Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dialogu Kosovë-Serbi, në një gjendje të përhershme krize

Me gjithë arritjen e Marrëveshjes në Ohër, në mars 2023, palët duket se nuk janë të interesuara për zbatimin e saj. Hapësira manovruese e BE-së dhe “ambiguiteti konstruktiv” në dialog duket se kanë arritur limitin në këtë proces.

Dështimi që më 26 qershor në Bruksel të mbahet një takim trilateral, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, presidentit Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit special të BE-së, Joseph Borrell, përveç mosvullnetit të palëve, mbi të gjitha shpërfaq dështimin e BE-së.

Në mes të zgjedhjeve europiane, atyre amerikane dhe përfundimit e sipër të mandatit të Borrell-it dhe Lajçak-ut, status quo-ja po del të jetë determinantja e procesit në këtë kohë. Megjithëse pritjet ishin të vogla për takimin trilateral të paralajmëruar më 26 qershor, dështim i mbajtjes së tij çimenton krizën e krijuar.

Dështimi erdhi nga refuzimi i kryeministrit Kurti, sepse ai parashtroi tri kushtet e tij për takim: formalizimi i Marrëveshjes përmes nënshkrimit, tërheqja e letrës nga ish-kryeministrja e Serbisë dhe kushti i tretë, dorëzimi i Radoiçiqit tek autoritetet kosovare.

Pavarësisht këtyre kushteve, dialogu është kthyer përmbys që nga sulmi terrorist në Banjskë. Mosadresimi adekuat i përgjegjësisë për sulmin ka shkaktuar hendek të madh mes palëve. Tejkalimi i kësaj trandjeje pa një ndëshkueshmëri të Serbisë nga BE-ja, ka dhënë sinjale negative dhe barrikadim ende më të madh të pozicioneve të ngurta të Kosovës.

Qasja e pabalancuar nga ana e BE-së në raport me dialogun i ka ofruar komoditet Serbisë që të mos e nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Për më tepër, shkelja e Marrëveshjes, siç ishte rasti me lobimin serb kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, nuk është sanksionuar nga BE-ja.

Ngutia e BE-së për t’i shpallur marrëveshjet si të pranuara nën mantrën e famshme “We have a deal”, ka shpërfaqur paradokse në interpretim dhe zbatim, sepse trajektorja e zhvillimeve pas pranimit të Aneksit të Ohrit ka prodhuar kriza në raport me pranueshmërinë e marrëveshjeve dhe zbatimin e tyre.

Nga deklarimet e palës serbe u bë e paqartë nëse marrëveshjet janë pranuar apo jo. Madje, deklarimet publike të presidentit serb se marrëveshjet nuk cilësohen të pranuara në tërësi dhe se nuk do t’i zbatojë ato, e kanë futur edhe më tepër në krizë procesin e dialogut. Në këtë drejtim, as BE-ja nuk ofroi ndonjë qartësim apo rrugëdalje.

Në anën tjetër, Kosova ka refuzuar të procedojë tutje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nën premisën që Marrëveshja duhet të pranohet në totalitetin e saj, edhe pse Kosova është dakorduar për një gjë të tillë qysh më 2013.

Megjithatë, pranimi i Marrëveshjes bazike dhe Aneksit të Ohrit nga ana e Kosovës, nënkupton edhe formimin e Asociacionit si pjesë integrale të Marrëveshjes.

Thënë këto, procesi i dialogut është në një status quo, apo në një gjendje kome që nuk ka shumë shpresë që të ketë rikthim të tij në një periudhë afatmesme. Kjo sepse me mandatin në shkuarje të Borrell-it dhe përfundimit të mandatit zyrtar të Lajçak-ut, Kosova, por edhe Serbia, nuk kanë incentiva për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve.

Palët nuk janë të interesuara të bashkëpunojmë më me Borrell-in dhe Lajçak-un dhe janë në pritje të emrave të rinj që pritet të zënë vendet e tyre pas zgjedhjeve në BE muajin e kaluar. Prandaj, do të ishte befasi e madhe në rast se do të ndodhte ndonjë kthesë tansformative në dialog.

Vetë BE-ja është në konsolidim e tutje pas zgjedhjeve të përfunduara rishtazi dhe fokusi nuk është te dialogu, por te frenimi i Rusisë dhe menaxhimi i luftës në Ukrainë. Vendet e tjera të rëndësishme europiane janë në proces zgjedhor, si p.sh. Franca, ndërsa SHBA-ja, si akter i rëndësishëm në këtë proces, është vetëm katër muaj larg zgjedhjeve presidenciale.

Gjithashtu, Qeveria Kurti është tashmë në vitin e fundit të mandatit dhe, me zgjedhjet e reja në sfond, ndonjë hap pozitiv drejt dialogut mund të ketë kosto elektorale.

Në anën tjetër, Serbia e ka bërë të ditur që nuk është e gatshme të zbatojë Marrëveshjen bazike dhe Aneksin e Ohrit dhe duket se Serbia po pret një situatë gjeopolitike më të favorshme, potencialisht fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe rikthimin e presidentit Trump në Amerikë. Nëse realizohet një skenar i tillë, hapet një dritare për opsione më të rrezikshme në Ballkan.

Në këtë peizazh të ndërlikuar politik, hapësira për të shtyrë përpara diçka substanciale në dialog mbetet minimale. Në këtë kontekst, gjysma e dytë e 2024-tës duket si një rast i humbur për dialogun.

Një prerje transformative do të jetë e nevojshme nga BE-ja, por edhe nga SHBA-ja, për ta kthyer procesin në binarë. Kjo do të nënkuptonte simetri të plotë në proces, incentiva të qarta për të dyja vendet dhe penalizime konkrete në rast të mosangazhimit. Dykuptimësia konstruktive nga BE-ja duhet të zëvendësohet me qartësi. Në të kundërtën, cikli i krizës mëton të vazhdojë pafundësisht.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.