërbimeve. Në këtë kuptim, një milioner në shkretëtirë nuk mund të ketë mirëqenie ekonomike sepse, pavarësisht pasurisë së tij, nuk mund të blejë asgjë përveç zallit.

Ky kriter i ofertës nganjëherë zgjerohet për t’i përfshirë edhe shërbimet publike, siç janë edukimi, spitalet, infrastruktura (rrugët, aeroportet, transporti publik, etj.), siguria, ambienti, etj. Shembull, sado i pasur të jesh në Kosovë, oferta për këto shërbime publike është e dobët.

Në përgjithësi, në mesin e ekonomistëve ekziston konsensusi se mirëqenia ekonomike nënkupton tërësinë e mallrave dhe shërbimeve që mund të konsumohen nga qytetarët e një vendi. Qytetarët kanë nevoja të ndryshme, duke filluar nga ato më baziket siç janë ushqimi, streha dhe veshja. Këto nevoja përmbushen duke i konsumuar mallrat fizike dhe shërbimet që ofrohen siç janë ushqimi, shtëpia, banesa, rrobat, kurse nevojat më pak bazike përmbushen nga gjëra si vetura, televizioni,
interneti, etj.

Në këtë kuptim, njerëzit kanë pasur një mirëqenie më të dobët ekonomike në kohët kur këto mallra dhe shërbime nuk kanë ekzistuar, apo kanë ekzistuar në një sasi më të vogël, për një numër më të vogël të njerëzve.

Po ashtu, përderisa në të kaluarën furnizimi me ujë apo ajër të kondicionuar ka qenë privilegj i një pjese të vogël të shoqërisë, sot edhe inovacionet më të reja teknologjike (si telefonat e mençur) vihen shpejt në dispozicion të vendeve të varfra si Kosova.

Pra, mirëqenia ekonomike ka të bëjë thelbësisht me fiziken, të prekshmen, objektet që duhet të prodhohen dhe konsumohen (përfshirë këtu shërbimet që shpeshherë duhet të ofrohen me ndihmën e ndonjë pajisje fizike).

Por para se diçka të konsumohet, ajo duhet së pari të prodhohet, të vijë në ekzistencë. Mirëqenia ekonomike nuk mund të ekzistojë pa prodhim. Jo vetëm sepse prodhimi mundëson krijimin e mallrave që përmbushin kërkesat subjektive të individëve, por edhe sepse prodhimi përbën kapitalin me të cilin individët i blejnë dhe konsumojnë ato mallra. Për shembull, në mënyrë që një individ të blejë një veturë, ai duhet të “prodhojë” diçka dhe të paguhet me para, me të cilat pastaj do ta blejë veturën. Në esencë, “përmbushjen e kërkesës e mundëson oferta”.

Kuptimi i drejtë i mirëqenies ekonomike mund të duket që s’do koment, por në realitet disa politika ekonomike që krijohen për ta rritur atë e bëjnë pikërisht të kundërtën. Për shembull, të majtit vënë më shumë theksin te shpërndarja e mallrave, sesa te krijimi i tyre në radhë të parë. Pa marrë parasysh shpërndarjen e mallrave, nëse prodhimi është i ulët apo inekzistent, nuk do të ketë rezultat. Është ironike se si pikërisht në vendet me mirëqenie më të madhe ekonomike mundësia e përmbushjes shpirtërore është më e madhe sesa në vendet ku sot dominon ideologjia marksiste, e ku çështja e mallrave bazike e ka pamundësuar njeriun të mendojë për gjëra si arti.

Pa kuptimin e mirëqenies ekonomike si tërësi e mallrave dhe e shërbimeve nuk mund të ketë qasje të drejtë për arritjen dhe kultivimin e saj. Çdo politikë ekonomike duhet të gjykohet nga prizmi se sa e rritë mirëqenien ekonomike për numrin më të madh të njerëzve, pa u shpërqendruar nga masat që bëjnë ndryshime ad hoc nga të cilat përfitojnë vetëm një numër i ngushtë i njerëzve.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.