Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dialogu: ngacmim i Kosovës, ledhatim i Serbisë

Artikulli i përkthyer.

Në muajt e fundit, BE-ja ka investuar një energji të konsiderueshme në rigjallërimin e dialogut Kosovë-Serbi. Pas diskutimeve rreth një propozimi të hartuar nga Franca dhe Gjermania, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ftoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq që ta nënshkruajnë këtë propozim më 27 shkurt 2023.

Para samitit, fokusi kryesor ishte themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASK). Qeveria e Kosovës – dhe veçanërisht Kurti – ishin cak i “diplomacisë buldozer” të ShBA-së dhe BE-së, të cilat kërkonin me ngulm që Kosova të pranonte ASK-në.

Retorika ishte shpesh ngacmuese, si për shembull deklarata e të Dërguarit të Posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se ShBA-ja ishte e përgatitur të përmbyste qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës dhe të gjente “partnerë” apo alternativë tjetër në Kosovë, nëse nuk do të gjente pajtim për “kërkesat” e shtruara.

Përkundër ndjesisë mbizotëruese se Kosova do të ishte “sabotuesja” në këtë mes, Kurti përshëndeti draft-propozimin para takimit, duke e quajtur atë një hap në drejtimin e duhur dhe paskëtaj said se kishte qenë i gatshëm ta nënshkruante.

Ajo që rezultoi nga samiti mes Kurtit dhe Vuçiqit u cilësua si një “marrëveshje”. Indikativisht, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian publikoi tekstin me titull “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Por, kur një “marrëveshje” nuk është marrëveshje? Kur njëra palë refuzon ta nënshkruajë atë? Ne e dimë që Kurti donte ta nënshkruante, por Vuçiqi refuzoi.

Në vend se ta pranojë këtë, BE-ja u angazhua në një gjimnastikë verbale: indikativisht, Josep Borrell shkroi në Twitter se Vuçiqi dhe Kurti “sot ranë dakord se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme lidhur me Propozimin e BE-së.”

Nëse të dyja palët do të ishin pajtuar me përmbajtjen e tekstit, sigurisht që do ta kishin nënshkruar atë – ose së paku do të shprehnin mbështetjen e tyre (siç bëri Kurti) – dhe deklarata e BE-së do të ishte: “Vuçiqi dhe Kurti ranë sot dakord për Propozimin e BE-së.

Nëse njëra palë (Kosova) u pajtua, por tjetra palë (Serbia) refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen, atëherë logjikisht deklarata duhej të ishte: “Kurti u pajtua me propozimin, Vuçiqi jo.

Duke pasur parasysh se si Qeveria e Kosovës u portretizua si sabotuese e pakompromis para negociatave, ia vlen barra qiranë të pyesim se cila do të kishte qenë përgjigjja nëse Kurti do të kishte refuzuar të nënshkruante një marrëveshje të cilën Vuçiqi do të kishte shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar; nuk gabojmë të supozojmë se deklarata pasuese do të ishte një dënim i fuqishëm ndaj Kurtit.

Natyra e vërtetë e “marrëveshjes” u bë edhe më e dukshme në ditët që pasuan. Vuçiqi bëri një varg deklaratash që përshkruan qartë kundërshtimin e tij ndaj “marrëveshjes”. Në një intervistë televizive, ai deklaroi si vijon: “Unë nuk do ta nënshkruaj njohjen formale apo joformale të Kosovës dhe as anëtarësimin në OKB… Unë nuk do ta nënshkruaj këtë (marrëveshje)”.

Më vonë, në një fjalim publik, Vuçiqi tha: “Të hënën patëm një bisedë në Bruksel – nuk u pajtuam.”

Derisa ne mund të ankohemi që Vuçiqi e refuzoi propozimin e BE-së, nuk mund ta mohojmë faktin se ai e ka bërë këtë gjë me forcë dhe haptazi. Andaj, është e çuditshme që mosgatishmëria e Vuçiqit për kompromis nuk është përballur me ndonjë dënim nga BE-ja apo ShBA-ja, veçanërisht pasi refuzimi i thjeshtë potencial i Kurtit ka nxitur më parë kaq shumë kundërshtime.

Si arritëm në këtë pikë?

Përderisa qeveritë e kaluara në Kosovë kishin qenë të gatshme të angazhoheshin në një dialog me Serbinë pa e diskutuar kurrë thelbësisht njohjen, Kurti ka thënë vazhdimisht se ky duhet të jetë fokusi kryesor.

Kjo nuk është kërkesë e paarsyeshme. Nëse besojmë që Kosova është shtet i pavarur, atëherë është e arsyeshme që të gjitha palët e përfshira të pajtohen me këtë gjë.

