Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dy modelet e kombit dhe nacionalizmit: etnik dhe qytetar

Nacionalizmi si parim politik e sheh kombin jo thjesht si emër për një grup të caktuar popullate, por si një entitet politik sovran dhe beson se kufijtë kombëtarë do të duhej të përputheshin me kufijtë shtetërorë. Kështu, parimi nacionalist synon krijimin e shtetit, duke e konstituuar kombin, qyshdo që të përcaktohet ai, në njësi politiko-administrative, ose më saktë në shtet të kombit.

Por, çfarë është një “komb” i cili e konstituon shtetin e vet? Me fjalë të tjera, si përkufizohet një popull që të jetë komb? Kërkimi i përgjigjes së kësaj pyetjeje ka çuar te një vrojtim që dallon dy mënyra të krijimit dhe përjetimit të kombeve: njëri territorial ose qytetar dhe tjetri, etno-kulturor. Në vijim shohim se çfarë na zbulon ky vrojtim në lidhje me krijimin dhe kuptimin ose përjetimin e kombeve?

Kombi qytetar dhe kombi etnik

Janë dy mënyra se si krijohen, shfaqen dhe përjetohen kombet: kombi qytetar dhe kombi etnik. Kombi qytetar nënkupton se popullata e një territori zhvillon një vetëdije kolektive të fatit të përbashkët politik dhe të aspiratave politike, që përfshin popullsinë brenda një territori të caktuar, pavarësisht përkatësisë së tyre etno-kulturore, fetare a gjuhësore. Parimi i identitetit kolektiv është politik: qytetarët i nënshtrohen njësoj sundimit të ligjit në atë territor. Sipas këtij kuptimi, t’i përkasësh kombit ka të bëjë me anëtarësinë vullnetare politike në një shtet të përkufizuar sipas territorit. Pra, në parim, që të jesh ose bëhesh pjesëtar i një kombi të tillë, mjafton të kesh lindur në shtetin e atij kombi ose të natyralizohesh si shtetas i tij. Këtu, përkatësia kombëtare dhe shtetësia ose qytetaria janë pothuajse sinonime.

Mënyra tjetër është kombi etnik i cili nënkupton krijimin e kombit si një përkatësi e përbashkët, që përfshin prejardhjen e tyre të përbashkët dhe identifikohen me karakteristika të përbashkëta kulturore, si, bie fjala, me një gjuhë ose fe të caktuar. Kombi etnik thekson lidhjet fisnore, gjuhësore, racore, etnike dhe fetare, mes të tjerash, duke theksuar kështu ekzistencën e hershme, madje të parëhershme të kombit. Identiteti kombëtar, që bazohet në parime etnike dhe kulturore, zakonisht përcillet me një ide esencialiste të kombit, që nënkupton se thelbi i kombit ruhet i pandikuar nga shndërrimet, asimilimet, akulturimet, shkrirjet e përzierjet e kombit “tonë” me kombe  “të tjera”.

Modeli francez dhe modeli gjerman

Për t’i përqasur këto dy forma të ndryshme të kombeve, qytetar dhe etnik, rëndom si modele të dallueshme merren kombi francez, në njërën anë, dhe ai gjerman, në anën tjetër. Në shekullin XVIII këto dy kombe kanë përkufizuar kombësinë e tyre dhe kanë arritur te komb-shtetet e tyre përmes rrugëve të ndryshme, varësisht nga rrethanat e veçanta përkatëse.

Kombi francez ka përfshirë grupe të ndryshme etnike e gjuhësore brenda territorit që për shekuj njihej si Mbretëria e Francës, paçka se gjuha franceze është imponuar si gjuha zyrtare e shtetit kombëtar francez në dëm të gjuhëve rajonale. Ideja e çlirimit kombëtar gjeti mbështetje morale te filozofia iluministe. Ky konceptim i kombit, bashkë me idenë emancipuese që e shoqëronte atë, u përhap në pjesë të tjera të Evropës. Natyrisht, në anën tjetër të Atlantikut, ndjenja kombëtare amerikane dhe nacionalizmi qytetar kishin drejtuar kryengritjet e kolonive britanike në Amerikë, që më në fund u jetësuan me pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas, kryengritjet e elitave të kreolëve të Amerikës Latine që synonin ruajtjen e pushtetit politik, pasurinë dhe statusin e tyre, rezultuan në ndjenja nacionaliste qytetare dhe lëvizje që më në fund ia dolën të krijonin shtete të pavarura kombëtare.

