Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ekonomiksi i vendeve të vogla – Ku është shpëtimi?

Ilustrimi nga Big Eye.

Po shkruaj i inspiruar nga diskutimi i shpeshtë që bëhet lidhur me prospektet e rritjes ekonomike të Kosovës. Apo, thënë ndryshe, të ardhmen ekonomike të vendit tonë. Si do të dalim nga ky cikël i vend-qëndrimit? Si do të gjenerojmë vende pune? Kur do të arrijmë standardin evropian të jetesës?

Dhe, më duhet ta them qysh në fillim, se nuk ka përgjigje të lehta në këto pyetje për një milion (ang. million-dollar questions)! 

Së pari duhet të pajtohemi se krahasimi i ekonomive të vogla me ato të mëdhatë është gabim dhe konfuz në shumë drejtime. E kjo për fat të keq po ndodhë shumë shpesh në diskutimet tona. Vendet/ekonomitë e vogla janë shumë të ndryshme nga vendet/ekonomitë e mëdha, dhe kjo duhet të jetë baza e diskutimit. Duhet të heqim nga diskursi idenë e krahasimit të ekonomisë së Kosovës me ekonomitë e mëdha evropiane, apo botërore. Dhe, si rezultat edhe të ulim pritjet (tejet të larta të shoqërisë sonë) për arritje të shpejtë të standardeve evropiane.

Ekonomitë e vogla, të hapura dhe pa politikë monetare, kanë kufizime (ngulfatje) të shumta në politikë-bërje, të cilat kryesisht mund të përmblidhen në dy grupe. I pari grup i kufizimeve, ka të bëjë me faktin që vendet e vogla nuk mund të arrijnë “ekonomi të shkallës” (ang. economies of scale) ne asnjë sektor ekonomik. Mungesa e ekonomisë së shkallës rezulton në kosto më të lartë për prodhim të produkteve dhe shërbimeve, dhe si rezultat në konkurrueshmëri të ulët në tregun rajonal e global. Kurse grupi i dytë i kufizimeve, ka të bëjë me tregtinë dhe ofrimin i shërbimeve, të cilat janë të vështira në tregje të vogla dhe pa fuqi blerëse. Këto dy grupe kufizimesh kanë pasoja të mëdha në ekonomitë e vendeve të vogla.

Tani, cili është “shpëtimi”?

Një nga “rrugëdaljet”, e diskutuar shumë në teorinë ekonomike, konsiderohet të jetë rritja e konkurrueshmerisë në disa sektorë të caktuar (të identifikuar nga sektori privat), apo ajo qe quhet “specializim”, dhe shfrytëzimi i fleksibilitetit i të qenit “i vogël”. Fokusi i specializimit duhet të jetë kryesisht drejtë produkteve që tregtohen (ang. tradable goods), dhe që kanë potencial për eksport. Kjo në fakt është dilema e njohur e gjetjes së përparësive komparative (ang. comparative advantage), e që nuk është fare e lehtë.

Në ekonominë tonë, një sektor me “përparësi komparative” mund të jetë sektori i teknologjisë informative apo i prodhimit të energjisë, të cilët gjithnjë e më shumë po bëhen prioritete të Qeverisë. Por, në anën tjetër, duhet të kujtojmë që kjo qasje, edhe nëse rezulton e suksesshme, ka aspektet negative të saj. Fokusimi i energjisë në “ndonjë apo disa” sektorë, pa diversifikuar mundësitë e prodhimit dhe eksportit, i bën ekonomitë e vogla shumë të ndjeshme ndaj luhatjeve globale ekonomike.

“Rrugëdalja” tjetër e vendeve/ekonomive të vogla, mbetet proteksionizmi. Pra, Qeveria përmes politikave tregtare proteksioniste (vendosja e tarifave dhe kuotave), nën një mbron prodhuesit vendorë, dhe si rezultat krijon kushte “të favorshme” që ata të rriten dhe të hapin vende të reja pune. Së dyti, rregullon bilancin tregtar (duke ulur importin), dhe së treti, potencialisht nxit rritjen e eksporteve. Dhe, kjo e gjitha tingëllon bukur, nëse ne shikojmë vetëm ekonominë tonë, si të izoluar dhe atë në periudhë afat-shkurtër.

Problemet që kjo politikë (proteksionizmi) krijon, në anën tjetër, janë shumë-dimensionale. E para, konsumatorët/qytetarët e vendit shumë shpejtë do të paguajnë çmime më të larta për produkte dhe shërbime (rritja e kërkesës për produkte vendore dhe ulja e importit), e kjo ul standardin e jetesës. E dyta, si rezultat i “mbrojtjes”, prodhuesit vendorë do të bëhen më pak konkurrues dhe inovativ, sepse do të akomodohen në kushte “të favorshme” dhe pa konkurrencë. E treta, edhe vendet tjera do të sillen ngjashëm, duke prezantuar politika mbrojtëse, dhe si rezultat mundësia për rritje të eksportit eliminohet. Dhe, në fund, çka edhe ndodhë shumë shpesh nga “konflikti” ekonomik kalohet në “konflikt” politik (kujtoni rastin me Maqedoninë).

Tani për t’u përgjigjur në pyetjet e hyrjes: si do të dalim nga ky cikël i vend-qëndrimit? Vetëm përmes rrugës së parë, asaj të gjetjes së përparësive komparative. Padyshim që kjo rrugë është më e gjatë dhe më e mundimshme, e cila kërkon investime në shkollim dhe infrastrukturë, por garanton sukses në afat-gjatë. Si do të gjenerojmë vende pune? Krijimi i sektorëve konkurrues, të cilët eksportojnë produkte apo shërbime, padyshim që do të krijojë vende pune. Dhe, kur do të arrijmë standardin evropian të jetesës? Pas pesëdhjetë viteve, dhe atë nëse arrijmë të krijojmë rritje ekonomike të qëndrueshme (afatgjate) prej 5% në vit. Nivel të cilin nuk e kemi arritur në dhjetë vitet e fundit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.