Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dy fjalë për paradën

Illustration: Big Eye

Ditë më parë në Prishtinë u mbajt një paradë (e krenarisë) në mbështetje të komunitetit LGBT+. Morën pjesë qindra vetë. Ndër të cilët, edhe shumë njerëz që meritojnë respekt për punën që bëjnë dhe bindjet jokonformiste që kanë.

Patriarkaliteti dhe primitivitetet e ngjashme përpunohen dhe gjallojnë në shoqërinë tonë në mënyrë tepër tinëzare, jashtë hapësirës publike, mes gojëve përfolëse, nëpër kafene e nëpër hapësira tjera private. Përjashto rastet e trishta të imamëve homofobë, profesorëve universitarë ksenofobë, ose politikanëve intelektualisht të korruptuar, nuk ka pasur asnjë argumentim konservator serioz që dilte kundër koncepsioneve të feminizmit, çlirimit seksual ose në përgjithësi vlerave liberale. Kundërshtimi shpërndahet kryesisht në hapësira private, dhe kur bëhet publik, atëherë shprehet kryesisht përmes sarkazmës që eskalon në përqeshje, ose përmes ndonjë forme tjetër që i ikë përballjes me argumente.

Kësisoj, mbështetja për komunitetin në fjalë ishte shumë e rëndësishme, sepse ishte publike, u mbajt në shesh, dhe sepse i bëri ballë përqeshjes së ambienteve private dhe përqeshjeve të vrazhda ku argumentet atrofizohen dhe të vërtetat nënkuptohen pa u thënë.

Megjithatë, unë nuk isha në paradë sepse mendoj që ajo e shpërfilli rrethanën e shoqërisë sonë. Nuk ishte e vendosur brenda kontekstit. Dhe si e tillë, ishte krejtësisht jokomunikuese e madje belbëzuese në mbështetjen që kërkoi të shprehte. Përmes paradës, u përçua mesazhi se ‘orientimet seksuale duhet të jenë të lira, dmth jo të shtypura’. Shumë mirë. Por, në anën tjetër ne jemi dëshmitarë të përditshëm të shtypjes që i bëhet në forma të ndryshme seksualitetit të shumicës së njerëzve në Kosovë, heteroseksualëve. Edhe më tej, gjallojnë mes nesh forma të ndryshme patriarkale të organizimit të shoqërisë. Duhet shtruar një pyetje: a paragjykohen heteroseksualët? Padyshim që po. Nëse jo për orientimin seksual, atëherë gjithsesi për mënyrën e ushtrimit të seksualitetit.

Moraliteti islam përgjatë tre-katër dekadave të fundit ka rrëshqitur në moralitete të reja, të ndryshme, të cilat megjithëse me fasadë moderne, ushtrojnë shtypje seksuale kryesisht ndaj grave. Moraliteti islam në anën tjetër, ishte thuajse barazisht shtypës (në aspektin seksual), si ndaj grave ashtu edhe ndaj burrave. Por, moralitetet aktuale të shoqërisë, të cilat natyrshëm duke qenë në një masë të madhe autonome, ndryshojnë prej njëra-tjetrës në mungesë të një autoriteti moral (që do t’i bënte heteronome), janë ngjashëm nënshtruese ndaj seksualitetit të grave (dhe jo vetëm). Është evidente se masa e gjërave të lejuara për një djalë në njërën anë dhe një vajzë në tjetrën, është e ndryshme në shumicën e familjeve kosovare. Është poashtu evidente se një pjesë e madhe e shoqërisë, dëshiron ta kuptojë virgjëritetin e grave si vlerë. Dhe kjo nuk është thjesht nëpër familje me moralitet islam apo me ekonomi të rënduar, apo nëpër zona të thella rurale. Këto moralitete me bazament heteronom por të ushtruara në formë autonome, janë thuajse gjithkund.

Natyrisht, është mjaft e zorshme të përpunohen e të shprehen publikisht vlera të caktuara të cilat e prekin drejtpërsëdrejti jetën tonë. Por në anën tjetër, nëse e mbajmë heshtjen shurdhuese që po e mbajmë, atëherë kjo rrezikon që në skutat e hapësirës publike të përforcohen gjithnjë e më shumë këto moralitete shtypëse. Madje, mund të marrin edhe ndonjë zëdhënës të aftë e të artikuluar. Të jesh i drejtë deri në fund është një gjë mjaft e zorshme, por në anën tjetër, të mos jesh i drejtë deri në fund, je i padrejtë. Mbi bazën e këtij postulati, parada e cila e injoroi çështjen e seksualitetit të shumicës, nuk meriton të mbështetet. Jam i vetëdijshëm se mes njerëzve që dolën në paradë, kishte mjaft feministe e feministë që besojnë te një çlirim i gjithmbarshëm seksual, te të drejtat dhe liritë e grave dhe burrave, te barazia gjinore etj. Por, unë nuk mbaj mend që në mënyrë të hapur të jetë folur kundër virgjërisë, kundër shtypjes së pabarabartë të gruas dhe burrit sa i përket seksit. Lëre më, të jetë mbajtur ndonjë paradë ose ndonjë protestë (meqë as parada nuk ishte kundër institucioneve, por kundër paragjykimeve shoqërore) për këtë problem – i cili shikuar nga masa e madhe e të shtypurve, është larg më i rëndësishëm se ai i komunitetit LGBT+.

Avokimi i hapjes seksuale ndeshet me këto moralitete të trishta e hipokrite që kanë mbetur pa strehë fetare. Por kjo ndeshje është e domosdoshme. Mund të thuhet që ‘hapja seksuale’ e sulmon institucionin e familjes ose të martesës në shoqërinë tonë. Po, por familja është patriarkale dhe martesa poashtu, e kësisoj meriton sulm të hapur e të qartë.

Në një debat televiziv ku u diskutua lidhur me disa deklarata të çuditshme të një imami nga Shqipëria, feministet e pranishme në studio dështonin të artikulonin qëndrimet e tyre. Në deklarimet e imamit se ai po përpiqej të mbronte familjen dhe martesën, ato mbetën pa gojë, nuk kishin përgjigjje. Kjo tregon sesi mes një numri të madh njerëzish që mbrojnë kauzat e ndryshme të feminizmit, ka një konfuzion të madh lidhur me koncepsionin e tyre për gruan, familjen, ose shoqërinë në përgjithësi. Por, konfuzioni i mëtejmë vetëm sa do ta rriste forcën e diskursit që përpunohet heshturazi në hapësirat private. Dhe madje, do t’i jepte guximin të dilte në hapësirat publike e të bënte namin.

Kësisoj, do të ishte shumë mirë që në çfarëdo organizimi të ngjashëm, të kishim një njohje të themeltë të problemeve tona vlerore, dhe poashtu një konceptim të qartë të çështjeve të cilat duhen mbrojtur. Ndryshe, rrëshqasim në novelat sarkastike të shkrimtarit rus Dostojevski, që e bën përqeshjen e konfuzionit të liberalëve rusë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.