Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

E vjetra dhe e reja në politikën kosovare

Fushata e zgjedhjeve të parakohshme qendrore, që në të vërtetë filloi shumë muaj para hapjes zyrtare të saj, u karakterizuara me slogane, retorikë e simbole që evokojnë heroizmat e kaluara të luftës dhe paqes, me qëllim që, në këtë mënyrë, të pretendohet epërsi në garën e ashpër për vota të qytetarëve. Porse, duket që as vetë partitë politike që përdorin këta grepa nuk besojnë se mund të zënë numër të mjaftueshëm votash për të arritur atë që synojnë. Këta grepa janë konsumuar, ndërsa grepat e integrimeve europiane (që, për arsye të njohura, kësaj radhe nuk u përdor pothuajse fare) dhe miqësisë me Amerikën, për fat të keq, janë diskredituar me të madhe.

Andaj, veç kësaj, disa nga partitë përdorin edhe një strategji tjetër, që targeton grupe të caktuara nga trupi elektoral. Strategjia në fjalë hedh rrjetën për të kapur sa më shumë nga votuesit në mesin e komuniteteve që shihen si forcë me peshë elektorale: “myslimanët” dhe “urbancat”, siç janë quajtur në zhargon.

Për vite me radhë, partitë politike në Kosovë (madje edhe ato që kanë pasur qëndrime të vakëta ndaj identitetit islam), duke dashtë të tërheqin vota nga komuniteti “mysliman” – domethënë komuniteti i besimtarëve më praktikanë të islamit – janë afruar me individë nga këto komunitete, duke i marrë në gjirin partiak personat që identifikohen me fenë islame, pra me praktikantë të fesë ose që identifikohen më fort me islamin ose që pretendojnë se përfaqësojnë aspiratat dhe kërkesat politike të komunitetit mysliman: shpeshherë individë që nuk njihen për diçka tjetër, përveç që janë “fetarë”, siç kanë bërë disa nga partitë më të mëdha.

(Diçka e ngjashme është edhe me personalitete nga komuniteti i “urbancave” që janë përfshirë në gjirin partiak si kundërpeshë e bazës rurale të elektoratit, por që ndërlidhet edhe me një shtyrje në mes “shehërlive” pinjoj, fjala vjen, të Prishtinës osmane dhe “urbancave” të Prishtinës jugosllave.)

Por, kjo nuk ka kuptim. Nëse mendojnë se kështu kanë për ta mobilizuar elektoratin e supozuar “mysliman”, duket se është vonë për këtë. Partitë të cilat kanë synuar votën e kësaj kategorie, tani janë irrelevante, ngaqë nuk e kanë siguruar përkrahjen që e kanë shpresuar nga elektorati “i tyre” i supozuar. Pikërisht, sepse “myslimanët” nuk kanë qenë asnjëherë një bllok unik votuesish dhe, tjetra, ata kanë zhvilluar një vetëdije politike se nuk janë të veçantë dhe nuk kërkojnë të drejta të veçanta për vete, por si të gjithë qytetarët e tjerë: drejtësi, siguri, sundim të ligjit, punë, arsimim, shëndetësi, liri të besimit, të asociimit dhe të fjalës. Rrjedhimisht, votimi i tyre përcaktohet nga këto kërkesa, në kuadër të të cilave u garantohen edhe nevojat e tyre të veçanta.

Tani, mund të ketë parti që nuk duan që ky investim t’u shkojë poshtë, andaj me qëllim i fryjnë zjarrit të pasionit fetar për ta instrumentalizuar atë politikisht për hesape të veta, pra për një grusht votash, përmes formacionave parapolitike të tyre: intelektualë, gazetarë, shkrimtarë e hoxhallarë që mbështesin ose kundërshtojnë parti e politikanë të caktuar duke arsyetuar qëndrimet politike me terma fetarë.

Mirëpo, këtu nuk janë relevantë as “myslimanët”, as “urbancat”. I keni pa do të rinj e të reja që s’i njeh kush dhe që sakaq i shohim se kanë marrë votat për deputetë: të tillët fitojnë në sajë të mbështetjes së votuesve të rinj, kryesisht nga vendet e prejardhjes së tyre. Është çështje ndryshimesh demografike: lindja e një brezi të ri si forcë elektorale dhe shndërrimet e kulturës politike që vjen me këto ndryshime. Jo pse sfondi kulturor ose fetar nuk ndikon në votë, por se çdo brez rimendon dhe riformon kulturën dhe besimin, pra edhe çka domethënë me qenë “urbanc” dhe “mysliman” dhe si ndikojnë këto identitete në orientimet dhe sjelljen politike.

Andaj, për respekt të frymës së re në horizontit politik kosovar, përgatitjes për atë që po vjen, dhe që pleqtë që po vdesin të mos ua zënë frymën të rinjve që po lindin, uroj më pak vota për ata kandidatë që nuk quhen “të rinj” në moshë dhe (1) që në njëfarë forme ende janë të kurthuar në mentalitetin e kulturën e shekullit të kaluar: të shkollës, të urtësisë, të shijes, të trimërisë, të drejtësisë dhe të politikës së odave, mejtepeve, krahinës autonome, rezistencës ilegale, republikës paralele dhe luftës çlirimtare, dhe që ende u qan zemra për një të shkuar të idealizuar që kurrë nuk ishte qysh e paraqet nostalgjia e tyre, ose (2) që në vitet e para të këtij fillimshekulli janë brumosur me hegjemoninë ndërkombëtare në vendin tonë, hegjemoninë e komandantëve të pasluftës, të “shoqërisë civile” (që më shumë ishte shoqëri parapolitike e partive, trampolinë për politikanët e ardhshëm dhe qoshe e ngrohtë për politikanë të dështuar), imagjinata politike e të cilëve ngec te çlirimi nga Serbia dhe nuk shkon dot më larg. Të tillët duan që preokupimet, shijet, dijet, vlerat, idealet, aspiratat, miqësitë, armiqësitë, ëndrrat, frikërat, luftërat, “kalbsinat e vjetra, që kërkojnë shejtnim” të na i sjellin në të tashmen dhe t’i përjetësojnë në të ardhmen duke i injektuar ato te brezi i ri.

Pa u pasqyruar edhe në politikë shndërrimet kulturore që vijnë me brezin e ri; pa u lënë i lirë hovi i të rinjve “ndër lufta të reja m’u ndeshë”, nuk ka kalim nga e vjetra në të renë; nuk ka çlirim të së ardhmes nga prangat e së shkuarës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.