Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Feja në shkollat ku dija përmendësohet si dovë

Kosova nuk asht Suedi a Finlandë. Ajo zor që i afrohet ndonji vendi tjetër në rajon, përveç Shqipnisë sa i përket nivelit arsimor. Kjo i ka shkaqet e veta historike dhe unë nuk po përzihem aty. Sidoqoftë, asht nevoja me u thanë që nëse jo gjyshërit atëherë stërgjyshërit tanë ishin analfabetë. Dhe arkaizma të larmishme pluskohen në nënqiellin tonë vazhdimisht. Në ngutjen tonë drejt perëndimorizimit ne po e luejmë kolektivisht komedinë “Krokodili” të Dostojevskit. Po ngutemi e po përmutemi!

Kësisoj, shoqnia jonë asht veç në dukje perëndimore sepse shpirti i saj asht vend ku zihen plot primitivizma. Vendi i vetëm ku shoqnia jonë ka rast me shpërla shpirtin e saj prej tyne asht shkolla. Mirëpo, shkolla në Kosovë asht mosvet keq. Llom. Gërmadhë dijesh të pastrukturueme që servohen si qofte. Ku bahet hajgare me ekzaminim. Ku lejohet edhe kultura familjare, edhe ajo fetare. Ku gëlojnë gjithëfar kriminalitetesh. Asht e pamundun me përfundue shkollën në Kosovë dhe mos me qenë dëshmitar i therrjeve me thika, rrahjeve brutale, shitjes, blerjes dhe konsumimit të drogës. Por edhe prostitucionit. Po, po edhe prostitucionit.

A thu, pse asht kështu? Sepse nuk ndjeket modeli i shkollave moderne. Shkollat moderne në thelbin e tyne janë trushpërlamëse, nënshtruese dhe disiplinuese. Ato fabrikojnë individë. E pavetdijshmja – thoshte Michel Foucault – na ka mësue që njeri nuk ekziston. E meqë s’ekziston duhet me u prodhu. Mirëpo shkollat në Kosovë prodhojnë veç qenie amorfe, kriminelë, familjarë, fetarë dhe klientë kafenesh. Përjashtimet janë tepër të rralla.

Shkolla moderne pra, e shpërlan trunin e secilit prej mbetjeve familjare e fetare. Nuk lejon me u përzi njiqind edukatorë të ndryshëm në nji vend. E mëson për familjen, fenë e shoqninë, por simbas mënyrës së saj. Ajo ofron dije praktike e funksionale. Ndërkohë që në shkollën e Kosovës, dija asht thjesht teorike, e largët, që shërben thjesht si alet për notë të mirë a karrierë të mirë, dhe pastaj zhduket si ndonji germë e shkrueme në akull nga dielli.

Për shembull: unë e kam mësue kalendarin gregorian pa e ditë pse shekulli i ri nisej në vitin 2001 e jo në vitin 2000 qysh edhe e kërkonte logjika. Mësuesit e mi nuk ma patën shpjegue se numri zero asht shpikë ma vonë se vet kalendari. Kështu, logjika paralizohet dhe dija defunksionalizohet. Nejse, ky asht veç nji shembull për me iu kallxue qysh dijet që jepen përmes teksteve shkollore në shkollat tonë janë jofunksionale, jopraktike dhe nuk e prekin aspak trunin dhe shpirtin e nji nxanësi. Ky nxanës mun me i mësue dhe me i thanë si bylbyl krejt definicionet për kombin e prap me besue në kombin ahistorik dhe eleatik që ia ka mësue familja. Ndërkohë që librat janë përnjëmend skandaloze: mbrapa çdo mësimi kanë pyetje që përgjigjjet gjenden në fjali brenda njësisë mësimore. Nxanësit i duhet thjesht me e lypë fjalinë që i përshtatet pyetjes në tekst dhe kjo asht rruga qysh arrihet pesëshja, nota ma e mirë. S’ka nevojë për mendim. Sistemi ynë shkollor asht pavetdijshëm tue fabrikue ose papagaj ose papagaj të dështuem. Futja e landës fetare nëpër shkollat tona kish me qenë nji veprim i papërshtatshëm. Madje edhe nëse i jepet karakter faktologjik. Tue qenë nxanës i këtyne shkollave për dymbëdhjet vjet (dhe unë i kam ndërrue tri shkolla) e di se kurdo që përmendet feja çohen do nxanësa dhe me ashpërsi e mohojnë evolucionin, heliocentrizmin dhe krejt dijet tjera shkollore në favor të fesë së vet. Bile, ka edhe arsimtarë që përgjatë mësimit faktologjik të feve në landën e Sociologjisë, nuk ngurrojnë me komentue. Dhe çfarë komentesh se?! Natyrisht, me sentimentin fetar të ndezun ata iu kallxonin nxanësve përparësitë e fesë së tyne ndaj tjerave. Unë deri vonë kam besue që budizmi asht feja ma primitive. Tash mendoj krejt ndryshe.

Nji lexim i drejtpërdrejtë dhe i paproblematizuem i Kuranit dhe Biblës asht i damshëm. Ideologjia e ISIS asht e krijueme bash prej nji leximi të atillë sipërfaqësor. E natyrisht që nji nxanës i mirë i landës së fesë nuk ndalet veç në faktet historike dhe në krahasimet e ndikimeve në kulturë, ai gjithashtu ka me i lexue këto libra. Kjo e prodhon nji rrethanë të rrezikshme. Nji adolseshent me kuranin në dorë përban rrezik për shoqninë. Sidomos kur asht fjala për nji vend që s’i ofron kurrëfarë perspektive.

E respektoj dashamrësinë e secilit që mendon se feja ka me ndihmue luftën ndaj ekstremizmit fetar. Por unë nuk besoj që ata kanë të drejtë. Bile edhe nëse i shtyjmë me zor mësuesit me qëndrue veç në terrenin e fakteve, kjo në rastin ma të mirë s’ka me pasë kurrfarë ndikimi. Po e përsëris: planprogramet idiote, shpjegimet idiote të mësuesve, veç kësaj paperspektiva mizore jashtë shkolle ka me çue secilin drejt nji pamendimi edhe ma të madh, dhe drejt nji lidhje ma të madhe sipërfaqësore me fenë.

Po e përsëris fjalinë e parë: Kosova nuk asht si Suedia sepse asht vend ku njerëzit nuk i kanë dijet bazike shkollore; sepse asht vend i varfun që s’iu jep nxanësve tjetër veç nji perspektivë të keqe; sepse korrupsioni asht i shtrimë kahmos dhe sepse jemi në nji krizë identitare.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.