Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Domethënia e Urdhrit të Gjykatës për Transparencë në Sektorin e Energjisë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka urdhëruar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të publikojë dokumentet që ndërlidhen me ofertimin për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re dhe procesin e privatizimit të KEDS-it. Kjo është hera e tretë që gjykata gjen shkelje të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nga autoritetet publike.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) që brenda 30 ditësh, pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, t’i lejojë Institutit për Studime të Avancuara (GAP) qasje në dokumentet publike që ndërlidhen me ofertimin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe procesin e privatizimit të KEDS-it.

Rasti ka të bëjë me të drejtën e qasjes në dokumente publike dhe vendimi gjyqësor shënon fitoren e radhës së shoqërisë civile ndaj institucioneve publike – që deri më tani përgjithësisht nuk kanë treguar vullnet politik për transparencë. E njëjta gjykatë, më 2015 dhe 2016, kishte vendosur në favor të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese që kishte kërkuar qasje në vendimet disiplinore kundër prokurorëve dhe faturat e shpenzimeve në udhëtimet jashtë vendit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Aktgjykimi që mban datën 12 dhjetor 2017, i publikuar më 11 janar 2018, nuk përcakton nëse Ministri i Zhvillimit Ekonomik duhet të publikojë edhe kontratën për termocentralin e ri. Në kohën kur ishte shtruar kërkesa për qasje në dokumente publike, ky dokument nuk ekzistonte. Kontrata për termocentralin në vlerë prej rreth një miliard euro është lidhur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “ContourGlobal” më 21 dhjetor 2017. Llukës i është kërkuar vazhdimisht që ta publikojë atë.

Instituti GAP kishte ushtruar kërkesat për qasje në dokumente para MZHE-së dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) më 25 mars 2013 bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Disa prej dokumenteve për privatizimin e distribucionit të energjisë elektrike ishin ofruar vetëm për t’u parë, pa iu lejuar zyrtarëve të institutit qasje në kopje fizike ose elektronike. Ndërmarrja KEK kishte refuzuar qasjen në tërësi, nën arsyetimin se marrëveshja për shitjen e aksioneve ishte lidhur mes qeverisë dhe konzorciumit “Cali & Lima”.

Themelorja e Prishtinës duke vendosur në favor të institutit GAP ka adresuar çështje me rëndësi për të drejtën e informimit, si e drejtë që buron nga e drejta e lirisë së shprehjes.

Gjykata fillimisht ka vendosur se sikurse MZHE-ja ashtu edhe KEK-u janë institucione publike. Kështu aktgjykimi kontribuon në qartësimin e përkufizimeve të parapara me nenin 3 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, sipas të cilit institucionet publike janë edhe “personat fizikë apo juridikë, me kusht që të ushtrojnë autoritet administrativ, kryejnë detyra publike, apo operojnë me fonde publike sipas ligjeve të Republikës së Kosovës (bartësit privatë të kompetencave publike).” Ligji nuk u referohet konkretisht ndërmarrjeve publike.

Në pyetjen para gjykatës nëse dokumentet e kërkuara janë publike, gjykata ka vendosur t’i konsiderojë ato si publike, meqë MZHE-ja kishte dështuar të ofronte dëshmi për të arsyetuar ndonjërin nga përjashtimet që lejon mospublikimin e dokumenteve. Rrjedhimisht, është krijuar një precedent pozitiv gjyqësor sipas të cilit dokumentet e ofertimit dhe të privatizimit tash e tutje duhet të konsiderohen në parim si dokumente publike. Deri më tani këto dokumente janë mbajtur top sekret.

Një element tjetër më rëndësi i këtij aktgjykimi është “e drejta për t’i shikuar” dokumentet në vend të qasjes në kopjet fizike ose elektronike, që zakonisht përdoret nga autoritetet publike për t’ua vështirësuar ose pamundësuar gazetarëve raportimin. MZHE-ja ishte arsyetuar se nuk mund të ofronte qasje në kopjet e dokumenteve meqë ishin në formë të draftit të pafinalizuar. Gjykata e ka vlerësuar këtë pretendim si të pabazuar duke thënë se “dokumentet e tilla të institucioneve publike duhet të jenë të hapura për qytetarët…. dhe nga ky aspekt ata kanë drejtpërsëdrejti interes të arsyeshëm të informohen lidhur me këtë përmbajtje”. Duke mos bërë dallim në mes të dokumenteve të finalizuara dhe atyre që janë në formë të draftit, gjykata ka zgjedhur qasje tejet liberale. Një gjë e tillë është e mirëseardhur duke marrë parasysh se paragrafi 1.11 i nenit 12 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike ua mundëson institucioneve publike që të mos publikojnë dokumente nëse ato janë pjesë e “diskutimeve brenda apo ndërmjet institucioneve publike lidhur me shqyrtimin e ndonjë çështjeje”.

Ndonëse rezultati final i këtij aktgjykimi është në favor të lirisë së shprehjes, arsyetimi i aktgjykimit është i dobët dhe injoron elemente të rëndësishme që duhet të merren parasysh në raste të tilla- si intresi publik në publikimin e dokumenteve të kërkuara, roli i organizatave joqeveritare në shoqëri, etj. Themelorja ka përmendur shkurtimisht, përmes metodës copy-paste, nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, por pa ofruar arsyetim se si ndërlidhet e drejta e lirisë së shprehjes me të drejtën për t’u informuar. Ajo ka humbur një mundësi të artë për të zbatuar praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut duke zbatuar testin prej tre hapash, apo ndonjërin prej precedentëve të GjEDNJ-së në të drejtën për qasje në dokumente publike.

Aktgjykimi i Themelores duhet të inkurajojë qeverinë aktuale që menjëherë të publikojë kontratën për termocentralin e ri, nëse nuk dëshiron që përsëri të shkelë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtën për informim të gazetarëve dhe organizatave joqeveritare.

Author

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.