Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Demokracia në Shqipëri vazhdon të bëj regres dhe shqiptarët janë të vetmit që mund ta shërojnë

Viti që lamë pas ka shënuar rënie në nivel global të treguesve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Ndërkohë që vende elitare të autoritarizmit si Kina dhe Rusia i kanë konsoliduar akoma më shumë politikat e tyre agresive brenda dhe jashtë vendit, shtete të tjera të konsideruara demokratike, edhe pse të brishta, u dorëzuan dhe u thelluan akoma më shumë në atë që quhet “recesion i demokracisë”.

Në Hungari parlamenti i ka dhënë kryeministrit Viktor Orban fuqi të pakufizuar duke e lejuar të shtyjë zgjedhjet. E njëjta gjë është lejuar apo tentuar edhe në vende të tjera si Filipinet, Tanzania, El Salvador dhe Bolivia. Të gjithë këto vende kanë tre të përbashkëta. Së pari, zgjedhjet janë kontestuar. Së dyti, partitë opozitare dhe shoqëria civile kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të intimiduara në mënyrë konstante dhe e fundit, qeveritë i kanë zgjeruar fuqitë e tyre ekzekutive tej çdo limiti demokratik. Të mbledhura së bashku, sipas politologut amerikan Larry Jay Diamond, këto përbëjnë atë që njihet si “shtet grabitqar” (predatory state).

Sipas tij shtetet grabitqare prodhojnë shoqëri grabitqare të cilat nuk pasurohen përmes mënyrave që i shërbejnë të mirës së vendit, por duke shfrytëzuar fuqinë dhe privilegjin që ato kanë, duke vjedhur, e duke përbuzur normat ligjore e shtetin e së drejtës. E vetmja mënyrë sipas tij që të ndalohet ky fenomen, është përmes institucione të drejta e demokratike, e për këtë një rol themelor kanë vende si Shtete e Bashkuara dhe vende të tjera me demokraci të konsoliduar.

Në mesin e këtyre shteteve grabitqare hyn dhe Shqipëria. Një vend i cilësuar si demokraci iliberale, ku korrupsioni lulëzon dita ditës dhe shteti i së drejtës është inekzistent. Ndonëse indekset tregojnë qartësisht që Shqipëria është në regres, ajo vazhdon të shihet nga vendet perëndimore si shtet demokratik. Mjafton të shohësh mos/qëndrimet e trupave diplomatikë në Tiranë gjatë vitit të kaluar, e sidomos ato të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Europian. Prishja e teatrit kombëtar, dhuna policore në protesta, ndryshimi i kushtetutës e rregullave zgjedhore dhe shfrytëzimi i pandemisë nga qeveria nuk ndollën asnjë reagim. Përkundrazi, përkeqësuan situatën dhe i dhanë dorë të lirë qeverisë.

Gjatë marrjes së kryesisë së OSBE Ministria e Jashtme Suedeze ndër të tjera falënderoi Kryeministrin Edi Rama “për udhëheqjen inspiruese të OSBE-së dhe modelin e ri të lidershpit ekzekutiv”. Thua vallë Suedia nuk ishte në dijeni të situatës në Shqipëri? Thua vallë nuk e mendoi që një deklaratë e tillë do të përdorej në kurriz të qytetarëve shqiptarë, ashtu si heshtja apo reagimet e pakuptimta të ndërkombëtarëve të tjerë?

Vetëm gjatë vitit 2020 janë arrestuar të paktën 6 gazetarë, qeveria tentoi të kalonte një ligj i cili rrezikonte lirinë e shprehjes dhe çdo protestë u shtyp me dhunë nga policia. Transparency International theksoi që kapja e shtetit po pasuron politikanët në kurriz të qytetarëve. Freedom House dhe World Justice Report raportojnë rënie të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Këshilli i Europës dënon dhunën policore dhe bën përgjegjëse qeverinë. Atëherë ku qëndron modeli i lidershipit i cili i atribuohet një qeverie me tendenca të theksuara autokrate?

Sigurisht që kjo pritet nga ndërkombëtarët. Në një kohë kur edhe vendet me demokraci të zhvilluar janë në vështirësi, vende si Shqipëria kalojnë në plan të dytë. Fatkeqësisht “stabiliteti përpara demokracisë” vijon të jetë kryefjala e politikës së jashtme së këtyre vendeve në kohë krize.

Pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare. Qeveria vijon fushatën e saj duke premtuar rritje rrogash, inaugurime banesash të rindërtuara nga shkatërrimi i tërmetit të dhjetorit të vitit 2019, paradë me ambulanca të reja nëpër rrugët e kryeqytetit dhe shpërndarje certifikatash pronësie, në një kohë që kjo konsiderohet propagandë e ndalohet me ligj. Parlamenti gjysmak në kontroll të plotë të pushtetit qendror dhe sistemi i drejtësisë në gjendje kome nga e cila nuk dihet kur do dalë. Media e blerë, e shantazhuar deri në vetëcensurë, dhe vetëm me ndonjë syresh që ka guximin të flasë të vërtetën. Duket sikur në fund të tunelit dritë nuk ka.

E gjitha kjo së bashku me heshtjen dhe qëndrimin shtrembër të ndërkombëtarëve, nuk bën gjë tjetër vetëm sa ushqen makinën propagandistike orwelliane të qeverisë, e cila eventualisht tremb ose manipulon dhe ato shqiptarë që nuk kanë ikur ende nga ato troje. Përballë këtij përbindëshi të frikshëm qëndrojnë një opozitë me një të shkuar jo fort të ndritur, por përsëri akoma të paprovuar në pushtet dhe një grupimi figurash të pasprovuara në politikë. Shqiptarët janë përballë një dileme të vështirë e thuajse ekzistenciale për të ardhmen e vendit. Të vazhdojmë me status quon-në apo të zgjedhim të keqen më të vogël? Në fund asnjëra nuk janë zgjidhja ideale, por përpjekja drejt një të ardhmeje më të mirë nuk duhet të ndalojë. Fundja, rruga drejt demokracisë nuk është sprint, por një maratonë pa mbarim gjatë së cilës vjen një moment që këpucët që të vrasin duhen hedhur edhe pse këpucët e reja mund të mos jenë idealet.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.