Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dialogu Kosovë-Serbi: zjarrvënësi si zjarrfikës

Për një dekadë me radhë, duke përdorur qasjen “eskalo për të deeskaluar,” Beogradi zyrtar ka arritur të nxjerrë koncesione nga Kosova në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

Serbia zakonisht eskalon duke përdorur strukturat kriminale në veri, duke vendosur barrikada për t’i intimiduar qytetarët në veri, si dhe duke sulmuar Policinë e Kosovës, EULEX-in, KFOR-in, mediat dhe akterë të tjerë.

Në anën tjetër të kufirit, Serbia e përdor taktikën e kërcënimit, duke vendosur pajisje ushtarake dhe duke patrulluar me helikopterë dhe aeroplanë ushtarakë afër kufirit me Kosovën.

Edhe në krizën më të fundit të barrikadave (dhjetor 2022), Serbia mori atë që deshi dhe taktika e eskalimit funksionoi. Kriza u tejkalua vetëm atëherë kur Serbia mori garanci nga Perëndimi se do të formohet Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe (ASK).

Serbia eskaloi duke detyruar serbët në veri të japin dorëheqje kolektive dhe duke krijuar një krizë institucionale në Kosovë, pastaj deeskaloi duke marrë garanci për formimin e ASK-së.

Megjithatë, Perëndimi nuk është se ka reaguar ndaj kësaj qasjeje destruktive të Serbisë. Ne fakt, Serbia është paraqitur për vite me radhë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Qasja akomoduese ndaj Serbisë

Politika akomoduese ndaj Serbisë, me shpresë se Serbia merr qasje pro-perëndimore, ka dështuar. Jostabiliteti që mbizotëron në rajon prodhohet kryesisht nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb i shfrytëzon mediat që kontrollon si dhe minoritetet serbe në rajon për ta zgjeruar influencën e tij destabilizuese.

Ekziston një ngjashmëri mes Vuçiqit dhe Sllobodan Millosheviqit. Tri dekada më herët, Millosheviq u pa si faktor stabiliteti duke nënshkruar marrëveshjen e Dejtonit. Por, kjo qasje shumë shpejt u vërtetua si e gabuar. Pas gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë, Millosheviq nisi një mision tjetër të spastrimit etnik në Kosovë.

Në periudhën e pasluftës, Serbia ka përdorur metodën “eskalo për të deeskaluar” me qëllim të nxjerrjes së koncesioneve nga Kosova.

Një nga metodat e preferuara janë barrikadat e nxitura nga Beogradi. Për vite me radhë, barrikadimi i rrugëve ka qenë një taktikë e Beogradit për të arritur qëllime politike.

Madje, barrikadat ishin përdorur edhe në zona jashtë veriut, ku barrikadat e rrugëve në Graçanicë kanë qenë një nga faktorët paraprirës të trazirave të marsit më 2004.

Këto trazira rezultuan në segmentet e pakos së Ahtisaarit, që çimentuan ndarjen etnike me komuna të reja me shumicë serbe, mes të tjerash.

Ngjashëm, tensionet e viteve 2011-2012, rezultuan në një nga koncesionet më kontraverse ka qenë stipulimi që komandanti policor i regjionit të veriut duhet të jetë serb, pra një përcaktim një etnik, që bie ndesh me vlerat demokratike.

Gjithashtu, përcaktimi monoetnik është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (shih rastin Sejdic/Finci të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut).

Edhe në dhjetor 2022, barrikadat e vendosura nga grupe të maskuara në rrugët drejt pikave kufitare në veri dëshmojnë për politikën e eskalimit që përdoret nga Beogradi për të arritur qëllimin final, atë të themelimit të ASK-së.

Ndërmjetësimi joadekuat i BE-së në dialog

Serbia nuk ka treguar përkushtim serioz se do të angazhohet për një marrëveshje përfundimtare. Përgjatë vitesh, Vuçiq nuk është kursyer në deklaratat e tij, duke kërcënuar se do ta dërgojë ushtrinë serbe në Kosovë, për t’i mbrojtur serbët.

Gjithashtu, pajisjet ushtarake si tankset, helikopterët, avionët, e të tjera, kanë patrulluar në disa raste shumë afër kufirit me Kosovën, duke rrezikuar direkt stabilitetin në rajon.

Mirëpo, kjo qasje destruktive nga Serbia asnjëherë nuk ka marrë përgjigjen e merituar nga Perëndimi. Pra, kemi të bëjmë me ndërmjetësim joadekuat, ku është injoruar eskalimi gradual i Serbisë dhe është qortuar Kosova për çfarëdo rezistence.

Për shembull, kur u arrit marrëveshja për targat, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, said se “tash e tutje, nëse palët – ose njëra nga palët – bllokojnë procesin e dialogut, ai mund t’i japë fund procesit të dialogut”.

Mirëpo, edhe pse qartazi barrikadimi në veri përbënte bllokim të dialogut nga Serbia, nuk pati asnjë reagim të mirëfilltë nga vetë Borrell dhe BE-ja.

Ky ndërmjetësim joadekuat po ndikon edhe në rezultatet e dialogut. Ka rrezik që gradualisht po ia mundëson Serbisë që një krizë (urgjencë e marrëveshjes) ta shndërrojë në një mundësi – themelimi i ASK-së pa njohje reciproke dhe pa marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Edhe pse Kosova e ka obligim ta formojë ASK-në, marrëveshja (e Brukselit) për të është vetëm një nga marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve, mes marrëveshjeve të tjera që Serbia nuk i ka implementuar.

Dhe pritjet nga dialogu janë që ASK të formohet në këmbim të njohjes nga Serbia. Në raste të tilla ndërmjetësimi, presioni publik mbi njërën palë e dobëson pozicionin e po asaj pale.

Konkretisht, ASK është leva e vetme efektive që posedon Kosova në negociata dhe qëllimi i saj është shtyrja e themelimit të tij dhe dizajnimi i një asociacioni që nuk e pengon funksionimin e shtetit.

Ky diskutim mbi eskalim-deeskalim logjikisht na bën të pyesim: nëse deri më tash BE-ja dhe ShBA-ja kanë qenë në gjendje t’i menaxhojnë krizat e herëpashershme mes Kosovës e Serbisë, atëherë pse Perëndimi duhet t’ia ketë frikën jostabilitetit në Ballkan? Pse duhet t’ia ketë frikën aftësisë destabilizuese të Serbisë dhe, rrjedhimisht, t’ia imponojë kërkesat e saj Kosovës?

Perëndimi duhet ta potencojë se e ka kuptuar qasjen “eskalo për të deeskaluar” të Serbisë dhe mungesën e përkushtimit të saj për një marrëveshje finale me Kosovën. Qasja e gabuar e Perëndimit në negociata dhe qasja akomoduese ndaj Serbisë, hedhin në pah nevojën për ndryshim në qasje duke ia bërë të qartë Serbisë se qasja e saj destabilizuese do të ketë pasoja.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.