Për dallim nga kjo, kombi gjerman ka përfshirë vetëm popullsi që kishin të përbashkëta tipare të caktuara kulturore, etnike, fetare e gjuhësore. Kjo formë e identifikimit kombëtar u konceptua në romantizmin gjerman dhe u përhap në pjesë të tjera të Evropës dhe të globit: në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku perandoritë e mëdha osmane, ruse, austriake kanë sunduar me shekuj, si dhe në rajonet italiane dhe gjermane të copëtuara politikisht, lëvizjet nacionaliste kërkonin që hartën politike ta vizatonin përgjatë linjave gjuhësore dhe kulturore. Në periudhën nga vitet 1820 (lufta greke për pavarësi, etj.) deri në dekadën e parë të shekullit XX, ato, në përgjithësi, kishin pasur sukses në realizimin e kësaj kërkese.

Kësisoj, përvoja franceze e kombit qytetar e territorial u pa si model i përvojës perëndimore të formimit dhe përjetimit të kombit, ndërsa përvoja gjermane e kombit etnik dhe kulturor u bë prototip i përvojës lindore. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të gjitha kombet “perëndimore” kanë ndjekur modelin francez ose se të gjitha kombet “lindore” kanë ndjekur modelin gjerman. Kombi irlandez është ilustrim që nuk shkon pas pritshmërisë së modelit të parë, kurse disa versione të nacionalizmit çek e hungarez janë ilustrime që nuk përputhen me modelin e dytë. Shkurt, të dy modelet mund të gjenden edhe në Lindje edhe në Perëndim. Sidoqoftë, përkundër kësaj, dallimi analitik në mes dy modeleve është i qëndrueshëm.

Dy rrugët e krijimit të kombeve

Në përfundim, është argumentuar se kombet qytetare janë krijuar përmes rrugëve më organike, në saje të ekzistimit paraprak të një kulture të sofistikuar (“të lartë”) të zhvilluar, para se të vepronin lëvizjet nacionaliste dhe mbi të cilat ato kanë themeluar projektet nacionaliste, dhe për rrjedhojë nuk ka pasur shumë përpjekje të dhunshme të krijimit të kombit. Kësisoj, formimi i kombeve në Amerikë, në Evropën Perëndimore dhe në shoqëritë paskoloniale, sipas modelit perëndimor, ka pasur efekte integruese dhe kohezive, duke qenë se koncepti i kombit qytetar ka bashkuar grupe të ndryshme kulturore, etnike, fetare e gjuhësore në kombe, në saje të ndjenjës së tyre të fatit dhe aspiratave të përbashkëta politike për pavarësi dhe antikolonializëm.

Në anën tjetër, krijimi i kombeve sipas modelit etnik dhe kulturor ka pasur nevojë për një “inxhinieri të dhunshme shoqërore” për të realizuar parimin nacionalist të “përputhjes së njësisë kombëtare me atë politike”, domethënë shkëmbime e dëbime të popullatave, asimilime të dhunshme, si dhe vrasje të popullatave që nuk përkisnin me kulturën kombëtare të sponsorizuar nga shteti. Për pasojë, modeli etnik ka nxitur e motivuar lëvizje secesioniste dhe irredentiste.

Dallimi në mes modelit etnik të kombit ose komuniteteve kulturore, në njërën anë, dhe modelit qytetar ose shoqërive të një territori me aspirata të përbashkëta, në anën tjetër, ka implikime të ndjeshme në atë se si kuptohet pluralizmi dhe si rregullohen dallimet në shtetin-komb, në karakterin e shoqërisë civile dhe në përkufizimin e qytetarisë në këto shtete.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.