Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

E drejta me pasë të drejtë

Foto nga Freepik.

Qëllimi i protestave të tilla sikur ato që po barten aty ku veç tue thye nuk mbrrihet kurrgja, e që po “bllokojnë” dyert e kompromiseve, në radhë të parë asht ai që me zhurmë me mbrri vëmendjen e masave, ku çka asht drejtësi e çka asht padrejtësi, shtrembnohet në identifikimin e masave me viktimën: “atë ma të dobëtin”. E natyrisht në nji vend ku pakënaqësia në popull asht e madhe, nji civilist do të konsiderohet çdo herë ma i dobët se nji uniformë, nji opozitar çdo herë ma “i drejtë” se nji pushtetar etj. Mirëpo, kjo s’do me thanë me qenë e vërtetë: nganjiherë thjesht ekzistojnë edhe dy të dobët e dy të padrejtë në të njëjtën kohë.

Në arenën e politikës sonë, sipas mendimit tem as pozita as opozita nuk janë në gjendje, edhe me dashtë rastësisht, me ba politikë, sepse janë aq të nxanun me determinue gabimin te qëndrimet e tjetrit, saqë nuk kanë kohë me dyshue në ato të vetat. Kjo në thelb shfaq mungesën e tyne të kulturës, asaj kulture që fitohet me dije, atë mungesë në emën të së cilës na vjedhin, na damtojnë e na shesin mend çdo ditë.

Sot ma mirë se kurrë e dijmë që s’kanë nevojë me ardhë prej viseve të largëta perandorë e krala për me ia shterrë yndyrën këtij vendi, sepse ma mirë se na vetë nuk mundet me e shterrë Kosovën kurrkush. Po e shohim çdo ditë.

Por, përballë kësaj hajnie, me protestue asht nji çashtje, me bllokue kuvendin e shkatrrue qytetin asht nji tjetër. Me të parën qytetari mundet me u identifikue, së paku e ka shansën, ndërsa e dyta asht thjesht teatër politik, që përveç se nuk po i ndihmon kurrkujt edhe po e rrezikon vullnetin e qytetarëve për me iniciue ndryshime, tue i zhdukë shansat që jehona kundër padrejtësive të përditshme me u ba pjesë e pronësueme e identitetit të qytetarit kosovar dhe e obligimit të tij si qytetar që vlerëson drejtësinë, demokracinë dhe nuk dëshiron me qëndrue i turpnuem në heshtje sot e nuk dëshiron me u mallkue nesër.

Shoqnia kosovare nuk asht e barabartë me nji grumbull njerëzish që s’kanë krye me mendue, e megjithatë pikërisht si nji tufë injorantësh po trajtohet tash sa vite prej qeverive që erdhën e shkuen, por hiç ma mirë s’po trajtohet prej opozitës, nëse jo ma keq, e cila të drejtën e saj për protestë e ka shndrrue në të drejtë për me pasë të drejtë me çdo kusht.

Në emën të demokracisë, mobilizimi i masave për me e mbrojtë këtë demokraci në mënyrë “radikale” (prej poshtë nalt) qysh po pretendojnë me ba partitë opozitare, funksionon vetëm kur masat janë pjesë e tyne e jo kur partitë pretendojnë me i pasë ato pas vetes edhe kur s’i kanë. Taktika: ndjellja. Ndjell frikë, ndjell sens të së drejtës (pa mundësi korrigjimi, e përmirësimi e dyshimi), ndjell ndjell ndjell. Problemi: Tue ndjellë nuk mbjellët ma. Duhen ide të reja. Ide që shkurt e shqip, as VV-ja nuk i ka. Për ata tjerët të pajtohemi që këtu, që nuk i kanë e nuk i kanë pasë kurrë, sepse ideja e vetme që i udhëheq ata, sillet rreth epiqendrës së klanit fisnor.

