Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Faqet e kulturës së gazetave nuk janë mall pa doganë

(Histori e përsëritun shqiptare)

Faqet e kulturës së gazetave nuk janë mall pa doganë

(Histori e përsëritun shqiptare)

Nuk asht hera e parë që në Shqipni, bota akademike apo ajo e gazetarisë së kulturës me prodhue fenomene lajthitjesh e qesharake. Pra, s’duhet me u habitë kur nga profesorë e gazetarë kulture me e pá të shkruem emnin e studiuesit të çmueshëm Eqrem Çabej, si Eqerem; veprën e Fishtës ‘Gomari i Babatasit’ si ‘Gomari i Babastasit’ (ndoshta tue e ngatërrue me informacionin tjetër kulturor-muzikor Baba Stars) apo rasti aktual flagrant sesi Pader Zefi asht ba Pëllumbi. Madje nuk asht e largët koha kur këtë rast e kam ba publik mbi veprën e studiueses Blerina Suta ‘Hulumtime mbi veprën e Át Gjergj Fishtës’, krahas shumë problemeve shkencore që paraqiste vepra në fjalë. Po këtë punim juria e Çmimeve Kult 2019, nuk e pau si problematik, por e shpalli finaliste në sesionin e librave studimorë. Për rastsi shumica e jurisë, ish-kolegë të Historisë dhe të Filologjisë, e natyrisht pjesa dërrmuese anëtarë të Departamentit të Letërsisë, ku kam doktorue me Fishtën dhe ku kam punue për disa vite. Kjo tashma asht nji çêshtje tjetër.

Nuk vonon dhe fakti përsëritet. Në nji bashkëbisedim, ‘Mapo Letrare’ fundshkurt 2020, f. 14, mes zz. Mark Simoni [redaktor përgjegjës në këtë Suplement] dhe Orgest Azizi, gjendet nji kryetitull i tillë: ‘Filozofi më atipik i Francës, përdorimi politik i trupit, a u tradhëtua At Zef Pëllumbi dhe Ontologjia e imazhit’. Sqaroj se nuk asht interesi im me u marrë me intervistën mes redaktorit përgjegjës dhe përkthyesit serioz. Madje shtoj se kryetitulli m’ka heqë çdo motiv me e lexue atë faqe, sidomos kur ka edhe gabime shtesë-drejtshkrimore (khs. u tradhëtua në vend të u tradhtua). Gazetën Mapo (si edhe të tjera) natyrisht e kam ndjekë edhe me ardhjen e z. Simoni si përgjegjës, por edhe me vite mbasi kam botue dhe bashkëpunue ma përpara aty. Deri tash në raport me shpalimet letrare a botimet në këtë shtojcë-suplement, publikisht nuk kam mbajtë ndonji qëndrim pasi nuk e kam pá të nevojshme edhe pse disa nga botimet e tashme aty, i kam relativizue në vetvete.

