Integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare paraqet “konceptin ideor” i cili duhet t’i japë kontribut krijimit të demokracisë dhe të shoqërisë stabile e cila, sipas përkufizimit, pasqyron multietnicitet dhe barazi të të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. “Demokracia jonë e re” për fat të keq, nuk bazohet në parimet e demokracisë së njëmendtë, vlerësimit të ndërsjellë dhe respektimit të llojllojshmërisë.
Sipas agjendës së politikanëve kosovarë, integrimi i serbëve paraqet rrumbullakësimin e shtetësisë së Kosovës dhe për këtë këmbëngulet në të gjitha takimet zyrtare dhe jozyrtare, nëpër prezantime e intervista, derisa në anën tjetër serbët e Kosovës këtë pyetje e kuptojnë në po të njëjtën mënyrë, sidomos në veri, dhe refuzojnë të marrin pjesë në atë, që për ta është proces i papranueshëm, për të cilin konsiderojnë se do ta shuajë dhe ta neutralizojë plotësisht frymën kombëtare serbe në Kosovë* (dhe Metohi).
A është Kosova, si vend me popullsi etnish të ndryshme, e aftë ta menaxhojë si duhet këtë diversitet, përkatësisht të krijojë kushte të cilat nuk shkaktojnë përçarje dhe përplasje në shoqëri?
Përgjigjja është e shkurtë dhe e qartë – JO!
Në kohën në të cilën “elitat” udhëheqëse në Kosovë ua heqin qytetarëve të nacionalitetit serb të drejtën e lirisë së lëvizjës, të drejtën në arsim në gjuhën amtare, ua vështirësojnë procesin e marrjes së dokumenteve, e njëkohësisht nuk i pranojnë dokumentet të cilat i lëshon Republika e Serbisë për territorin e Kosovës, nuk e respektojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës apo qasjen në informacione në atë gjuhë, integrimi vullnetar i serbëve në sistemin e Kosovës do të ishte baraz me pajtueshmërinë e tyre vullnetare për shuarjen e identitetit nacional dhe asimilimin në “diçka” që nuk i përmbush as standardet më themelore të respektimit të të drejtave të njeriut.
Korniza ekzistuese ligjore dhe institucionale e politikës joshumicë në Kosovë nuk është rezultat i konsenzusit të arritur politik për avansimin e pozicionit të komuniteteve joshumicë, por rezultat i përgjigjes ndaj kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare dhe kënaqja e interesave politike të “elitave” udhëheqëse të Kosovës.
Dhe, këtu lind problemi!
Nga ana tjetër, kemi dialogun në Bruksel dhe marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të këtij dialogu, të cilat kanë për qëllim integrimin më efikas të komunitetit serb në shoqërinë kosovare. Ajo që në letër shihet si dëshmi e vullnetit për integrimin e plotë në aspektin juridik, në realitet shfrytëzohet si mekanizëm për ekskomunikimin e plotë të serbëve, jo vetëm nga shoqëria kosovare, por edhe nga korpusi i komuniteteve joshqiptare të cilat i kërkojnë këto të drejta.
Duke e theksuar rolin e sakrificës si rezultat i politikës serbe të viteve ’90, politikanët kosovarë me shkathtësi e mirëmbajnë tensionin në Kosovë, e fajin për çdo politikë të tyre të pasuksesshme apo më pak të suksesshme të shtetformimit ua lënë serbëve të mbetur në Kosovë. Duke zbatuar “masa reciproke” të jashtëligjshme dhe antikushtetuese, “elitat” udhëheqëse e shndërrojnë provizoriumin e Kosovës në një vakuum në të cilin gjenden: qytete të ndaluara për serbët, kisha dhe varreza të cilave nuk guxojnë t’u afrohen pa përcjellje policore, ligje të cilat serbët as që mund t’i lexojnë, deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët i kërcënojnë qytetarët serbë me spastrim etnik, ministra të cilët me shkresa të brendshme ua heqin fëmijëve të drejtën për arsim, zëvendësministra të cilët janë uzurpues të pronës private serbe, kuvende komunale të ndaluara për këshilltarë serbë, por prandaj liria e mendimit dhe liria e shprehjes nuk ekzistojnë as në fotografi.
E kërkohet integrimi!
Bashkësia ndërkombëtare hesht dhe bëhet kinse nuk po e kupton thelbin.
Ajo që politikanët kosovarë nuk kuptojnë apo nuk dëshirojnë të kuptojnë është se suksesi i politikave integruese varet nga funksionaliteti i shtetit dhe nga kapaciteti i saj për zbatimin e rendit juridik. Funksionaliteti i një shteti bazohet në legjitimitetin e saj (mbështetjen të cilën ajo dhe rendi i saj juridik e gëzojnë tek qytetarët), në cilësinë e kornizës ligjore, institucionet e zhvilluara demokratike, dhe në respektimin e të drejtave të njeriut.
Shpërfillja apo mohimi i të drejtave të serbëve të cilat u takojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në aspektin juridik, politik dhe ekonomik krijon klimën e mosbesimit të popullit ndaj institucionet dhe prodhon segregacion të komunitetit serb nga shoqëria kosovare dhe i jep “privilegj” të jashtëligjshëm shumicës etnike që t’i mohojë të drejtat e njeriut varësisht nga nevojat e politikave ditore.
E ky, do të pajtoheshit, nuk është modeli i shoqërisë në të cilën do të dëshironte të integrohej dikush.
Dhe problem nuk paraqesin ligjet vërtet të avansuara apo strategjitë e shkruara shumë mirë, planet e veprimit (me kusht që të paktën të jenë të lekturuara apo të përkthyera si duhet).
As moszbatimi i vazhdueshëm i tyre!
Problemi qëndron te mungesa e vetëdijes se jemi të barabartë. Problemi qëndron te mungesa e vullnetit të “elitës” udhëheqëse kosovare për t’i kushtuar vëmendje një pjese të qytetarëve të saj, sepse ata nuk i përkasin shumicës etnike, dhe jo vetëm kjo, por se janë edhe serbë.
“E po, i keni edhe ju deputetët tuaj”, tha së fundi një deputet i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti shumicë. A nuk do të duhej t’i kishim edhe ne 120 deputetë, nëse jemi të barabartë?
Kur politikanët e Kosovës fillojnë të sillen ndaj serbëve si ndaj qytetarëve të tyre, kur fillojnë ta ngrisin zërin kundër shkeljes së të drejtëve të tyre, kur fillojnë t’ua lehtësojnë jetën në vend të krijimit të klimës në të cilën qytetarët frikësohen për jetën e tyre, mbase, dhe vetëm mbase, diçka mund të ecë në drejtimin e duhur.
Po ju jap një këshillë se nga duhet të fillojmë – nga dialogu! Me qytetarët tanë.
Deri atëherë, integrimi është veç në letër. Dhe mos e fajësoni popullin për këtë. Përgjigjësia është e juaj!