Ndryshimet në nji vend vijnë kur shoqnia vetë bahet ajo energji që i shtyn ato; deri atëherë partitë opozitare duhet me e kuptue, nëse veç nuk e dinë, që pretendimet e tyne se ata do të jenë “ndryshimi”, janë tue e pengue ma shumë se tu’ i ndihmue po kësaj mundësie. Kështu që në rregull asht me e dashtë Kosovën në mënyrën e tyne, por nuk asht e drejtë në emën të kësaj dashnie me e shkatrrue atë, sepse ekskluziviteti mbi definicionin e shkatrrimit i takon shoqnisë e jo forcës së tyne të argumentit, apo argumentit të forcës. Kësaj shoqnie i takon me vendosë ku po don me shku: injorant, budallë, të varfën, të paarsimuem, por ama shumicë. Kurrgja nuk e justifikon dhunën e nji partie politike ndaj qeverisë, ndaj policëve, me fjalë të tjera as ndaj kantave të bërllogut, e kerreve zyrtare që janë pronë e qytetarit të kësaj Republike. Jo pse janë shtrenjtë e duhet me u ble prapë, por sepse nji gur drejt tyne asht nji gur drejt idesë sonë mbi paqen, zhvillimin, demokracinë e të drejtën me qenë ndryshimi i këtij vendi.

Ky popull edhepse duket sikur s’ka mjaft takat me i sjellë ndryshimet që i don, nji asht e sigurt, ai e din që s’ka vullnet as me u ba vegël e partive politike në luftën e tyne “kush i ka votat ma të forta”.

E vetmja shansë sidoqoftë, që kjo shoqni në mes së cilës demokracia asht foshnje e sapolindun, me fillu me u identifuku ma shumë me demokracinë ka me qenë ajo kur kjo shoqni vetë nuk mundet ma me tolerue vuejtjen e diskriminimin, hajninë e padrejtësinë.  Kjo, vetë. Vetë!

Gjendja e kësaj shoqnie sado që te jetë pasqyrë e qeverisë së saj, ma së pari çdo herë asht pasqyrë e vetes. Kështu që protestat e opozitës e kambënguljet e pozitës në njifarë mënyre përderisa nuk i kanë masat mbrapa vetes, janë protesta e kambëngulje kundër kësaj shoqnie. Nuk mundet me u imponue ndryshimi me parrulla patriotike e premtime monotone, e hiç e hiç me frikë. Nji “imponim” i tillë mundet me ndodhë veç me dhunë. E njohim, e kemi pasë, nuk na ka pëlqye, prandaj nuk ju ndjekim mbrapa.

Partitë muejn me vazhdue me e mashtrue veten se janë ata që kanë me e ba Kosovën, por ata në fakt e dinë që për votuesin, përveç se nji muhabet që shtrihet në përzimje të çajit të rusit e shfryhet në shamje nane drejtue ekranit të televizorit, ata nuk janë asgja ma shumë. Kosovës i duhet nji kulturë shoqnore, ku identifikimi me partitë shkrihet ma shpejt se sheqeri në çaj të rusit, ndërkohë që ndërtohet nji tjetër me vlerat e parimet demokratike, të cilat shoqnia dëshiron me i kultivue, jetue e mbrojtë përmes kritikës e aktivizmit konstruktiv që niset e bitiset prej shoqnisë e grupeve të organizueme të shoqnisë civile e jo prej partive politike. Politikanët e Kosovës prej qiellit s’kanë pikë, pjesë e këtij mentaliteti shoqnor janë edhe ata. Kështu që sado paradoksale, bash për shkak të kësaj “harmonie“ mes shoqnisë dhe klasës së saj politike, populli i këtij vendi ndoshta po toleron në nji masë të madhe budallakitë e politikanëve të saj, për shkak se tu’ mos muejtë me u idenfitikue me bamat e politikanëve të saj, të cilët për nga mentaliteti nuk dallojnë shumë prej tij, ky popull asht tue përjetue njji krizë të identitetit, ku kush ai asht e kush ai do me qenë (e mbi të gjitha qysh ai do me qenë) asht thelbi i kësaj krize që shfaqet si apati.

Deri atëherë kur partitë ekzistuese të „shpronësohen“ prej individëve që i kanë ngritë për së gjalli vetes përmendore brenda tyne; deri atëherë kur shoqnia civile e këtij vendit të fillojë të jetë ma kritike, e ma parimore e mos të prodhojë ministra a zv. ministra të ardhshëm për partitë ekzistuese që i kritikon; deri atëherë kur organizatat ndërkombëtare mos të pretendojnë që demokracia ndërtohet me raporte bardh e zi e miliona euro që derdhen në konto të projekteve që nganjiherë as në formulim nuk kanë kuptim, e ku me qenë ekspert u ba si me qenë profesion në vete, ndryshimet kanë me qenë veç fasadë dhe në rastin ma të mirë taktika politike që aty-këtu rastësisht edhe kanë me sjellë ndoj dobi, ama veç rastësisht dhe kuptohet koxha ngadalë.