Redaktori përkatës që ka prodhue keqshkrimin e mbiemnit të Pader Zefit, natyrisht që asht në gabim disaherësh. Së pari, asht mungesë pergjegjësie e deri sakrilegj mos me shkrue korrekt emnat e personaliteteve shqiptare, aq ma tepër nga dikush që mbulon fushën e kulturës. Së dyti, kahdo me i ra z. Simoni asht dallash, nisë si entitet regjional dhe religjional. Po kjo nuk asht gja e re as për Lezhën e as për Shkodrën me qitë në hundë e në buzë klerin katolik. Këtë li’ ua ka pa’ lanë komunizmi. Botënisht njihet aktiviteti antiklerikal e partiak gjatë diktaturës përmes poezive të N.Gjetjes-P.Zogajt-R.Markut. Te libri im ‘Sonete’, 2016 kam folë gjanë e gjatë për shumë autorë pro-propangadistikë e ma përmbledhtas në artikullin tim ‘Sacra Congregatio de Propaganda Enveride’ [Studimet Albanologjike, Letërsia si kujtesë: In Memoriam Martin Camaj, UT, FHF,  2017/2, viti XXII, ff. 246-51]. Këtu assesi nuk due me bashkërêndue z. Simoni me të masipërmit, por vetëm për përgjegjësinë e tij profesionale dhe ndieshmëninë ndaj nji personaliteti si Z. Pllumi. Asht e parakuptueshme se sintonia standardiste-enveriste ia ka vrugë pak aparatin e gojës nji gege si ai, tue i futë nëpër fulqij do zanore e bashkëtingëllore, por kjo―e theksoj se―nuk ia zbehë ngarkesën e përgjegjësisë autoriale apo redaktimore. Vetëm në dosjet e komunizmit dhe arkivat (edhe ato fotografike) gjendet trajta aktuale e keqshkrimit të mbiemnit të klerikut të ndjemë. Krahasoni diçiturën e fotos gjatë diktaturës ku shkruhej me kapitale: MOMENTI QE U KAPE I PANDEHURI ZEF PELLUMBI TEK NJI SHPELLE NE QYTETZE TE VUKLIT DUKE DASHUR TE ARATISET NE JUGOSLLAVI. Mbështetë në këtë sekuencë teksti, daktilografi dallohet se asht nji përdorues i dyzuem i variablave gjuhësorë. Por, drejtë me thanë, komunizmi e ka pasë ves dhe merak me i shndërrue edhe toponimet gege historike, tue i ba Bjeshkët e Nêmuna si të Nëmura etc. Po due me thanë se për fat të keq nji sjellje gjuhësore e kësaj natyre, prej personave me funksion publik, po përtërihet. Së treti, unë nuk besoj se z. Simoni ban pjesë në komunitetin e autorëve që e konsiderojnë gazetën si mall pa doganë. Tue qenë se realiteti i gazetave shqiptare këto kohë ka ndryshue, vetëm disa sosh po dalin të printueshme, sepse shumica kanë kalue elektronike, atëherë obligimi duhet të jetë edhe ma i madh. Unë, si person që kam botue saesa shkrime në disa gazeta vendase dhe se besoj në esencën e letrës si fakt dokumentativ, nuk mund të pohoj e as të mendoj se në fund të fundit gazeta shërben për qëllime higjienike. Fatmirësisht shqiptarët mbas ’90-s kanë përduersh materie ma të buta për me u kujdesë për mirëqenien e tyne.

Ky veprim i z. Simoni, doemos nuk asht për penallti juridike, por për morale e intelektuale. Dy A-të, pra dy Akademitë respektive të Shqipnisë dhe të Kosovës, sa merren me sinoret e gjuhës shqipe (e këtë kanë me e ndreqë dy kryetarë, njeni kuqalosh i deklaruem e tjetri përdorues verbal i pashpresë, i nji standardi enverist!?), me qenë e mbara merren edhe me punë ma të randa si keqshkrimi i emnave të personaliteteve tradicionalë.

Pavarësisht se nuk do t’i vijë mirë zotni redaktorit përgjegjës për këtë shkrim timin, ma ‘marre’ asht mos me kërkue falje publike në nderim të emnit të Pader Zefit e mandej për lexuesin e Mapos Letrare, sesa me pasë sjellje censuruese për komentuesit në faqen e tij personale në facebook. Përdoruesi i FB përderisa ban pjesë në nji bashkësi që mbajnë poste publike dhe ndërmarrin postime të tilla, duhet me qenë i ndërgjegjshëm se mendimi i disave nuk asht me çue gishta lajkash e me shkelë emoji. Nëse i vjen idhët komenti për nji shëmtim të tillë, si në rastin e Pëllumbit, atëherë nuk asht faji i komentuesit. Nji pjesë e personave që mbajnë detyra publike në Shqipni, nuk asht mësue ‘me u thanë kush çka po ban’, e për rrjedhojë kujtojnë se të gjithë duhet me përfundue në sjellje servileske e pa thelb.

Prandej mos me e kuptue njeri veten, dhe mos me i vû frê këtij turri publicistik pasha bukën drue se kanë me u pshtjellue punët e me u zhvillue fusha e ornitologjisë, e s’ka me qenë kurrigram çudë që pëllumbi me u ba mëllî.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.