Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dy probleme në sfond: arsyeja e rritjes së borxhit publik dhe politikat e austeritetit

Kujtojmë se rritja e borxhit publik duhet të ndodhë, porse ajo duhet të ndodhë për projekte zhvillimore me synim të rritjes së punësimit, produktivitetit, dhe eksportit. Nga përvoja 13 vjeçare me autostrada, e kemi kuptuar se ato, që në masë të madhe ndërtohen nga kompani të huaja, mund ta lehtësojnë qarkullimin e reduktojnë kostot, por nuk kanë patur ndikim efektiv e afatgjatë në rritjen e punësimit, produktivitetit, dhe eksportit.

Ndonëse Kryeministri Hoti kishte premtuar se në Washington s’po shkonte për gjë tjetër përveçse për njohje, ai u kthye më një dokument zotimesh që nuk është as marrëveshje. Kjo për faktin se po të ishte e tillë, ajo do ta kishte nënshkrimin e dy palëve dhe do të dërgohej në Kuvend për ratifikim – siç është procedura për marrëveshjet ndërkombëtare.

Përveç formës që ngre kundërthëniet e lartpërmendura, pjesë e këtyre zotimeve janë edhe një sërë projektesh infrastrukturore, kryesisht autostrada, që pretendohet se do të krijojnë vende pune. Dhe, ndonëse si duket askush në Qeveri nuk e ka ende krejtësisht të qartë sesi do të financohen ato, është thënë se këto investime do të kapin vlerën e  mbi 1 miliardë dollarëve. Duke ditur karakterin e institucioneve financiare që përmenden në dokument, dhe shumën, nuk është e vështirë të kuptohet se një pjesë e mirë, në mos e tërë shuma, do të përfshijë kredi.

Nëse Kosova do të marrë $1 miliard kredi, siç po aludon Qeveria Hoti, atëherë kjo do të ketë ndikim serioz në rritjen e borxhit të jashtëm, rrjedhimisht borxhit publik. Aktualisht, borxhi publik është rreth 1.3 miliardë euro por, edhe nëse këto kredi do t’ishin me 0% interes e pa asnjë shpenzim administrativ (skenar ky pothuajse i pamundshëm), atëherë borxhi publik do të rritej në rreth 2.2 miliardë euro.

Kjo rritje prej më shumë se 65% e borxhit do të nënkuptonte rritje nga një borxh që është rreth 18.5% e Bruto Produktit Vendor (BPV) në një borxh prej rreth 30.6% të BPV-së. Dhe, kjo më bazë BPV-në e 2019-ës. Duke e ditur se këtë vit do të kemi rënie ekonomike, atëherë kjo përqindje medoemos se do të jetë edhe më e madhe.

Image

Kujtojmë se rritja e borxhit publik duhet të ndodhë, porse ajo duhet të ndodhë për projekte zhvillimore me synim të rritjes së punësimit, produktivitetit, dhe eksportit. Nga përvoja 13 vjeçare me autostrada, e kemi kuptuar se ato, që në masë të madhe ndërtohen nga kompani të huaja, mund ta lehtësojnë qarkullimin e reduktojnë kostot, por nuk kanë patur ndikim efektiv e afatgjatë në rritjen e punësimit, produktivitetit, dhe eksportit.

Pra, me këtë qasje, ne po e rrisim borxhin e jashtëm pa ndonjë përfitim të pritshëm për të ardhmen. E vetmja gjë e sigurt me rritjen e borxhit publik për më shumë autostrada është rritja e barrës që ne dhe gjeneratat e ardhshme do ta kemi përkthimin e tij.

Gjithashtu, në këtë mënyrë po zvogëlohet hapësira e lejueshme për borxh, që është deri ne 40% të BPV-së, me ç’rast do të kemi më pak mundësi në të ardhmen që të marrim kredi për projekte njëmend zhvillimore siç do t’mund të ishin ato për përditësimin e teknologjisë së ndërmarrjeve publike, themelimin e qendrave për hulumtim e zhvillim në universitete, financimin e rritjes së kapaciteteve për prodhimin e produkteve strategjike bujqësore, përkrahjen e qendrave për inovacion e ndërmarrësi, etj.

Për më tepër që, për shkak se të hyrat edhe nga Dogana edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë rënë, deficiti buxhetor për këtë vit detyrimisht do ta rritë borxhin publik. Pra, edhe pa e llogaritur 1 miliard dollarë të zotuar, vetëm për shkak të dallimit mes të hyrave dhe shpenzimeve të Qeverisë për këtë vit, do të ketë rritje të borxhit publik. Kur i shtohet edhe ky obligim, ai mund të bëhet një sfidë serioze në të ardhmen.

Natyrisht se kjo sfidë, me të cilën do të ballafaqohet Qeveria herët ose vonë, është sesi do të paguhet ai. Meqë Kosova nuk ka valutë të vetën, ajo nuk mund të prodhojë më shumë para. As nuk ka mundësi që të ndikojë në normat këmbimore – gjë që do t’mund ta lehtësonte kthimin e borxhit. Kështu, praktikisht, janë dy mënyra që do të mbesin: rritja e të hyrave dhe/ose ulja e shpenzimeve.

Rritja e të hyrave do t’mund të bëhej përmes rritjes së tatimeve. Aktualisht, Qeveria Hoti nuk duket se ka në plan diçka të tillë. Madje, ajo ka propozuar uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për disa sektorë, gjë që në periudhën afatshkurtër medoemos i ulë të hyrat. Gjithashtu, ajo është zotuar për mini-Schengenin i cili, qoftë si zonë e tregtisë së lirë qoftë si union doganor (meqë nuk është qartësuar asnjëherë se çfarë do të jetë), mund të ketë ndikim të madh negativ në të hyra.

Në këtë situatë, alternativë e kësaj Qeverie mbeten shkurtimet buxhetore apo, siç njihen pas krizave, politikat e austeritetit. Ato i kemi parë në shumë shtete pas Recesionit të Madh 2007-09. Zakonisht sektorët e parë të cilët pësojnë shkurtime buxhetore janë ato që kanë më së paku ndikim tek politikat e Qeverisë – shtresat e margjinaluzara. Pra, zvogëlohet rrjeta e mbrojtjes sociale, rast me të cilin goditen më së shumti ata që kanë më së shumti nevojë për ndihmën e shtetit.

Se çfarë forme do të marrin politikat e austeritetit në Kosovë mbetet të shihet, por sinjalizimi gjithnjë e më i shpeshtë se do të ketë ulje të pagave në sektorin publik është indikacion i qartë që po shkojmë në këtë drejtim. Këtu duhet sqaruar se një gjë e tillë nuk do të bëhet si pasojë e nevojës për ristrukturim të pagave në këtë sektor, çka do të kishte më shumë barazi përbrenda këtij sektori dhe mes tij e atij privat. Ulja e pagave do të bëhet sepse Qeveria po e rrit borxhin. Pra, narrativa po përmbyset: nga premtimi i papërmbushur i Kryeministrit Hoti në fjalimin inaugurues që do ta rimëkëmbë ekonominë duke i futur “së paku 1.2 miliard euro” në ekonomi, tani kemi sinjale që do të ketë shkurtime buxhetore – një gabim klasik i Qeverive të djathta në kohë krizash.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.