Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dialog pa epilog: Si i iku BE-së nga dora dialogu Kosovë – Serbi?

Pas mendimit këshilldhënës të GJND-së rreth aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, OKB-ja më 9 shtator 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga BE-ja dhe Serbia, që hapi rrugën për fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja. Kjo rezolutë e miratuar me konsensus përshëndeste mendimin e GJND-së dhe e mirëpriste gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky proces do të shërbente si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Ky plan promovonte bashkëpunimin, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ndihmën për të dyja vendet që të arrijnë progres në rrugën drejt BE-së. Procesi i dialogut mund të ndahet në dy faza: faza e parë përfshin të ashtuquajturin “dialogu teknik”, kurse faza e dytë “dialogun politik”. Negociatat nuk synonin arritjen e një marrëveshjeje për të gjitha problemet, por zbërthenin çështje komplekse në nivel teknik dhe ndiqej një qasje hap-pas-hapi ku procesi avancon në një mori ciklesh.

Takimi i parë i këtij procesi të dialogut filloi më 8 mars 2011. Marrëveshjet e para u nënshkruan më 2 korrik 2011. Nga atëherë janë nënshkruar gjithsej 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Më 25 gusht 2015 janë nënshkruar katër marrëveshjet e fundit: për Telekomunikacionin, për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë si dhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Nga këto, vetëm ajo për Telekomunikacion është zbatuar plotësisht. Ajo për energji dhe për urën e Ibrit kanë çaluar nga progresi i kufizuar, ndërkohë që ajo për Asociacion ka dështuar plotësisht.

Nga atëherë dialogu ka stagnuar dhe arsyet vijnë nga disa nivele: nga mungesa e një strategjie të qartë, nga mungesa e afateve kohore dhe nga mosgatishmëria e Serbisë dhe Kosovës për t’u marrë vesh. Mungesa e strategjisë së qartë ka prodhuar probleme serioze sepse paqartësia ka shoqëruar gjithë dialogun, marrëveshjet dhe zbatimin e tyre. Ambivalenca më e madhe ka qenë fakti se BE-ja me “normalizim të marrëdhënieve” ka nënkuptuar arritjen e një marrëveshjeje pa e përmendur njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, mungesa e së cilës është burimi i krejt konfliktit dhe arsyeja kryesore se pse dialogohet.

Një problem i tillë kërkon mprehtësi, mirëpo BE-ja në secilin raport të saj zyrtar ka përdorur terme shumëkuptimëshe. Për pasojë, në mungesë të një plani strikt, fjala “normalizim” në Serbi ka nënkuptuar “marrëveshje pa njohje”. Kjo vlen edhe për Kapitullin 35 në negociatat e Serbisë për integrim në BE, ku në asnjë pikë Serbia nuk obligohet që ta njeh Kosovën si shtet. Në Kosovë ndërkaq me “normalizim” nënkuptohet “marrëveshje me njohje” sepse nuk mund të zgjidhet konflikti pa u eliminuar burimi i tij. Mirëpo BE-ja nuk ka qenë në gjendje që të gjejë një strategji që kontradiktat i përkthen në energji për një ujdi që gradualisht i eliminon ato, por i ka akomoduar ato deri në atë nivel sa janë bërë të pamenaxhueshme.

Në mungesë të kornizave sinkronizuese nga BE-ja, kundërthëniet nuk kanë triumfuar vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe brenda në Serbi dhe sidomos në Kosovë. Rasti më eklatant është ai i Asociacionit, ku kakofonia e tekstit të marrëveshjes u ka lejuar akterëve politikë dhe gjyqësorë në Kosovë që ta sabotojnë atë.

BE-ja ka shpresuar që “Ambiguiteti Konstruktiv” do të ofrojë fleksbilitet për të marshuar përpara nëpër një mjedis shumë kompleks. Mirëpo kjo kulmoi në një situatë aporetike, ku kushti i mundësisë së marrëveshjes u shndërrua në kushtin e pamundësisë së saj. Sepse ambiguiteti i fjalës “normalizim” shërbeu si shenjues i zbrazët ku palët projektuan ambiciet e tyre përjashtuese që edhe çuan deri në bllokadë. Shkurt derisa palët e lexojnë ndryshe të njëjtën marrëveshje, ato janë marrë vesh pa u marrë vesh.

Mund të thuhet se ambivalenca e BE-së se aq sa është ideuar për të zgjidhur problemin mes Kosovës dhe Serbisë, aq është bërë edhe për të akomoduar shumësinë e qëndrimeve brenda BE-së ndaj Kosovës.
I lindur nga ndasitë dhe i hapur për nga natyra, ambiguiteti ishte një brikolazh për t’i pajtuar Kosovën dhe Serbinë, por fatkeqësisht brenda tij vetëm u intensifikua lufta për hegjemoni.

Qasja hibride e BE-së ka krijuar kushte të përshtatshme për formimin e konjukturave sabotuese kundrejt dialogut. Pra ky ambiguitet ka qenë “Thembra e Akilit” të dialogut dhe rivalët e tij e kanë targetuar mu aty. Kësisoj dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ka përfunduar me abnornalizimin e vetë procesit. Në të njëjtën kohë mungesa e afateve kohore ka bërë që dialogu të shndërrohet në një proces që nuk e sheh fundin e vet sepse palët e përfshira ndjekin rrugë dhe destinacione të ndryshme që nuk pikëprehen në një marrëveshje përfundimtare, të qartë dhe ligjërisht obligative.

Megjithatë dialogu i BE-së ka prodhuar rezultate shumë pozitive që nuk mund dhe nuk duhet të injorohen. Marrëveshjet e implementuara e kanë ndihmuar Kosovën dhe ato duhet të vlerësohen pozitivisht. Mbi të gjitha, dialogu e ka normalizuar idenë e vetë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kur Kosova shpalli pavarësinë, askush nuk e mendonte se Serbia do ta njeh atë. Mirëpo marrëveshjet e shumta e kanë bërë më të prekshme idenë se mund të arrihet një gjë e tillë, edhe pse procesi ka marrë drejtim tjetër tani. Për këtë BE-ja meriton mirënjohjen e të gjithë atyre që janë angazhuar për arritje të marrëveshjes.

Fatkeqësisht, nga viti 2015 dialogu i facilituar prej BE-së ka stagnuar. Mirëpo sa më shumë që BE-ja humbiste kontrollin mbi dialogun, aq më serioze bëhej ShBA-ja si faktor. Kjo sepse ShBA-ja është duke adresuar dy dobësitë më të mëdha të BE-së: paqartësinë dhe afatet kohore. ShBA-ja eliminon ambiguitetin kur flet në mënyrë eksplicite dhe pa ekuivoke për njohje reciproke, duke i dhënë dialogut qartësinë e merituar. Poashtu, derisa BE-ja flet për çështje vitesh, ShBA-ja flet për çështje muajsh, duke e bërë shumë më të prekshëm procesin. Mirëpo gravitimi i dialogut në drejtim të orbitës së Washingtonit është temë që kërkon vëmendje më të madhe se që mund të japim në këtë artikull, prandaj u mbetet shkrimeve të radhës për ta bërë një gjë të tillë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.