Megjithatë, Kurti nuk ka kërkuar që Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën. Ai ka pranuar se do të mjaftonte një marrëveshje e ngjashme me njohjen de facto por jo de jure midis Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore. Në këtë aspekt, ai ka treguar gatishmëri për kompromis, i palëkundur në qëndrimin e tij se përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të mohuar vetë ekzistencën e Kosovës nuk mund të tolerohen apo injorohen.

Megjithatë, realiteti është se BE-ja dhe përherë e më shumë ShBA-ja, viteve të fundit kanë kërkuar që dialogun Beograd-Prishtinë ta përdorin si mjet me të cilin Serbia mund të rehabilitohet. Pushtimi rus i Ukrainës e ka rritur ende më shumë dëshirën për ta sjellë Serbinë më afër Perëndimit, pavarësisht hezitimit të Serbisë për të zbatuar sanksionet e BE-së ndaj Moskës.

Kësisoj, qëllimi i dialogut Beograd-Prishtinë është kthyer në një dredhi të madhe, që do t’i mundësojë Serbisë të paraqitet si partner i pranueshëm për Perëndimin. Kjo ka nënkuptuar injorimin e statusit të Kosovës në favor të fokusimit në një sërë marrëveshjesh teknike që mund të arrihen pa pasur nevojë të merren me refuzimin e qartë të Serbisë për të pranuar të drejtën e Kosovës për të ekzistuar.

Kësisoj dialogu u bë mjet për të arritur “normalizimin”. Kur u pyet për rezultatet e samitit, Miroslav Lajçak – Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë – iu rikthye shprehjes se qëllimi kryesor ishte “normalizimi”.

Gjithmonë ka qenë e paqartë çfarë saktësisht do të thotë kjo. Në çfarë aspektesh mund të konsiderohet e “normalizuar” marrëdhënia midis Kosovës dhe Serbisë nëse kjo e fundit vazhdon të mohojë vetë ekzistencën e Kosovës? Ky është poli i kundërt i një marrëdhënieje “normale” midis dy shtetesh.

Fakti që BE-ja dhe ShBA-ja kërkojnë të arrijnë “normalizimin” shpjegon pse refuzimi i Vuçiqit për të rënë dakord me propozimin nuk nxiti ndonjë dënim. Në qoftë se Serbia duhet të mirëpritet në Perëndim, refuzimi i saj i hapur për të pranuar të drejtën e Kosovës për të ekzistuar duhet të injorohet.

Kjo është arsyeja pse propozimi i refuzuar nga Vuçiqi është përkufizuar në terma orwellianë si diçka që “nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme” dhe pse fokusi u zhvendos menjëherë te Plani i Zbatimit.

Logjikisht, pritet që një plan zbatimi do të bëhej i zbatueshëm vetëm nëse arrihet marrëveshja. Kjo u jep BE-së dhe ShBA-së një tjetër mundësi për të sajuar një situatë ku Serbia mund të paraqitet si palë moralisht superiore; nëse Kosova refuzon të miratojë ASK-në – që është pjesë e Planit Zbatues – atëherë ajo do të paraqitet si “sabotuese”. Serbia, nga ana tjetër, do të konsiderohet si pala e dëmtuar dhe refuzimi i saj për t’u dakorduar me propozimin origjinal do të harrohet kollaj.

ASK-ja ka arritur të ketë një rëndësi përtej asaj që është e arsyeshme për BE-në dhe ShBA-në. Asociacioni është i rëndësishëm jo për shkak të asaj që do të sigurojë për serbët e Kosovës, por sepse është bërë kërkesa thelbësore e Vuçiqit.

Nëse ASK-ja krijohet në formën e vet origjinale – për të cilën 97.6% e njerëzve në Kosovë besojnë se do ta rrezikojë vendin – mund të degradojë fatalisht sovranitetin e brendshëm të Kosovës’ dhe nëse refuzohet, do ta lejojë Serbinë të denoncojë kokëfortësinë e Kosovës.

Sido që të jetë, Vuçiqi fiton dhe BE-ja e ShBA-ja arrijnë qëllimin e tyre për të kënaqur Serbinë duke plotësuar kërkesat e saj.

Në fund të fundit, BE-ja dhe ShBA-ja duken të prira për të injoruar faktin se Serbia e ka refuzuar propozimin e BE-së dhe në vend të kësaj fokusohen në Planin e Zbatimit, pasi kjo gjë ofron potencial më të madh për të sajuar cilësimin e Serbisë si viktimë të intrasigjencës së Kosovës.

Nëse kjo do të ndodhte, padyshim se do të ishte një përmbysje e thellë e së vërtetës dhe një aktakuzë dënuese karshi prioriteteve të politikës së jashtme të BE-së dhe ShBA-së.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.