Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

ENQA: Evropa Na Qiti prej Arsimit të lartë

Illustration: Big Eye

Këto javët e fundit kanë qenë një pasqyrë e qartë kundrejt arsimit në Kosovë – kur vjen puna te ngjarjet politike, ngjarjet arsimore mbeten në hije dhe krejtësisht të injoruara. Ngjarja kryesore së fundi, e që patjetër do të ketë pasoja në cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë, është përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Aq ka qenë e injoruar kjo çështje saqë mund t’i numëroj me gishta artikujt dhe ekspertët që kanë nda ca minuta në adresimin e kësaj çështjetje.

Po më vjen inat që në këtë aspekt arsimor – pasi në atë të vizave jo – kemi qenë një hap përpara nga Gjeorgjia, por Gjeorgjia u anëtarësua këtë vit në ENQA e ne u përjashtuam. Gjeorgjia po e promovon këtë arritje në këto katër komponente:

 Rritja e besimit në universitetet me qendër në Gjeorgji;

 Njohja e diplomave gjeorgjiane në Evropë;

 Mbështetja e mobilitetit ndërkombëtarë për studentë dhe profesorë;

 Forcimi i lidhjeve arsimore midis universiteteve gjeorgjiane dhe evropiane.

Në pika të trasha, Kosova i ka humbë të gjitha këto përparësi atë ditë që u përjashtua nga ENQA, dhe siç po deklarohet në publik “jemi kthyer rreth 10 deri 20 vite mrapa” në arsimin e lartë.

Çka është ENQA?

ENQA është asociacion i krijuar sipas rekomandimit të Bashkimit Evropian me qëllim të promovimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe standardizimit të definicionit të cilësisë në arsimin e lartë midis të gjitha shteteve anëtare. Për më qartë, nga statuti i ENQA, këto janë qëllimet e saj:

– të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë;

– të zhvillojë procese dhe sisteme të sigurimit të cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë;

– të përfaqësojë anëtarët në nivelin Evropian dhe ndërkombëtarisht;

– të ndikojë në krijimin e politikave në nivelin evropian mbi çështjet që kanë të bëjnë me cilësinë dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë;

– të inkurajojë bashkëpunimin midis agjencive të sigurimit të cilësisë në Evropë dhe në mbarë botën;të nxitë dimensionin Evropian të sigurimit të cilësisë së arsimit të lartë.

Për të qenë anëtarë në ENQA, janë disa standarde që duhet të përmbushen. Në vitin 2014, këto standarde janë evidentuar dhe përshtatur për Kosovë në bazë të standardeve evropiane “Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë”. Këto standarde kryesisht përfshijnë tri pjesë: sigurimin e brendshëm të cilësisë, sigurimin e jashtëm të cilësisë, dhe agjencitë për sigurimin e cilësisë. Për secilin komponent ka standarde të caktuara të cilat kanë për bazë përmirësimin e mësimdhënies, mësimnxënies, kualitetit të programeve në arsimin e lartë dhe fuqizimin e llogaridhënies. Secili shtet që është anëtarë në ENQA rishqyrtohet të paktën një herë në pesë vite nëse është duke i përmbushur këto standarde. Kosova në vitin 2014 fitoi statusin anëtarë në ENQA, ndërsa në vitin 2019 humbi këtë status për shkak se nuk i ka përmbushur shumicën e këtyre standardeve evropiane për arsim të lartë.

A ka humbë ‘najsen’ Kosova?

Për mos më i dalë hak komenteve të Kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit që “nuk mund të themi që diplomat nuk do të pranohen, por në një formë vështirësohet mobiliteti i studentëve”, po e komentoj këtë deklarim. Nëse një studente nga UP-ja vendos të aplikojë në Zvicër – shtet anëtar në ENQA – për fillimin e studimeve Master, diploma e saj do të rishqyrtohet dhe rishikohet nga Zvicra ngaqë tani në Kosovë nuk ka kurrfarë mekanizmi matës të standardeve evropiane në arsimin e lartë; për më tepër, këto standarde janë degraduar që nga viti 2014. Diploma e saj do të analizohet me standard të dyfishtë, dhe ka shumë mundësi që të kërkohen verifikime të dyfishta për atë diplomë: p. sh. ritestimi i njohurive, riverifikimi i diplomës dhe i programit e shumë procedura tjera që do ta zbehin mundësinë e studentes së UP-së t’u pranuar në këto studime.

Për të qenë më korrekte, përveç mobilitetit të studentëve që sipas meje ka lidhje direkte me njohje të diplomës, këto janë komponentët e tjerë në të cilat do të ndikohet arsimi i lartë në Kosovë:

– Rënie në cilësinë e arsimit të lartë si pasojë e mungesës së mekanizmave matës për përmbushjen e standardeve evropiane. Me daljen nga ENQA, Kosovës nuk i mundësohet qasje në shpërndarjen dhe shkëmbimin e informacionit, ekspertizës dhe praktikave të mira në sigurimin e cilësisë së arsimin e lartë për anëtarët, bashkëpunëtorët, palët e interesuara dhe politikëbërësit.

– Rënie e bashkëpunimit ndërkombëtar. ENQA mundëson bashkëpunime ndërkombëtare ndërmjet shteteve anëtare duke dhënë qasje në shërbime dhe mundësi rrjetizimi me shtetet evropiane. Gjithashtu, shtetet anëtare të ENQA-s kanë mundësi në pjesëmarrje të shumë ngjarjeve ndërkombëtare të arsimit të lartë që mundësojnë përcjelljen e trendeve në arsimin e lartë.

– Mungesë të ekspertëve për akreditim të programeve. Sipas ligjit për arsim të lartë, Neni 15 “Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë”, paragrafi 8 thotë se për vlerësim të programeve për akreditim “AKA-ja cakton grupe ekspertësh ndërkombëtar të fushave përkatëse.” Me përjashtimin nga ENQA, Kosovës i është zvogëluar rrjeti i ekspertëve ndërkombëtar për vlerësim në bazë të sistemit të Bolonjës ngaqë ENQA bën koordinimin e agjencive të jashtme që bëjnë sigurimin e cilësisë.

Nga pozita e një pale të jashtme me ca opinione në arsim, çka po shoh në rrethin arsimor në Kosovë është një frymë ku suksesi i një komponente arsimore shihet si mosukses për palën tjetër që nuk është marrë me këtë komponentë. Në terma biologjikë, akterët e Kosovës për arsim si marrëdhënie simbiotike e kanë parazitizmin: kur njëri përfiton në dëm të tjetrit. E po të pyetesha unë, marrëdhënia simbiotike që do të çonte në përmirësim është mutualizmi: kur përfitojnë të dy organizmat. Po tek e fundit, për këtë periudhë me politikën si momentum, në Kosovë më shumë janë me rëndësi ‘memes’ “tu e kalu pragun”.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.