Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Evropianizimi si rrëfim konsensusesh

Konsensusi si parim themelor i vendimmarrjes determinon marrëdhëniet tona politike me Bashkimin Evropian. Por, ai shpesh shihet ngushtësisht dhe i shkëputur nga interesat. Prandaj duhet pasur parasysh se ka tri nivele, shpesh kundërthënës, të konsensusit: ndërkombëtar, në vendimmarrjen e brendshme dhe në shoqëri.

Kosova akoma është shtet ‘i papërfunduar’ në aspektin e jashtëm, në kuptimin e njohjes së sovranitetit të saj nga shtete dhe organizata ndërkombëtare. Premisa e procesit të udhëhequr nga OKB që çoi në krijimin e shtetit ishte ajo e konsensusit të BE-së dhe ShBA-së me Rusinë e Kinën, dhe me Serbinë, i cili dështoi pasi që ato refuzuan propozimin e Ahtisaarit për pavarësi. Si shtet ‘i papërfunduar’ në aspektin e jashtëm, dhe prandaj i pabarabartë në skenën ndërkombëtare, Kosova është e pafuqishme që të ndjekë një politikë të jashtme të formësuar në radhë të parë nga interesat, apo që të shfrytëzojë reciprocitetin ose kushtëzueshmërinë si instrumente të kësaj politike.

ShBA dhe BE luajnë rol politik strategjik në shtet-ndërtimin tonë të brendshëm, bazuar në konsensusin mes tyre për integrimin euro-atlantik të tërë rajonit, duke përkrahur vendosjen e qeverisjes demokratike dhe ekonomisë së lirë të tregut. Për dallim nga marrëdhëniet politike me ShBA-në, ato me BE-në janë kundërthënëse, pasi që konsensusi brenda saj është konsensus i shteteve anëtare dhe institucioneve të saj. Për shkak të mosnjohjes nga pesë shtete anëtare, këto marrëdhënie janë ‘neutrale ndaj statusit’ dhe manifestohen si ‘ambiguitet konstruktiv’. Kjo është pjesërisht e favorshme për të dyja palët: BE-së i mundëson të ndjekë politikat e saj për tërë rajonin dhe Kosovës interesin e saj për përmbylljen e shtet-ndërtimit të jashtëm.

Megjithatë, si shtet i pabarabartë në skenën ndërkombëtare, Kosovës më tepër i imponohen kushte se që mund të imponojë. Për shembull, BE e ka bërë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kriter për integrimin e Kosovës në të bazuar në konsensusin si parim themelor të vendimmarrjes politike. Ai gjithashtu është kriter ligjërisht i detyrueshëm: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) i mundëson BE-së ta pezullojë atë nëse Kosova nuk tregon zotim për “përmirësim të dukshëm e të qëndrueshëm” të marrëdhënieve me Serbinë. Kosova është e pabarabartë në këtë proces pasi që për Serbinë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk është obligim ligjor shprehimisht i detyrueshëm sipas MSA-së.

Kosova ka pranuar MSA ‘vetëm me BE-në’ bazuar në narrativin se normalizimi ndihmon shtet-ndërtimin e jashtëm ashtu që njohja nga Serbia do të bindte shtetet anëtare që nuk e njohin atë që ta bëjnë këtë dhe Rusinë e Kinën që të tërheqin veton ndaj anëtarësimit të saj në OKB. Kjo do të hapte rrugën për anëtarësim në OKB dhe për marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Pra, marrëdhëniet tona politike me BE-në pasqyrojnë kompromisin ndërmjet shteteve anëtare që e njohin shtetin e Kosovës dhe atyre që nuk e njohin atë.

Kështu, Kosova ia ka përshtatur shtyllën kryesore të politikës së saj të jashtme preferencave të shteteve anëtare që e njohin atë, me pritjen që ato do t’i bindin shtetet jo-njohëse që ta njohin shtetësinë e saj. Por, ato hezitojnë ta bëjnë këtë pjesërisht pasi që qytetarët e tyre e shohin zgjerimin e mëtejshëm të BE-së si kërcënim ndaj mirëqenies ekonomike dhe sigurisë. Kosova gjithashtu ia ka përshtatur atë preferencave të shteteve anëtare jo-njohëse në përpjekje për t’i bindur që ta njohin. Megjithatë, ato hezitojnë nga frika se kjo nxit separatizmin në mesin e pakicave të tyre, pra e shohin këtë si kërcenim ndaj sigurisë së tyre të brendshme.

Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme Kosovë-Serbi është zyrtarisht kusht i politikës së kushtëzueshmërisë së BE-së ndaj dy vendeve nga viti 2018. Megjithatë, normalizimi është bllokuar qe pothuaj tri vjet, ndërsa BE nuk ka instrumente efektive për ta ndryshuar sjelljen e Serbisë. Kjo tregon se konsensusi si parim i vendimmarrjes politike në politikën e zgjerimit të BE-së është në krizë, dhe rezulton në konsensus për ta mbajtur një vend në amulli.

Po kështu, konsensusi i vendimmarrësve tanë politikë për të përmbyllur shtet-ndërtimin e jashtëm, përfshirë përmes integrimit në BE, mbetet kryesisht deklarativ. Gjendja mes regresit e amullisë në zbatimin e reformave drejt stabilitetit politik, shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së lirë të tregut tregon se atyre u mungon vetëdija për rëndësinë e konsensusit si parim themelor i vendimmarrjes politike. Për BE-në kjo tregon se politika, e bazuar në norma, për ta bërë konsensusin parim themelor të vendimmarrjes politike nuk ka transformuar mendësinë e këtyre vendimmarrësve. Për Kosovën kjo tregon se vlerat mbizotëruese të tyre bien ndesh me konsensusin si parim të tillë, dhe mund të ngre dyshime nëse shtet-ndërtimi demokratik është fare i mundshëm. Akoma më komplekse janë arsyet ontologjike e kësaj mendësie dhe cila do të mund të ishte alternativa.

Kjo amulli nuk përmbush pritjet e shoqërisë marrë parasysh konsensusin dhe pritjet e tyre. Sipas Barometrit Ballkanik 2020, 75% e kosovarëve e shohin integrimin në BE si zhvillim pozitiv, ndërsa gjithsej 82% presin që integrimi ekonomik me BE-në të ndodhë brenda më pak se një dekade (38% deri më 2025 dhe 44% deri më 2030). Këto dy gjetje bien në kundërshtim me dy të tjera. Së pari, shumica dërrmuese e shohin integrimin në BE si të shkëputur nga shtet-ndërtimi: 38% si mundësi për të udhëtuar, 47% si mundësi për të studiuar dhe/ose punuar në BE, dhe 37% si mundësi për begati ekonomike, ndërsa vetëm 16% i shohin mosmarrëveshjet politike si problem. Së dyti, vetëm 16% e shohin pozitivisht rolin e bashkëpunimit rajonal.

*Pikëpamjet e shprehura janë vetëm të autorit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.