Shoqnia kosovare e ka zgjedhë moti që don “me u ba njeri” nën petkën e demokracisë, sado i paditun, sado i varfën, sado “budallë” të konsiderohet, ky popull e din çka don dhe herët e ma vonë krizën e brendshme ka me e tejkalue, e ma së voni atëherë kur ka me fillu me ba pytje: pse me fëmijën e tij me aftësi të kufizueme nuk punon kurrkush në shkollë?; pse fëmija i tij ushqehet në shkollë sa për me ia ngi barkun, e pse në vend të nji brumi me sheqer nuk ushqehet me nji jogurt me fruta?; pse librat shkollor kanë aq shumë gabime sa janë të rrezikshëm për edukimin e fëmijëve të tyne?; pse objekteve shkollore, ku fëmija i tij kalon gjysën e ditës ma shumë i vjen era shurrë sesa libër?; pse objekti i ri i shkollës pikë ujë nëpër mure?; pse klasa ku fëmija i tij mëson ia rrezikon fëmijës së tij shëndetin?; pse objekti i shkollës,ku fëmija i tij mëson vëzhgohet brenda e jashtë në tana anët me kamera?; pse fëmija i tij rrezikohet me kapërcy rrugën edhe në vendkalime?; pse pse pse pse pse, komplet indiferent ndaj kush kush kush! Në thelb kështu ka me ardhë ndryshimi, kur shoqnisë kosovare nuk i intereson ma as partia as filani, por i intereson me ditë pse kjo e jo ajo, pse kështu e jo ashtu, tue e pasë edhe vetë nji vizion të qartë mbi opsionin ma të mirë të mundshëm! Tue e dijë jo veç çka don, por edhe qysh bahet ajo çka don.

Ndryshimet vijnë kur të instalohet kultura e llogaridhanies, ku shoqnia si e tillë përmes detyrimit të saj me kërkue llogari bahet pjesë aktive e procesve politike në vend. Deri tani shoqnia kosovare as nuk ka kërkue llogari sa duhet, e as nuk i ka pëlqye me dhanë fort llogari – me kritikue e sha, nuk asht me kërkue llogari –  këtë detyrë sidoqoftë partitë opozitare e kanë marrë përsipër, ndërkohë që shoqnia civile kogja pasive ka përkufizue veten natyrshëm ose me zor, në kritika mediokre shpesh herë jo mirë të informueme, me ose pa qëllim. Qytetari i randomtë që ka kritikue, që ka shumë pytje me pse, zakonisht asht akuzue për skepticizëm të tepërt në emën të ruejtjes së “harmonisë” për me mbrojtë atë pak dinjitet që ka njeriu, kur e din se jeta që ban nuk asht faji i tjetërkujt aq sa asht i veti, kur e di që edhe BE-në si destinacion, e cila vjen në të njejtën paketë me barazinë gjinore, të drejtat e homoseksualve, të drejtat e minoriteteve etj., etj. e don ma shumë për shkak të pasunisë materiale që premton, sesa për vlerat të cilat përbajnë themelet e saj.

Prandaj ndryshimet tue qenë se nuk do të vijnë aq shpejt, asht mirë me e pranue që do të vonohen edhe ma shumë, nëse lejojmë me mbetë audiencë e ngjarjeve të zhurmshme e të “mëdha” që bahen në emën tonin e bahen në shërbim tonin, por nuk na shërbejnë. S’kemi nevojë me u ngutë me pasë të drejtë, sepse të jemi të qartë edhe shumë kohë gjanat s’kanë me u ba ma mirë, e kemi me pasë mjaft të drejtë veç me e çelë gojën. Por ama ta çelim gojën, pa u ngutë, çdo ditë nga pak, e rrugës ndoshta takohemi me idetë që na çojnë përpara.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.